Media, interesi publik dhe gjethja e fikut

Dec 15, 2017 | 11:10
SHPËRNDAJE

Çapajev-GjokutajÇAPAJEV GJOKUTAJ

Të rastis jo një herë të sho hësh diçka të tillë: Në studion televizive intervistohet një deputet, ministër, Kryeministër a President. Gazetari tregohet këmbëngulës, i rreptë, gati-gati i pasjellshëm, në kufijtë e arrogancës. Kur politikani ia vë në dukje këtë, gazetari ia kthen se ushtron të drejtën e vet, është përfaqësues i interesit publik. Kush e përfaqëson publikun? Politikani që është votuar nga disa mijëra votues, – thënë ndryshe disa mijëra qytetarë i kanë deleguar të drejtën t’i përfaqësojë -, apo gazetari që kërkush nuk e ka votuar?

Ky shpërpjesëtim bëhet shumë më i thellë në rast ministrash të lartë që, veç votës së qytetarëve kanë edhe votën e shumicës së Parlamentit. Në fakt, kjo çështje është e ngatërruar edhe në demokraci të konsoliduara. Çështjet e diskutueshme nisin nga rrafshi teorik e parimor dhe mbarojnë në rrafshin praktik e menaxherial. Diskutohet, p.sh., a ka një publik apo disa të tillë, ç’është interesi publik dhe si përcaktohet ai. Kjo e fundit bëhet edhe më problemore ngaqë interesi publik nuk është gjithnjë ajo për të cilën publiku shfaq interes.

Zakonisht publiku i gjerë interesohet për sensacione, jetë VIP-ash, informacione zbavitëse etj. Por këto nuk para kanë lidhje me interesin publik. Probleme që përbëjnë thelbin e tij, të tilla si zhvillimi ekonomik, shërbimet sociale etj., mbeten përgjithësisht të mërzitshme dhe pa interes për shikuesin a lexuesin masiv. Kjo mospërputhje rrit rolin e gazetarisë për të përcaktuar ç’është interesi publik dhe si duhet mbrojtur ai. Duke qenë veprim gati i njëanshëm, bëhet i prekshëm nga shfaqjet e subjektivizmit, madje edhe të keqpërdorimit. Më e saktë është të thuash rritet rreziku i përdorimit të interesit publik si gjethe fiku për të mbuluar interesa korporatash, palësh politike, klanesh mediatike etj.

Kur demokracitë e zhvilluara nuk kanë arritur të përcaktojnë probleme të tilla, merret me mend se ç’mund të ndodhë në një demokraci të re e të dobët si kjo jona. Larg qoftë të thuash se gazetari s’ka të drejtë të kërkojë që politikanët dhe shtetarët të japin llogari e të bëjnë transparencë. Madje do të tingëllonte blasfemi edhe sikur ta shkoje në mend. Të drejtën për të kërkuar llogari e transparencë, për të mbrojtur interesin publik etj. e kanë edhe qytetarët e thjeshtë, jo më gazetarët.

Përvoja dëshmon se gazetarët kanë rol të pazëvendësueshëm për të bërë transparencën e qeverisjes, për të nxjerrë në dritën e diellit politikanë dhe shtetarë abuzivë e të korruptuar, me bëmat dhe gjëmat e tyre. Por media është pushtet. I katërti thonë. Dhe si çdo pushtet, duhet të jetë i balancuar dhe i kontrolluar. Ndryshe, ne si publik nuk dallojmë dot përse militojnë gazetarët. Për interesin publik, apo për interesat e bosëve të tyre? Për ego personale, apo për ndonjë tender, leje ndërtimi a gjëkafshë tjetër?

Legjendat urbane flasin për drejtues emisionesh e shefa redaksish që bëjnë shantazh me informacionet e mbledhura nga gazetarët, madje u vënë edhe gjoba të implikuarve. Fjalët janë fjalë dhe në legjendat urbane mbisundon trillimi. Megjithatë, mbeten shumë gjëra për t’u diskutuar. Kjo bëhet e domosdoshme sidomos nga fakti se pushteti i katërt ka shtrembërime në shtyllën kurrizore apo në gjymtyrë. Shtrembërime strukturore, që priren ta bëjnë rakitik dhe të paaftë për t’i shërbyer interesit publik.

Fjala vjen, mediat tona kanë probleme të pronësisë: jo rrallë kanë pronësi aksionere në letër dhe individuale në realitet. Burimet e financimit mbeten okulte ose nuk vijnë nga shitja e produktit mediatik. Pronari i vetëm heq një pjesë fitimesh nga biznese të tjera dhe i hedh për të financuar televizionin a gazetën e vet. Jo për bamirësi në dobi të kulturës, as për të dëshmuar status, por për të ndikuar në ndarjen e tenderave, koncesioneve dhe shërbimesh të tjera që parapaguhen nga qeveria, natyrisht me paret e taksapaguesve.

Mundësia për ta përdorur median si kobure për të shantazhuar administratën e për të ndikuar tregun bëhet më shqetësuese në kushtet kur raportet mes pronarit të vetëm dhe redaksisë mbeten informate dhe okulte. Po të zbresësh akoma më poshtë në shtrembërimet rakitike që ka media si pushtet i katërt do të dallosh edhe “vogëlsi” që lidhen me statusin e gazetarit.

Jo pak prej tyre punojnë në të zezë e të kujtojnë argatin që rri lepe-peqe përpara pronarit e përpara shefit. Këto dhe shtrembërime të tjera bëhen edhe më vepruese e më dëmprurëse ngaqë ligjërimi ynë publik rrallë, fare rrallë, flet konkretisht për shkeljet që bëjnë gazetarët dhe sidomos shefat e pronarët e mediave. Ngjan se ka një marrëveshje xhentëlmenësh, të padiskutuar e të panënshkruar, që i ndalon mediat të bëjnë oponencën e njëra-tjetrës.

Kjo marrëveshje kthehet gati-gati në tabu, kur është fjala për interesa biznesi të njërit apo tjetrit pronar mediash. Mund të dalë dikush e të thotë se nuk duhen ngatërruar përparësitë. Politika dhe shteti kanë kusure shumë më të mëdha se media. Ndaj duhet të përkrahim të keqen më të vogël. Kjo taktikë do të ishte frytdhënëse për një mendësi kaçakësh, shumë-shumë për një betejë guerile, por jo për një luftë totale, siç është ndërtimi i një shoqërie demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura