Memelli i gëzohet tre pikëve dhe mendon sfidën e radhës: Pak alternativa, të bëjnë me dhimbje koke

Dec 18, 2021 | 19:33
SHPËRNDAJE

Migen Memelli, trajneri i Skënderbeut, ka qenë i lumtur me tre pikët që mori skuadra e tij ndaj Kastriotit. Por në “SuperSport” ai theksoi se kishte shqetësim rreth mungesave me të cilat do të përballonte sfidën e radhës ndaj Dinamos.

memelli

“E nisëm mirë për hir të së vërtetës. Donim të bënim atë që paracaktojmë gjatë seancave stërvitore. Manovrimet i bëjmë mirë, sidomos në krahun e Meksit ku kishim forcë dhe nga erdhi harkimi i golit të parë. Ajo që nuk më pëlqeu ishte lënia e hapësirës dhe terrenit që mori Kastrioti te goli i barazimit, janë gjëra që ndodhin në futboll. Mos harrojmë që kishim mungesat e Zguros e Sadriut, pastaj pjesa tjetër janë lojtarë të brishtë. Unë si trajner rrezikoj, por në ndeshje të tilla ndaj një kundërshtari si Kastrioti, ishim në lartësinë e duhur. Kemi lënë mbrapa një kundërshtar direkt dhe kemi marrë tre pikë të vlefshme për të shkuar në ndeshjen me Dinamon edhe pse jam i shqetësuar që kemi pasur dëmtime të shumta që i shtohet e Sadriut. Të shohim, se kam pak alternativa në pankinë.

 Shkojmë në Tiranë me alternativa të pakta, Vangjeli ka problem në kavilje, Bajrami e Sadriu kanë dëmtime. Në këto momente, kur trajnerit i mungojnë lojtarë, jo për të ulur ritmin e dëshirën e pasionin, por e dini që shumë pak alternativa e bëjnë në dhimbje koke trajnerin. Por kemi edhe një ndeshje për të luajtur dhe qëllimi është të fus skuadrën në fushë me Dinamon për të përballuar këtë kundërshtar të radhës si jemi përballur me çdo kundërshtar tjetër. Ky trepikësh na dha qetësi absolute se lamë kundërshtarët direkt poshtë. Presim merkaton për të plotësuar pozicionet që pa diskutim do t’i plotësojmë.

Gjithmonë kemi plan C apo edhe D, si të gjithë në Superiore. Besoj se do të ndryshojmë se kemi dy qendërmbrojtës jashtë. Por sot do të shohim se strategjia me Dinamon nuk i ngjan asaj me Kastriotin, është me një kundërshtar më të fortë e me kualitet. Por gjithsesi do të shohim edhe në vijim si do të operojmë në skuadër e vendosim. Pa diskutim janë mungesa të rëndësishme, por të shohim se edhe kundërshtari do të shohë alternativat e pakta që kemi. Por shkojmë me bindjen e plotë në Tiranë për të bërë një ndeshje shumë të mirë”, tha Memelli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura