Meha dëmtohet në gju, alarm te Kombëtarja

Jul 31, 2014 | 12:57
SHPËRNDAJE

Goditje e rëndë për Paderbornin, por edhe për Kombë- taren shqiptare. Të paktën për momentin lajmet rreth shëndetit të Alban Mehës nuk janë aspak pozitive.
Mesfushori kuqezi ka pësuar një dëmtim gjatë stërvitjes me skuadrën e tij në Tirol të Austrisë, aty ku Paderborni po zhvillon fazën përgatitore. Sipas uebsajtit zyrtar të klubit, por edhe mediave prestigjioze gjermane, si për shembull kicker.de, dyshohet se Meha ka këputur pjesërisht meniskun anësor të gjurit të djathtë. Kjo ishte diagnoza që i përcaktuan mjekët, menjëherë pasi lojtari bëri një rezonancë të parë manjetike. Për të qartësuar edhe më shumë këtë dëmtim, klubi do t’i bëjë ekzaminime të tjera, para se të vendoset mbi shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit. “Nuk e dimë ende se sa serioz është ky dëmtim. Mjekët tanë do të bëjnë disa ekzaminime të tjera dhe së shpejti do dalin në konkluzione. Të shpresojmë që nuk do duhet të shkohet drejt një operacioni, pasi në pamje të parë duket sikur dëmtimi nuk është aq shumë shqetësues”, ka thënë dje për mediat drejtori Sportiv i Paderbornit, Majkëll Born. Në rast se dëmtimi do të rezultojë problematik, atëherë Meha do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni, nga ku më pas do duhen minimalisht 3-4 muaj (varet nga diagnoza) para se ai të kthehet në fushë. Kjo do të thotë që Meha nuk do jetë pjesë e Kombëtares për të paktën tri ndeshjet kualifikuese zyrtare, ndaj Portugalisë, Danimarkës dhe Serbisë, si dhe në miqësoren e 14 nëntorit ndaj Francës. Sakaq, nëse dëmtimi nuk rezulton i rëndë, pra nuk do ketë nevojë për operacion, atëherë lojtari me gjasa do të kthehet në stërvitje pas 2-3 javësh. Ndërkohë, kujtojmë se edhe para një viti lojtari pësoi një dëmtim të rëndë. Më 12 maj 2013, Alban Meha dëmtoi meniskun e gjurit të majtë, pas një përplasjeje me një lojtar kundërshtar gjatë ndeshjes Paderborn-Mynih 1860. Fantazisti u operua dhe arriti të rikthehej në kohë rekord, aq sa nisi të luante rregullisht në fund të shtatorit 2013. Më pas, ai erdhi në një formë të shkëlqyer, duke shënuar 12 gola tejet të rëndësishëm për ngjitjen për herë të parë në gjithë historinë e Paderbornit në elitën e futbollit gjerman.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura