Matura shtetërore. Universitetet, datat e shpalljes së fituesve

Aug 31, 2014 | 9:55
SHPËRNDAJE

Nora Malaj
Pas inspektimit të universiteteve dhe vendimit për mbylljen e 18 prej tyre, do të jetë arsimi parauniversitar, që do të përballet me sanksione nga Ministria e Arsimit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zv. ministrja Nora Malaj bën me dije se nga kontrollet e ushtruara është vërejtur fiktivitet dhe abuzivitet në shkollat e mesme private që ofrojnë mësim part-time. “Duke marrë shkas nga treguesit e konstatuar, shprehet Malaj, është gati vendimi i MAS për mbylljen e 13 institucioneve, të cilat në disa raste do të shoqërohen me masa deri në kallëzim penal për drejtuesit”. Fillimin e vitit të ri shkollor e kanë paraprirë edhe kontrollet që janë bërë në të gjithë vendin për mënyrën se si është bërë punësimi i mësuesve. “Do hartohet një raport ku janë bërë mirë dhe ku jo. Aty ku nuk janë bërë në përputhje me kriteret e kërkuara, do të ndërmerren masa deri në pezullim nga detyra”, shprehet Malaj.

Kur nis procesi i regjistrimit në ciklet e sistemit parauniversitar dhe si do të zhvillohet ky proces?
Ka dalë udhëzimi i ministres Nikolla, që u është shpërndarë të gjitha drejtorive rajonale dhe zonale. Në të përcaktohen direktivat për të filluar me regjistrimin e të gjithë nxënësve. Regjistrimi fillon me shkollat profesionale. Jemi duke koordinuar punën me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të orientuar drejt arsimit profesional edhe nxënësit me rezultate të mira. Më datë 1 shtator fillon procesi i regjistrimit. Nga Ministria e Arsimit është bërë një ndarje sipas rajoneve, që do të thotë të gjitha drejtoritë e shkollave kanë marrë hartën e ndarjes së tyre territoriale, ku nxënësit mund të regjistrohen. Bëhet fjalë jo vetëm për nxënësit autoktonë, por edhe ata që janë të ardhur. Pjesa më e madhe e tyre duhet të pajisen me certifikatën e lindjes dhe me një formular që përcakton vendbanimin. Do shikohet edhe cilësia, në mënyrë që të ketë një koordinim më të mirë të konkurrencës jo vetëm brenda shkollës, por edhe klasave.

Kur mbyllet kjo fazë?
Mbyllet me fillimin e vitit shkollor. Pra, do të zgjasë dy javë. Më datë 10 do të raportohet nga drejtoritë mbi nivelin apo cilësinë. Sepse në këtë mënyrë bëhet planifikimi i mësuesve, orëve, procesit të mësimit.

Çfarë pritet të ndodhë me mësuesit, duke qenë se edhe ministrja Nikolla tha se ata të cilët rezultojnë dy herë mbetës në testin e kualifikimit, dalin nga sistemi?
Është bërë taksative që mësuesit, të cilët nuk marrin 2 herë provimet e kualifikimit, dalin nga sistemi. Dhe kjo bëhet jo për t’i trembur, por për efektin për t’i vënë ata në punë. Një ndër hallkat më të dobëta të sistemit të arsimit parauniversitar është kualifikimi dhe standardi i mësuesit. Sapo kemi dërguar një ekip kontrolli në gjithë Republikën e Shqipërisë për të parë rekrutimet që janë bërë gjatë gjithë këtij viti. Do hartohet një raport, ku janë bërë mirë dhe ku jo. Aty ku nuk janë bërë në përputhje me kriteret e kërkuara do të ndërmerren masa deri në pezullim nga detyra. Sigurisht që do të vijojë të bëhet një kontroll më specifik dhe më i veçantë i përcaktuar në të gjithë sistemin e arsimit para universitar, me fokus edhe tek arsimi privat. Do t’i shohim me shumë rigorozitet, në mënyrë që viti i ri akademik të jetë me standard të përcaktuar. Njëkohësisht jemi në fazën që do të marrim vendim për mbylljen e pothuajse të gjithë sistemit privat parauniversitar me kohë të pjesshme. Nga verifikimet e kryera na ka rezultuar jo real, me fiktivitet dhe abuzivitet shumë të madh. Ne jemi në fazën e vendimit, kemi kryer të gjitha kontrollet me dokumentacionet dhe të gjitha këto institucione do të mbyllen pasi rezultojnë jo të vlefshme dhe abuzive. Për raste të veçanta do të ndërmerren edhe masa deri në kallëzime penale.

Sa është numri i gjimnazeve private me kohë të pjesshme që do të mbyllen?
Janë 13 institucione të arsimit në të gjithë vendin, në të cilin janë regjistruar një numër i konsiderueshëm nxënësish.

Për sa nxënës bëhet fjalë, që preken nga kjo vendimmarrje e Ministrisë së Arsimit?
Vetëm një shkollë presupozohej që kishte 1500 nxënës. Fiktivisht janë këta emra, pasi në disa raste ato nuk ekzistojnë, ndërsa në pjesën më të madhe janë emigrantë, që për një arsye apo një tjetër nuk kanë kryer arsimin e mesëm.

Si do të veprohet me këta të rinj, që rezultojnë të regjistruar në këto institucione?
Neve na ka rezultuar që këto janë shkolla fiktive. Megjithatë, rast pas rasti, të gjithë këta nxënës do të shkojnë pranë institucioneve të arsimit të mesëm publik.

Përmendet pak më sipër se ka nisur një kontroll nga ana e Ministrisë së Arsimit për mësuesit, mënyrën e rekrutimit të tyre. Kur ka nisur ky kontroll dhe kur pritet dalja e raportit?
Inspektimi ka nisur më datë 25 gusht, që përkon me fillimin e javës dhe ka përfunduar më datë 29 gusht. Detyrimin për realizimin e këtij kontrolli e ka Ministria e Arsimit me Inspektoratin e Arsimit Kombëtar. Për një javë përpunohet raporti dhe Inspektorati do të nxjerrë pikat e forta dhe pikat e dobëta, si dhe mënyrën se si do të menaxhohen. Dhe, mbi bazën e këtij raporti, ne do të bëjmë vlerësimin konkret duke bërë monitorimin apo vëzhgimin e rekrutimit të standardizuar. Në rastet kur nuk ka standardizim, do të ndërmerren masa për mësuesit dhe titullarët, të cilët nuk kanë realizuar me rigorozitet vendimmarrjen dhe ligjin. Njëkohësisht në këtë periudhë do të fillojmë një analizë në të gjitha qarqet nëpër drejtoritë rajonale dhe zonale për maturën shtetërore. Në mënyrë që të nxjerrim disa nga pikat reale sipas çdo rrethi, ku ka çaluar dhe çfarë duhet bërë për përmirësimin e mëtejshëm. Për vitin e ri shkollor, prioritet i sistemit të arsimit parauniversitar do të jetë alterteksti, matura shtetërore, standardi i procesit të mësimdhënies, gjithashtu programi pilot për të parë qasjen e re të kurrikulës, kualifikimi i mësuesve, metodologjia bashkëkohore.

Duke mbetur te të rinjtë që diplomohen për mësuesi, do të aplikohen kritere të reja për punësimin e tyre?
Si fillim dua të sqaroj se ministrat dhe zv.minitrat janë pjesë e hartimit të politikave. Rekrutimet e mësuesve i bëjnë titullarët e drejtorive mësimore në bashkëpunim me grupin e punës, që ndërtohet me përfaqësues nga Ministria e Arsimit, përfaqësues nga Drejtoria Arsimore, përfaqësues nga Inspektorati i Arsimit, përfaqësues nga komuniteti i prindërve dhe komuniteti i shkollës. Dhe, pasi mblidhen të gjithë bashkë, do të ndiqet kjo procedurë. Në fillim, drejtoritë rajonale dhe zonale kanë për detyrë të bëjnë me dije të gjitha vendet e punës vakante për ata që dalin në pension, ata që nuk kanë arsimin e duhur, apo që nuk kanë dhënë rezultate. Pasi bëhen vendet e punës me dije dhe raportohen në Ministrinë e Arsimit, kjo e fundit thjesht monitoron veprimet e tyre. Ato shfaqen online në faqen e DAR/ZA. Çdokush që ka kualifikimin e duhur, mund të aplikojë. Ata do të kalojnë nëpërmjet këtyre komisioneve të ngritura në të gjithë vendin. Dua të theksoj se mësues do të bëhet ai që njihet nga komuniteti, boll më me njerëz të panjohur. E dyta që ka dhënë kontribute në atë komunitet dhe, e treta, që ka aftësi komunikuese dhe etike pastaj profesionale. Dhe e katërta, pasi zë këtë vend pune, është në periudhë prove. Pasi mbaron kjo periudhë, titullari i shkollës bën vlerësimin përkatës.

Lidhur me reformën e altertekstit, çfarë ndryshoi këtë vit? Shpërndarja e teksteve ka filluar qysh më drën e saj. Është bërë marrëveshja me shtëpitë botuese. Përzgjedhja e teksteve këtë vit është bërë nga mësuesit dhe jo nga drejtorët, sikundër vitet e shkuara. Janë 135 tekste, tituj që kemi hequr nga qarkullimi. Sapo kemi realizuar edhe draft-projektligjin e ri për altertekstin, që të mos kemi tekste pa limit, por mendohet që të shkojë maksimumi i varianteve që do të parashtrohen deri në tri tekste, ku do zgjidhet njëri.

Janë më shumë se 25 mijë maturantë që kanë plotësuar formularin e preferencave. Kur pritet shpallja e fituesve?
Shpallja e fituesve do të bëhet në mesin e muajit shtator. Ka disa arsye për këtë. Më datë 1 shtator fillon konkurrimi i të gjithë maturantëve, që kanë përzgjedhur degët me konkurs. Në momentin që nuk fitojnë në programet e konkursit, ata kanë të drejtën, duke qenë se kanë plotësuar A2, që të konkurrojnë edhe në degë të tjera. Ndërkohë, nga data 1 deri në 5 shtator, do të hapen aplikimet për plotësimin e formularit A1Z për të gjithë ata jomaturantë që nuk e kanë pasur shansin për ta plotësuar, në mënyrë që të mbyllet procesi dhe të fillojë faza e konkurrimit. Ka pasur raste, që për arsye të ndryshme nuk e kanë plotësuar. Më pas, kur të kenë përfunduar provimet e vjeshtës, do të hapen aplikimet për formularin A3, si një mundësi për ata që nuk arritën të kalonin në fazën e parë të konkurrimit. Vitin tjetër besoj se do të kemi ndryshime të tjera në drejtim të Maturës Shtetërore.

Çfarë pritet të ndryshojë në Maturën 2014- 2015?
Së pari, testimi në lëndën e gjuhës së huaj. Duam të bëjmë të mundur dhënien online, ku përgjigjet të merren në përfundim të dhënies së provimit. Ndoshta mund të fusim edhe ndonjë lëndë tjetër, që mund të jetë me zgjedhje, por kjo mbetet për t’u parë. Fillimisht do të vendosim nëse matura do të jetë dalëse, pa provim. Atëherë do të shikojmë se si do të procedohet në mënyrë që të bëjmë ndryshime në bazën ligjore për të korrur rezultatet e pritshme. Por kjo varet nga përfundimi i fazës së parë, që po ndodh me sistemin e arsimit universitar.
Si do të jetë procedura e regjistrimit në universitet?
Do të dalim shumë shpejt me udhëzime. Pasi të shohim gjendjen e krijuar, do të hartojmë udhëzimet përkatëse mbi mënyrën e regjistrimit.

Janë rreth 18 mijë maturantë që kanë rezultuar mbetës dhe tani do të futen në sesionin e vjeshtës. Çfarë mundësish kanë?
Këta maturantë do t’u nënshtrohen provimeve te të cilat nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme. Dua të theksoj se ata që janë mbetës, nuk kanë të drejtë të garojnë në çdo program studimi, sepse mbyllja e provimeve nuk korrespondon me ditën kur dalin rezultatet e A2. Këta do të sistemohen në programet e studimeve që mbeten të paplotësuara, d.m.th. aty ku ka kuota bosh.

PROCEDURA E KONKURRIMIT PER NE UNIVERSITET
FORMULARI A2

Shpallja e fituesve të raundit I zhvillohet në dy faza.
Faza e parë, regjistrimi on-line
Faza e dytë, regjistrimi me dokumentacionet e kërkuara sipas udhëzimit përkatës të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në sekretaritë e fakulteteve pranë IPAL ku janë shpallur fitues.

APLIKIMI ME FORMULARIN A3
Kanë të drejtë të plotësojnë
Ata që kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e MSH, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2;
Ata që kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e MSH, në sesionin e vjeshtës 2014:
Ata që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e MSH. Nëse këta kandidatë i kanë ekuivalentuar të gjitha notat e provimeve të MSH, duhet të aplikojnë me formularin A1Z, sesioni i vjeshtës (1-5 shtator 2014). Aplikimin me A1Z duhet ta bëjnë dhe kandidatët që duhet të japin 1 ose 2 provime në sesionin e vjeshtës të MSH.
Ata që kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.

ADA HAZIZOLLI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura