Melani: Ligj i ri për siguracionet, kush do të përfitojë

Aug 20, 2015 | 16:00
SHPËRNDAJE

I ardhur në krye të Bordit të AMF-së, pas votimit në Kuvend, më 12 mars 2015, Pajtim Melani në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” shpjegon reformën në tregun e sigurimeve, sidomos për sa u përket sigurimeve të detyrueshme të makinave dhe mjeteve motorike në përgjithësi. Cilat janë ndryshimet ligjore që do të propozohen për sigurimin e detyrueshëm dhe si do të vendoset me ligj detyrimi për diferencimin e primit të siguracionit të makinave.

pajtim-melani-ne-kembe
Një shpjegim për sistemin “Bonus-Malus”, ku secili paguan sipas historikut me idenë që do të ulen primet për ata që s’kanë kryer aksidente dhe do të rriten për ata që kanë historik aksidentesh, synon të krijojë një sistem më të ndershëm të sigurisë së përgjegjësisë dhe të rrisë kujdesin e sigurinë në lëvizjen e mjeteve motorike.

Çfarë ndryshimesh ka sjellë Bordi i ri i AMF-së, të cilin ju e drejtoni që nga muaji mars i këtij viti?
Misioni i çdo institucioni mbikëqyrës financiar është të kontribuojë në nxitjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin e sigurt të tregjeve financiare nën mbikëqyrje dhe në rastin konkret të tregut të sigurimeve. Bordi i ri në zbatim të ligjit “Për AMF” po synon një reformë të thellë dhe të gjerë të tregut të sigurimeve për ta zhvilluar, zgjeruar dhe mbikëqyrur sipas standardeve të një tregu financiar europian. Për këtë arsye po punohet në drejtim të hartimit të një dokumenti të zhvillimit strategjik afatmesëm (5- vjeçar) të tregut të sigurimeve dhe një grup ekspertësh që do të përzgjidhen mbi parimin e konkurrimit do të draftojnë këtë strategji dhe do ta diskutojnë me të gjitha palët e interesit, shoqëritë e sigurimit, shoqatat e konsumatorëve, dhomën e avokatisë, vlerë- suesit e dëmeve, sistemin gjyqësor, Ministritë e Financave dhe të Ekonomisë etj., përpara miratimit të dokumentit nga Bordi. Ndërkohë tregu i sigurimeve po mbikëqyret në dy plane, tregtuesit financiarë të shoqërive sipas përcaktimeve ligjore (ligji 52/2014) dhe zhvillimet në vitin aktual për sa i përket madhësisë së tregut, dëmeve të paguara dhe performancës financiare të shoqërive. Bordi në mbledhjen e fundit diskutoi analizën financiare të të gjitha shoqërive të licencuara në sigurimin e jetës dhe jojetës dhe sipas gjetjeve dha masat e rekomandimet për çdo shoqëri. Kështu, për shoqëritë që cenojnë kufijtë ligjorë lidhur me aftësinë paguese (kapitalin), menaxhimin e rrezikut, rezultatin financiar apo provigjonet teknike, Bordi është shprehur me vendime me masa detyruese dhe brenda afateve kohore, ndërkohë që për shoqëritë që kanë pasur thjesht probleme të raportimit të raporteve auditimit apo mënyrën e menaxhimit të shoqërisë, iu është dërguar një shkresë nga drejtori ekzekutiv. Dua të theksoj se ka dhe shoqëri që kanë parametra financiarë të kënaqshëm për sa u përket kritereve ligjore dhe mënyrës së administrimit të shoqërisë apo riskut, pasi një shoqëri sigurimi kontrollohet nga audit të brendshëm, nga audit të grupit, kur janë pjesë e grupeve financiare, audit të jashtëm dhe nga inspektorët e AMF-së për të siguruar në një shkallë të lartë përputhshmërinë me ligjin. Për sa i përket dinamikës së zhvillimit të tregut, me një fjalë mund ta karakterizoj si në stabilitet tregun e sigurimeve, pasi ka kaluar disa turbulenca financiare me prime nën risk gjatë vitit 2013, që kishin rrënuar financat e shoqërive dhe kishin krijuar probleme të mëdha me mospagesën e dëmeve.

Si paraqitet tregu i sigurimeve sot, si është ecuria e primeve dhe e dëmeve të paguara?
Nga pikëpamja e madhë- sisë dhe kontributit për frymë, tregu i sigurimeve është nën potencialin e mundësisë dhe stadit të zhvillimit krahasuar me tregjet e tjera financiare e në krahasim me tregun e sigurimeve në vendet e rajonit dhe shumë larg tregjeve të BE-së. Për të krijuar një ide, primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-qershor 2015 kapën vlerën rreth 6 miliardë e 427 milionë lekë, rreth 50 milionë dollarë, por pozitiv është fakti se ritmi i rritjes është 21 për qind krahasuar me vitin e kaluar, çka nënkupton një treg që gjeneron prime në kufijtë e 100- 120 milionë dollarë në vit. Problematika kryesore për zgjidhje e tregut janë dëmet e paguara dhe zgjidhja e kësaj problematike do t’i jepte zhvillim cilësor dhe zgjerim tregut, pasi, si çdo treg financiar, edhe ky është një treg besimi dhe duhet të ndryshojë filozofia e sigurimit si detyrim në funksion të sigurimeve vullnetare dhe garantimit të risqeve të së ardhmes, të cilat janë të pashmangshme dhe ndaj duhet të sigurohen përgjegjësitë. Për sa u përket shifrave, pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-qershor 2015 janë rritur me 12.60% krahasuar me periudhën janar-qershor 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,049 milionë lekë, apo 71.79% të totalit të dëmeve të paguara bruto. AMF po monitoron vazhdimisht shoqëritë dhe Byronë Shqiptare të Sigurimit mbi pagesën e dëmeve të periudhës së shkuar dhe aktuale për të përmirësuar raportin dëme/prime brenda standardeve ligjore. Ishin rreth 1.2 miliardë lekë dëme të viteve të shkuara të prapambetura e të papaguara dhe që, sipas vendimeve të Bordit të AMF-së, kanë filluar të paguhen që nga viti 2014, vazhdojnë këtë vit dhe duhet të përfundojnë deri vitin e ardhshëm. Rritja e dëmeve të paguara është një nga reformat e propozuara nga Bordi i AMF-së dhe që, së bashku me hartimin e një dokumenti të zhvillimit strategjik të sektorit, synojnë të hedhin themelet për zhvillimin e tregut për të paktën 5 vitet e ardhshme.

Ju përmendni reforma në treg, çfarë nënkupton dhe cilat do të jenë rezultatet për të siguruarit dhe si do të ndryshojnë politikat e zhvillimit të sektorit dhe detyrimet e shoqërive të sigurimit?
Tregu i sigurimeve do të përfshihet në një reformë të thellë kryesisht për sa u përket sigurimeve të detyrueshme në sektorin e transportit, ku përfshihen: sigurimin e pasagjerëve, pronarit ose të përdoruesit të mjetit motorik, avionit, si dhe përdoruesit të mjetit lundrues. Ka qenë një nga angazhimet e mia primare reforma në tregun e sigurimeve të detyrueshme me dy qëllime kryesore; rritjen e dëmshpërblimit për personat e siguruar dhe rritjen e madhësisë së tregut, që do të siguronte stabilitetin financiar, dhe shërbim më të mirë për të siguruarit. Për këtë arsye, me nxitjen e Kuvendit nëpërmjet vendosjes së afatit në muajin shtator për ndryshimin e ligjit, është draftuar versioni i parë i ligjit, i cili do të diskutohet me palët e interesuara dhe më pas do të ndjekë rrugën e diskutimit dhe miratimit në Kuvend. Ndryshimi kryesor do të lidhet me detyrimin e të gjitha shoqërive të sigurimit për të zbatuar sistemin “Bonus-Malus”, i cili mundëson përcaktimin e primit minimal të sigurimit sipas historikut të dëmit të të siguruarve. Ky sistem pritet të sjellë diferencime të rëndësishme mes të siguruarve në kuptimin që personat që kanë një historik të mirë dhe nuk kanë regjistruar asnjë aksident ose pak aksidente, do të paguajnë më pak për sigurimin e mjetit motorik dhe anasjelltas. Personat që kanë histori aksidentesh me pasoja financiare për shoqëritë e sigurimit, do të paguajnë më shumë. Sistemi aktual i primeve i penalizon të gjithë policëmbajtësit njëlloj me të njëjtin nivel primi dhe për këtë arsye dizenjimi i një sistemi të ri e modern mbi bazën e klasave do të jetë në objektivin e politikave të bordit të AMF-së.

Çfarë parashikon sistemi “Bonus-Malus” për shoqëritë e sigurimit dhe të siguruarit? Si mund ta shpjegojmë në një gjuhë sa më të thjeshtë për lexuesin këtë sistem me avantazhet dhe disavantazhet e tij?
Përpjekjet për një sistem “të drejtë” për sigurimin e detyrueshëm janë të hershme (nga Bichsel dhe Bühlmann që në vitin 1964), dhe të bazuara mbi frymën e caktimit të një primi optimal për çdo të siguruar. Ka disa autorë që kanë dizenjuar sisteme të ndryshme të sigurimit “Bonus-Malus”, kryesisht mbi funksionin e dëmeve të kaluara, llogaritjen e një primi optimal dhe ndarjen në klasa sipas karakteristikave të policëmbajtësit. Sistemi mund të mbështetet vetëm në një kolonë, dëmet në të shkuarën (postariori), ose në dy kolona, posteriori dhe apriori (prognozën e dëmeve në të ardhmen, si mosha e drejtuesit të mjetit, eksperienca në drejtim, lloji i mjetit, vendbanimi etj). Por kusht i domosdoshëm dhe i panegociueshëm për Bordin e AMF-së është që sistemi duhet të zbatohet nga të gjitha shoqëritë e sigurimit, pasi mjafton njëra të shesë jashtë këtij sistemi, atëherë ai kthehet jofunksional, sepse të gjithë ata që kanë histori me aksidente, do t’i drejtoheshin kësaj shoqërie. Për këtë arsye është propozuar që sistemi të jetë i detyrueshëm me ligj. Nëse një nga shoqëritë nuk do ta zbatojë, amendimi ligjor i propozuar është i qartë dhe pa ekuivok, AMF-ja do t’i revokojë licencën për pjesën e veprimtarisë së sigurimit të detyrueshëm. Ky sistem përbën dhe kërkon një reformë të plotë të informacionit për të siguruarin, me qëllim evidentimin e shkallëve për çdo të siguruar mbështetur në historinë e dëmit të tij (për shembull, siguracioni mund të ulet deri në 50% të primit, nëse nuk ke shkaktuar asnjë aksident, ose të rritet deri në 250%, nëse ke historik të rënduar aksidentesh). AMF-ja u ka paraprirë ndryshimeve ligjore me nxjerrjen e një udhëzimi nga ekzekutivi i institucionit mbi mënyrën e zbatimit të sistemit “Bonus-Malus”, me ngritjen e qendrës kombëtare të të dhënave të sigurimit të detyrueshëm motorik, me marrjen dhe përpunimin e informacionit nga shoqëritë e sigurimit mbi dëmet dhe shkaktarët e dëmit, me lidhjen e marrëveshjeve me institucionet e tjera publike, si ato të shërbimeve të transportit dhe të gjendjes civile.

Cilat janë ndryshimet e tjera ligjore që prekin shoqëritë e sigurimit dhe të siguruarit që drejtojnë mjetet motorike?
Ndryshimet e tjera lidhen me shkurtimin e afatit për trajtimin e kërkesës për dëmshpërblim nga 90 në 60 ditë dhe një rregullim ligjor për mënyrën e trajtimit të mosmarrëveshjeve mes shoqërive të sigurimit dhe përfituesve të dëmshpërblimit, duke saktësuar se paditë ngrihen pas përfundimit të ankimimit administrativ. Paditë parashikohen si në rastet kur siguruesi nuk i përgjigjet palës përfituese të dëmshpërblimit brenda afatit 60-ditor, ashtu dhe në rastet kur ka mosmarrëveshje për sa i përket masës së dëmshpërblimit. Ndërkohë që për dëme pasurore, kur shkalla e dëmtimit është e vogël, deri në 200 mijë lekë, afati për shoqërinë e sigurimit për trajtimin e dëmit është jo më shumë se 14 ditë. Gjithashtu saktësohet forma e pagesës në llogarinë bankare të përfituesit, duke rritur shkallën e formalizimit dhe garancitë e një trajtimi profesional dhe korrekt të dëmit. Me anë të draftit synohet të shmangen edhe disa nga abuzimet në ndarjen e dëmshpërblimeve mes të dëmtuarve (përfituesve realë) të dëmit dhe mbrojtësve ligjorë, pasi në shumë raste këta të fundit kanë përfituar edhe më shumë se të dëmtuarit, për shkak të asimetrisë në njohjen e ligjit. Keni parasysh një person të dëmtuar nga një aksident, të tronditur nga ana biologjike, morale dhe ekzistenciale, i cili duhet të mbrohet maksimalisht nga ligji përballë shoqërive të sigurimit, por edhe avokatëve të tij. Amendimet ligjore parashikojnë një limit për mbrojtësin ligjor të të dëmtuarit jo më shumë se 5% (si komision) të dëmshpërblimit të përfituar nga i dëmtuari.

Drafti parashikon edhe ngritjen e qendrës së informacionit. Si do të funksionojë kjo qendër dhe kush do të mund të aksesojë të dhënat për historikun e dëmeve?
Qendra e informacionit do të funksionojë pak a shumë si për kreditë në sistemit bankar, ku në një sistem që operon pranë Bankës së Shqipërisë kanë akses të gjitha bankat e nivelit të dytë për të marrë informacion mbi historikun e kredisë për çdo kredimarrës, vonesat ose jo në pagesë, kredi të pashlyera apo informacione të tjera rreth pasurisë, biznesit etj. Sipas amendimeve ligjore, qendra e informacionit i mundëson palës së dëmtuar të dhëna për emrin dhe adresën e pronarit të mjetit motorik shkaktar të dëmit. Si rregull, qendra do të funksionojë pranë AMF-së dhe do t’u shërbejë shoqërive të sigurimit dhe institucioneve përgjegjëse për regjistrimin e mjetit. Ndryshimet ligjore parashikojnë që e drejta për të marrë informacion nga pala e dëmtuar është e vlefshme edhe 7 vite pas ndodhjes së aksidentit. Në konkluzion do të theksoja se ndryshimet dhe reforma e tregut synojnë të ndërtojnë një sistem më të ndershëm mes primit dhe rrezikut për çdo policëmbajtës, si dhe të rrisin kujdesin e sigurinë në rrugë, pasi drejtuesit e mjeteve, përveç ndëshkimit nga Kodi Rrugor me pikë në patentë për kundravajtje, do të duhet të paguajnë edhe më shumë siguracione kur shkaktojnë aksidente, duke marrë parasysh numrin e aksidenteve dhe dëmin e shkaktuar.

REDI GJUZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura