Me shpejtësi deri në 182 km/h, policia monitorim me makinat inteligjente dhe radarët automatikë. Ja apeli për drejtuesit e mjeteve

Oct 1, 2022 | 23:35
SHPËRNDAJE

Në rrugën interurbane Tiranë- Durrës-Tiranë, Policia Rrugore e Tiranës ka konstatuar drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi deri në 182 km/h si dhe me shpejtësi të tjera, tejet të larta që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore nisur dhe nga prezenca e lagështirës në rrugë.

Duke marrë shkas nga shkeljet e konstatuara në akset rrugore dhe nga moti me reshje shiu, Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që të tregojnë kujdes, të reduktojnë shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Drejtuesit e mjeteve dhe të motomjeteve të mos kryejnë parakalime të gabuara, të ruajnë distancën gjatë qarkullimit, të vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe të mos drejtojnë automjetet apo motomjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Në të gjitha akset rrugore kryesore, në qendrat urbane e në akset kryesore rurale, janë prezente shërbimet e Policisë Rrugore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’i ardhur në ndihmë çdo drejtuesi mjeti që mund të ketë probleme.

Të gjitha rrugët nacionale dhe qendrat urbane monitorohen 24/7 nga makinat inteligjente dhe nga radarët automatikë”, thote policia.

© Panorama.al

Te lidhura