Me aksion e propagandë trajnimi i mësuesve?!

Apr 1, 2024 | 7:40
SHPËRNDAJE

NGA QEMAL ÇEJKU Qemal Cejku

Dy gjëra kuptuam nga ky “aksion” i planifikuar në letër dhe i nisur: paska edhe universitete mësuesie, ora e mësimit do të ndryshojë nga mësimi klasik. Po më të rëndësishmen nuk e morëm vesh. A do të ndryshojë kurrikula e “suksesshme”? Lajme që bien në kundërshtim me programin që Ministria e Arsimit ka miratuar; “trajnimi ka filluar me mësuesit me 0-5 vite punë” ndërkohë shihen në proces mësues me 20 vite punë. Thuhet që 2000 (dy mijë) mësues do të trajnohen që vitin e parë, më pas lajmet qeveritare informojnë se 4000 (katër mijë) mësues do të trajnohen, tjetër lajm bën fjalë për 6000 (gjashtë mijë) mësues.

Nuk dihet numri i mësuesve apo janë ngatërruar me patrozhanistët, sepse nuk po na dalin llogaritë. Trajnimi i mësuesve është dhe duhet të jetë një proces i pandalshëm, jo me aksione që në fund do të degradojnë në trajnimin e trajnerëve, të cilët do të bashkëpunojnë me OJF-të për trajnimin e mësuesve. Dy hipoteza nxirren nga lajmet; ose Ministria e Arsimit ka gjetur problemin e madh që Shqipëria doli keq në PISA (mësuesi paska qenë problemi i madh i arsimit shqiptar sipas tyre), ose Ministria e Arsimit po u bën qokë patronazhistëve në prag të zgjedhjeve, duke dhënë certifikata si trajnues të sistemit.

Kjo është një tallje e madhe me mësuesit, pasi atyre u është nëpërkëmbur dinjiteti, nuk kanë një status, bashkëpunim zero me institucionet arsimore, rroga qesharake dhe tallje çdo vit për rritje rrogash, heqjen e rrogës së 13-të, transporti në kaos si për mësuesit edhe për nxënësit. Nuk është faji i mësuesit për kolapsin në sistemin arsimor, por disa faktorë të tjerë që i kemi thënë e stërthënë, jo vetëm ne si ekspertë, por edhe Banka Botërore, UNESCO, UNDP, e të tjera institucione me rëndësi ndërkombëtare dhe donatorë të arsimit.

Arsimin e shkatërruat duke e kthyer në parcelë eksperimentale me lloj-lloj teorish, pa asnjë studim apo pilotim paraprak, si: kurrikull me bazë praktikën, por pa asnjë laborator, tekste të marra nga jashtë për qoka e fitime korruptive, teori e ngarkesë të mësuesve pa kriter, 3 lëndë në 6 orë, letra e shkresa për mësuesit pa iu siguruar asnjë kusht pranë shkollave. Janë të shumta reformat apo nismat që keni bërë keq dhe mbrapsht aq sa me të drejtë mund të parashikojmë (shpresojmë të mos përmbushet parashikimi që ndikimi do jetë shumë i rëndë pas disa vitesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura