Mbyllet matura, formula dhe shembulli për llogaritjen e pikëve

Jun 30, 2013 | 9:30
SHPËRNDAJE

Matura i rikthehet formulës së vjetër të llogaritjes së pikëve. Gazeta vë në dispozicion të nxënësve formulën, si dhe një shembull praktik. Këto të dhëna nxënësit do t’i përdorin vetëm pasi të kenë marrë të gjitha notat e provimeve, përfshi edhe ato me zgjedhje.

Sipas MASH, me të mësuar numrin e pikëve që kanë grumbulluar nxënësit, duhet të konsultojnë pikët e fituesit të fundit të shpallura një vit më parë. Ato i gjejnë online në faqen zyrtare të MASH. Duke u bazuar mbi to, maturantët do të krijojnë një ide të përafërt se ku kanë më shumë shanse për të fituar. Të gjithë komponentët e maturës kanë të njëjtën peshë, e cila arrin në 20%. “Formulari A2 do të publikohet pas mesit të korrikut dhe nxënësit do të kenë afat deri më 30 korrik për ta plotësuar. Por, nxënësit duhet të bëjnë kujdes. Sapo të dalin rezultatet, ata duhet të nisin të bëjnë vetë llogaritjen e pikëve”, sqarojnë specialistët e MASH.

FORMULA E PIKËVE
Formula e llogaritjes së pikëve, të cilën duhet ta përdorë çdo maturant, është: ((D1 + D2 + M) x k1 + (T1 + T2) x k2) x 100 = X (në varësi të rezultatit që del). Sipas kësaj formule, M = mesatarja e katër viteve të gjimnazit, D1 = provim i detyruar i Letërsisë, D2 = provim i detyruar i Matematikës, T1 = provimi me zgjedhje 1, T2 = provimi me zgjedhje 2, k1 = koeficienti sipas shkollës së kryer dhe k2 = koeficienti sipas provimeve me zgjedhje. Me këtë formulë nxënësit mësojnë sa pikë kanë përpara se të plotësojnë formularin A2 me anë të të cilit do të zgjedhin preferencat.

PËRJASHTIMI NGA MATURA
Rreth 6000 maturantë pritet që këtë vit të mos bëhen pjesë e garës universitare. Rreth 2500 e dinë me siguri, pasi nuk kanë mundur të kalojnë në provimin e Letërsisë ose në një nga lëndët e gjimnazit. Por, me këtë projeksion minimalisht rreth 1000 për secilën lëndë do të jetë numri i mbetësve për Matematikën dhe lëndët me zgjedhje. Ndërkaq, maturantët e vjetshëm mbartin notat e lëndëve me zgjedhje, të cilat ata vetë i kanë caktuar. E gjithë kjo kategori nxënësish humbet këtë vit të drejtën për të nisur një shkollë të lartë. Ata duhet të rijapin provimet për t’u bërë pjesë e procesit vitin që vjen.
(Lajmin e plote nga Zirina Llambro e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura