Mbi 33 mijë shqiptarë të Kosovës festuan në Shqipëri

Nov 30, 2012 | 16:50
SHPËRNDAJE

PRISHTINE- Mijëra automjete të mbuluara me flamujt kombëtarë, e këngë patriotike, kanë kaluar kufirin për në Shqipëri të mërkurën. Nuk janë të paktë kosovarët të cilët ia mësynë Shqipërisë, në shënim të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Shumë prej tyre kishin planifikuar të shkonin 2 ditë më herët, ndërsa nuk ishin të paktë ata që morën rrugën më 28 Nëntor për të festuar në Vlorë e Tiranë. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, qarkullimi i personave në këto ditë feste për në Shqipëri dhe anasjelltas, ka qenë mbi 60 mijë veta.

“Numri i personave që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë nga data 26.11.2012, është 33 mijë e 959 në dalje të Kosovës për Shqipëri në pikën kufitare në Vermice, ndërsa në hyrje të Republikës së Kosovës është 27 mijë e 902, pra gjithsej në këtë periudhë kohore qarkullimi i njerëzve ka qene 61 mijë e 861 persona”, bën të ditur Zyra e informimit e Policisë së Kosovës.

Ndërsa, sipas tyre, numri i automjeteve në hyrje dhe dalje ka qenë gjithsej 14 mijë e 849 vetura, 350 autobusë dhe 553 automjete komerciale. Zyra e informimit e PK-së nuk pranon se ka pasur kalim të kufirit të njerëzve pa kontroll rutinor në kufi. “Te gjithë personat janë evidencuar në bazë të Ligjit të Kalimit të Kufirit, Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe protokollit për kontrolle hyrje-hyrje me Republikën e Shqipërisë”, thonë zyrtarët e kësaj zyre.

Ndërsa autoritetet në Shqipëri kanë bërë të ditur se vetëm për 24 orë, mes datës 27 dhe 28 nëntor, nga 5 pikat e kalimit kufitar të Kukësit, kanë hyrë në territorin e Shqipërisë më shumë se rreth 10 mijë shtetas kosovarë dhe rreth 5 mijë automjete.

Ndërkohë, sipas tyre, mijëra shqiptarë të Maqedonisë, nga Struga, Ohri, Shkupi, Tetova dhe Gostivari kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Thanës, për të udhëtuar drejt Vlorës. Sipas të dhënave zyrtare në doganën e Qafë -Thanës nga orët e para të mëngjesit së të mërkurës kanë hyrë së paku 4500 shtetas me 1800 mjete nga Maqedonia. Për të përballuar fluksin e lartë në këtë doganë, policia kufitare kishte marrë masa shtesë duke rritur numrin e sporteleve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura