Mbetën në borë, ngrijnë 2 shokët

Feb 26, 2011 | 12:31
SHPËRNDAJE

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, kur Neritan Hasani dhe Stefan Dono, që të dy 18 vjeç, mbetën në dëborë, në malin pranë fshatit Vithkuq. Ndërhyrja e policisë bëri që djemtë të shpëtojnë nga ngrirja në dëborë dhe të ftohtët. Aventura e dy të rinjve, të ardhur nga Tirana, por me origjinë nga fshatrat e zonës së Vithkuqit, ka nisur për qëllime ende të paqarta për grupin e hetimit. Ata janë nisur në orët e mbrëmjes drejt fshatit Katund, po të komunës së Vithkuqit, me qëllim destinacionin përfundimtar në Qytezë të Ersekës. Pasi kanë pirë një kafe në lokalet e qendrës së Vithkuqit, ata kanë nisur udhëtimin në këmbë. Të rinjtë kishin marrë masat e një udhëtimi natën dhe në dëborë në mal, duke mbështjellë këmbët me plastmas. Por gjatë rrugës kanë humbur drejtimin dhe nuk kanë mundur të orientohen më se ku ndodhen. Në kushtet e errësirës, dëborës e temperaturave të ulëta, ata janë detyruar që të japin alarmin.
Kreu i komunës së Vithkuqit u shpreh se dy shokët kanë kërkuar ndihmën e policisë nëpërmjet telefonit. Policia është nisur menjëherë pas sinjalizimit, por për shkak të natës, dëborës e terrenit të thyer, ata mundën të lokalizonin vendndodhjen e tyre vetëm pas 7 orësh kërkime. Njëri prej tyre ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore e gati i ngrirë. Policia bëri të ditur se të rinjtë janë gjetur rreth orës 03:00 dhe se 18-vjeçari Neritan Hasani ndodhej në gjendje të rëndë. Duke parë gjendjen e tyre, policia i dërgoi me urgjencë të dy në spitalin e Korçës. Asnjëri prej djemve nuk pranoi të japë hollësira për arsyen e këtij udhëtimi natën, në dëborë dhe të ftohtë, nga qendra e Vithkuqit, drejt fshatit Katund, e më pas në Qytezë të Ersekës, ku sipas të dhënave nuk jetojnë më shumë se dy familje. Ndonëse pretendimi i një prej të rinjve ka qenë se do të shkonin tek të afërmit në këtë fshat, kjo ende nuk është e qartë për policinë. Dyshohet se të rinjtë që banonin në Tiranë kanë synuar një aventurë për një histori dashurie me një vajzë në këtë zonë. Por, nga ana tjetër, policia nuk përjashtoi edhe mundësinë që ata të kenë synuar trafikimin e lëndëve narkotike dhe kur kanë mbetur në mes të ftohtit e dëborës, janë detyruar të sinjalizojnë policinë duke fshehur provat. Deklarata e tyre ka lënë të dyshohet se kjo iniciativë e rrezikshme për jetën nuk ka qenë thjesht një synim për të shkuar tek të afërmit në një fshat thuajse pa banorë.

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura