“Më nguli thikë mbas shpine!”- Berisha me demokratët quan Bashën ish-kryetar të PD-së: S’kam marrë asnjë vendim për të, kam punuar ta lartësoj! Do mbledhim firma për…

Sep 17, 2021 | 11:00
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Ashtu siç kishte paralajmëruar, ish-kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, organizoi dje mbledhjen e parë të turit të takimeve me mbështetësit pas vendimit të kryedemokratit Basha për ta përjashtuar përkohësisht nga PD.

sali berisha1

Duket se edhe vetë Berisha nuk e kishte pritur që pjesëmarrja të ishte në atë nivel, pasi salla ku organizoi takimin u tejmbush dhe mbështetësit qëndruan jashtë.

Ish-kreu i PD-së, pasi hyri në sallë duke përshëndetur demokratët, teksa nisi fjalën, akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha se në shkelje të çdo rregulloreje të PD-së dhe në shkelje të sakrificave të demokratëve, i nguli atij një thikë pas shpine. Kështu e cilësoi Berisha vendimin e Bashës për ta përjashtuar nga grupi i PD-së.

“Lulzim Basha, pa pyetur asnjë njeri, del dhe komunikon përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, duke u futur një thikë pas shpine të gjitha parimeve, mbi të cilat është ngritur PD.

Partia Demokratike është parti e lirive, e interesit kombëtar, pa diskutim. Kështu janë partitë konservatore, gardiane të interesit kombëtar. U fut një thikë pas shpine, të gjitha forumeve të PD. A e dini ç’bëri?

Ai thirri koordinatorë dhe kryesinë e grupit, që s’kanë fuqi vendimmarrëse, por s’i pyeti fare. I la në dhomë, mbajti deklaratën e turpshme të tij të largimit tim nga Grupi Parlamentar e më pas ua tha atyre. Ai ju futi thikën tjetër juve, anëtarëve të PD-së, vullnetit tuaj, të shprehur në statutin e partisë, në delegatët, në forumet e partisë.

Ky i asgjësoi të gjitha. Miqtë e mi, ja ku jemi, por tani vëreni veten në pozitat e dy zgjedhësve, jo anëtarë të PD-së, njëri prej tyre ka votuar PS e tjetri PD.

Çfarë do t’i thotë ky i PS atij që ka votuar PD, do t’i thotë që këta të tutë janë më keq se të mitë, se këta i fusin thikën njëri-tjetrit, janë njerëz pa ligj e moral. Ai që ju votuat si Kryeministër, nuk respekton asgjë”, tha Berisha.

AKUZAT PËR VENDIMMARRJET

Në vijim të fjalës së tij, lideri historik u ndal tek akuzat që në korridoret politike ngrihen për të se ndikonte në vendimmarrjet e Bashës. Berisha i mohoi ato dhe sqaroi se në disa raste ka qenë kundër vendimeve ekstreme të Bashës.

Ndërkohë, tha se kishte punuar për të lartësuar figurën e Bashës si lider deri në momentin kur e kuptoi se Basha nuk mund të ngjiste më në publik si një lider i thyer.

Personalisht, ju garantoj, që po të hapim llogaritë, vendimet e mia kanë qenë këto, kam bërë gjithçka që këto zgjedhje të mos bojkotoheshin, sepse ne ishim në rrugë. Ditën që ka vendosur për mandatet, i kam thënë që ky është problem i rrezikshëm. Kam ndërhyrë sepse bëri skemën që pasi bojkotoi, ju tha që zini derën e socialistëve.

Jo, kjo s’bëhet. Ai thoshte s’do të ketë zgjedhje, e unë i thashë që zgjedhjet do të bëhen. Si përfundim i them kjo nuk bëhet sepse do të vriten njerëz. Asgjë nuk i është diktuar atij, vendimet i ka marrë vetë”, vijoi Berisha.

PLATFORMA PËR LARGIMIN E BASHËS

Teksa kërkoi ndjesë para demokratëve për mbështetjen që i ka dhënë Bashës, Berisha tregoi procesin që do të ndjekë për shkarkimin e Lulzim Bashës nga PD.

Hapi i parë, sipas Berishës, është takimi me demokratët, më pas do të mblidhen firmat nga delegatët dhe më pas Kuvendi Kombëtar do hedhë në votë vendimin e Bashës.

“Si do ta shpëtojmë ne PD? Me vullnetin tuaj. Ne, do të zhvillojmë foltoret, debatin për të njohur të vërtetat në të gjithë Shqipërinë. Do t’i japim zërin që meriton, vendit që meriton anëtarit tonë, të cilit Lulzim Basha iu dhunuan parimet që ai ka besuar, sakrifikuar, forumet që ai ka votuar, statuti, kontrata e tij me PD. Çfarë synon kjo foltore? Së pari, ndërgjegjësimin e çdo demokrati për situatën e krijuar, vjeljen e mendimit dhe qëndrimit të tij. Së dyti, do mblidhen firmat e 1500 delegatëve të Kuvendit Kombëtar.

Pas mbledhjes së këtyre firmave, ne do thërrasim Kuvendin Kombëtar, që është forumi më i madh i partisë.

Ne çdo gjë do ta zgjidhim në mënyrën më demokratike. Ne do t’i kërkojmë Kuvendit Kombëtar që për vendimin të shprehet çdo anëtar i PD-së me referendum në mbarë Shqipërinë. Do t’ju thosha mos votoni kurrë humbës, me motivin që është më i mirë se ai. Humbësi në fitore nuk të çon. Të mos bëhet më ky gabim”, tha Berisha. Një mesazh të koduar ish-kryedemokrati e pati edhe për kryediplomaten Yuri Kim.

“E ardhmja për guximtarët quhet idealja. Ndaj dhe ne zotohemi këtu që në përpjekjen tonë, do të çlirojmë Shqipërinë nga fantazma e komunizmit, e bllokmenëve, nga fantazma e mafies, e krimit dhe e korrupsionit që po gërryen çdo ditë këtë vend. Por edhe nga fantazma e Sorosit, i cili është një armik i qendrës së djathtë dhe i së djathtës shqiptare”, tha Berisha.

Mesazhi i ish-kryedemokratit për deputetët që mbështesin Bashën

Vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar, përveç militantëve, duket se nuk e përkrahin edhe deputetë dhe ish-deputetë të Partisë Demokratike.

Në takimin e parë me demokratët ditën e djeshme ishin të pranishëm deputetët Flamur Noka, Tritan Shehu, Edi Paloka, Isuf Çela si dhe ish-deputetët Liljana Elmazi, Arbiola halimi, Aldo Bumçi, ish-sekretari për çështjet ligjore, por edhe anëtari i kryesisë, Gent Strazimiri.

Ndërsa ish-kryedemokrati Berisha iu kërkoi deputetëve që të mos pranojnë shkeljen e statutit edhe nëse janë pro përjashtimit të tij.

“Dy fjalë do t’u them miqve të mi në Këshillin Kombëtar. Secili prej jush ka të drejtë që Berisha të përjashtohet, mos ia lejoni vetes kurrë që ai ka të drejtë të dhunojë statutin, kurrë të mos detyrohet, mos e bëni një gjë të tillë. Kjo parti, sot, ka një korpus prej 600 e ca mijë njerëzish. Kjo parti ka më shumë vota se të gjitha të tjerat. Ka heronjtë e saj. Njeriu, para se të marrë një vendim që s’mund të merret kurrë, jep dorëheqjen. Sepse kurrë një i huaj, s’mund të thotë ty që shkelmo në forumet që ke, statutin që ke, por nëse ti ke presion kaq të madh, të thoshte që më duhen 5 ditë kohë sa të mbledh këshillin. Problemi është që ai nuk do të fitonte dhe duhej të jepte dorëheqjen dhe atë s’e jep dot”, u shpreh ish-Kryeministri Berisha.

DEPUTETËT DHE ISH DEPUTETËT NË TAKIM

Edi Paloka

Flamur Noka

Tritan Shehu

Isuf Çela

Bujar Nishani

Çlirim Gjata

Klevis Balliu

Gent Strazimiri

Aldo Bumçi

Astrit Veliaj

Anton Frroku

Keltis Kruja

Albina Deda

Liljana Elmazi

Arbjola Halimi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura