“Më thirri Çuli dhe Basha, s’do ketë kulla, as ndërtime të reja”/ Robert Ndrenika flet për Teatrin: Pashë projektin, u kënaqa

Jul 23, 2020 | 9:38
SHPËRNDAJE
Aktori Robert Ndrenika
Aktori Robert Ndrenika

Bashkia e Tiranës, me sa duket, ka një projekt për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Lajmin e bën me dije aktori Robert Ndrenika në një prononcim për “News24”, ku tregon se si regjisori Altin Basha dhe Drejtori i Teatrit, Hervin Çuli, si pjesë e komisionit të krijuar për vlerësimin e projektit, e kanë thirrur edhe aktorin për të pasur një mendim të tijin.

Ndonëse në 18 maj (një ditë pas shembjes së godinave) kreu i bashkisë, Veliaj, bëri përmes video-animacionit një riprezantim të tenderave të projektit të teatrit të ri, pas atij të Kryeministrit Rama në shkurt të 2018-ës, ku qe i pranishëm dhe vetë aktori, publiku i gjerë është ende në pritje të informacioneve dhe detajeve të mëtejshme.

Nuk dihet se përse projekti i përmendur i tregohet në veçanti vetëm aktorit, në një kohë që për të është bërë një protestë dyvjeçare nga dhjetëra artistë (pjesë e të cilit në fillime qe edhe Ndrenika), si dhe ka ngjallur interesin e ekspertëve të trashëgimisë, arkitektëve, elitës intelektuale në vend etj.. A është thirrur ai në cilësinë e artistit, të cilit vetë Veliaj i premtoi se nuk do të prekej asnjë centimetër truall, si qytetar, apo në cilësinë e anëtarit të Këshillit Artistik Bashkiak, të rizgjedhur rishtazi?

Ndonëse për vlerësimin e një projekti duhet një zë teknik, Ndrenika konfirmoi se është shumë i kënaqur prej tij dhe se në të janë marrë parasysh vërejtjet e bëra nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

DEKLARATA E PLOTË E NDRENIKËS:

“Falënderim! Dje më thirrën regjisori Altin Basha, drejtori i teatrit, Hervin Çuli, dhe inxhinier Bejleri, në një zyrë arkitekture dhe pashë skicat dhe projektin e ndërtimit të teatrit të ri. U kënaqa shumë. Me këtë rast dua të bëj një falënderim, dua të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe Partinë Demokratike, sepse gjatë gjithë kohës që unë pashë këto skica si edhe projektin e teatrit të ri, pata parasysh vërejtjet dhe sugjerimet që kanë bërë Aleanca dhe PD-ja, duke dashur që në projekt të jenë të pasqyruara të gjitha vërejtjet e tyre për teatrin. Të gjitha këto vërejtje i gjeta të rregulluara në projektin e teatrit të ri. Për shembull, në të gjithë territorin e teatrit, në asnjë centimetër të tij, nuk do të ketë ndërtime të tjera dhe as kulla. I gjeta të pasqyruara në atë projekt të gjitha kërkesat e tyre përveç njërës ‘që teatri do bëhet, aty ku ishte, por do bëhet shumë herë më i mirë nga sa ishte’. Teatri i ri do të jetë me kushte bashkëkohore si shumë teatro europianë”, është shprehur Ndrenika.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura