“Më morën në telefon”- Plani për ekzekutimin e tij, flet deputeti i PDK: Policia më tha se jam i rrezikuar, nuk më ofruan mbrojtje

Sep 20, 2022 | 16:22
SHPËRNDAJE

Xhavit Haliti është një prej personave që ishte planifikuar të vritej në vitin 2021 bashkë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Ismet Haxhën.

xhavit_haliti1558944015-735x400-1

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka folur në lidhje me planin që ishte thurur për ekzekutimin e tij dhe dy politikanëve të tjerë, për të krijuar destabilitet në vend ashtu siç rezultoi një ditë më parë nga informacionet e publikuara në media.

Ai është shprehur në Euronews Albania se nuk ka përfituar asnjë mbrojtje nga institucionet ndërsa shtoi se ka pasur dijeni se ka qenë i rrezikuar por nuk ishte në dijeni të detajeve.

“Detajet që janë përshkruar në ato dokumente unë nuk i kam ditur, sepse me siguri kanë qenë sekret i Policisë së Shtetit. Unë kam pasur informacion që po përgatitet diçka, që jam i rrezikuar, informacionin ma ka dhënë Policia e Kosovës. Nuk i kam ditur detajet, kush është, çfarë qëllimesh kanë, se kam ditur edhe për dy të tjerët të cilët e kishin bërë planin.

Policia më ka kontaktuar në telefon, ditën e parë nuk kam dalë në takim sepse kam qenë në Pejë. Kur kam ardhur këtu, kanë ardhur dy oficerë, nuk e di të kujt dikaster, më kanë njoftuar se kemi informacione se po përgatitet diçka kundër jush, jeni të rrezikuar. Për mua ka qenë pak si qesharake, sepse nëse dikush të afrohet, nuk ke kohë për të lajmëruar askënd. Kaq kam ditur. Nuk më kanë ofruar mbrojtje dhe nuk më kanë thënë a ke nevojë”, sipas tij.

Ndër të tjera, Haliti tregoi se kush mund qëndrojë pas planit për eliminimin e tij, duke deklaruar se kjo mund të bëhej për të krijuar një situatë kaotike në Kosovë.

“Mendoj që është një plan i ngjashëm me atë projektin që e kanë bërë atëherë kundër lëvizjes në Perëndim, kundër aktivistëve, edhe për t’i kompromentuar, edhe për t’i goditur,  dhe për të futur një konflikt mes organizatave dhe grupimeve, të cilat realisht nuk ishin së bashku. Më shumë është për të krijuar një situatë kaotike në Kosovë. Megjithatë, nuk jam i sigurt se kush mund të qëndrojë prapa kësaj”, theksoi Haliti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura