Mbyllet sezoni i virozave, 10 000 gjatë gushtit

Aug 31, 2012 | 13:56
SHPËRNDAJE
Spitali i Pediatrisë në Tiranë

Sezoni i virozave të verës tashmë është thuajse i mbyllur. Ndonëse kanë munguar shpërthimet epidemike masive, vetëm për muajin gusht 10 000 persona u janë drejtuar spitaleve të Tiranës për të marrë asistencë mjekësore. Rreth 75% e tyre janë fëmijë, ndërsa pjesa tjetër të rritur. Problemet kryesore kanë qenë helmimet nga ushqimet dhe infeksionet në rrugët e frymëmarrjes. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Ndërkaq, me qindra të sëmurë kronikë i janë drejtuar shërbimit të kardiologjisë për shkak të rëndimit të sëmundjeve të tyre gjatë verës. Për fat të mirë, ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk u evidentuan vatra epidemike nga ndotja e ujit. “Për këtë lloj problematike ka pasur përmirësim të ndjeshëm për Tiranën dhe rrethet. Po kështu, nuk kemi pasur raste të helmimeve masive, të pranishme vitet e kaluara”, sqaruan specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Me uljen e temperaturave, ka rënë fluksi në spitalin “Nënë Tereza”. Bluzat e bardha shprehen se nëse disa javë më parë paraqiteshin mesatarisht 200 fëmijë në pediatri, ditët e fundit kjo shifër nuk ka kapërcyer mbi 100 të vegjël. Edhe në urgjencën e spitalit infektiv, një pjesë e shtretërve gjatë këtyre ditëve kanë qenë bosh. “Gushti shënon fundin e sezonit të helmimeve nga ushqimet. Ka vetëm raste sporadike”, thanë mjekët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura