Maska e çjerrë e depolitizimit të Policisë

Apr 6, 2018 | 9:54
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Mjaftoi ajo përplasje e dhunshme në “Rrugën e Kombit” me banorët e Kukësit dhe të rrethinave, për të parë themelet e dobëta të besueshmërisë mbi të cilat janë ndërtuar institucionet e sigurisë dhe të ligjshmërisë së vendit tonë. Mjaftoi djegia e një objekti privat me destinacion publikun, që opinioni i gjerë të kuptojë se klasa politike shqiptare dhe më konkretisht qeverisja e sotme, nuk është ende e gatshme të heqë dorë nga kontrolli, përdorimi apo më saktë keqpërdorimi i Policisë dhe, së fundmi, edhe i organit të Prokurorisë.

Manifestimi i disa kuksianëve theu në mijëra thërrime imazhin e ngritur nga propaganda për Policinë që duam. E shtoi akoma më shumë mosbesimin ndaj vetingut, për ta kthyer Policinë e Shtetit në binarët e ligjit të barabartë për të gjithë. Dhe këtu nuk kam parasysh forcat e Policisë që pësuan dhunë gjatë manifestimit (për hir të vërtetës, ato forca ishin më shumë të braktisura, sesa në gjendje për të kryer detyrën) e as ata që ndeshen çdo ditë me dhunën e prodhuar nga individë apo grup individësh të shoqërisë. Bëhet fjalë për lidershipin drejtues të Policisë, qëndrimin ligjor dhe orientimin e përgjithshëm të Policisë karshi problemeve të evidentuara gjatë manifestimeve të dhunshme publike.

Ky manifestim, solli risi edhe për faktin se vuri shumë pikëpyetje mbi neutralitetin ligjor dhe pavarësinë e organit të Prokurorisë në raport me tutelën direkte dhe indirekte që ushtron pushteti mbi të. Pafuqinë e saj për të trajtuar problemet jashtë rreshtimit të kërkuar nga pushteti. Mbarë publiku, shpeshherë, kohë më parë, ka parë me sytë e tij, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit së bashku me prokurorë të dalin në ekrane të shumta televizive ku njoftojnë arrestime personash apo grupe personash nën akuzën e kryerjes së veprave penale të trafikut të drogës apo kontrabandimit të qenieve njerëzore si dhe shumë e shumë vepra të tjera penale.

Dalja e profesionalistëve në komunikim me publikun dhe kur komunikimi i tyre është i ndershëm duke u lidhur vetëm mbi faktin e konstatuar nga ana ligjore, e qetësojnë publikun, i japin më shumë siguri duke u krijuar një bindje të saktë rreth asaj çfarë ka ndodhur, bindje neutrale të së mirës mbi të keqen. Ky komunikim e bën publikun më besues. Njoftimet mediatike profesionale kanë rëndësi gjithashtu, edhe për faktin, se edhe vetë çështja për të cilën informohet publiku nuk dëmtohet, pasi janë vetë ata që e dinë se për çfarë duhet dhe nuk duhet të flasin. Por këtë radhë nuk ndodhi kështu. Ngjarjen e ndodhur në Kukës, e pasqyroi ministri në publik.

Përse ky ndryshim? Në aspektin e ortodoksisë ligjore, bëhet fjalë vetëm për një grupim, i cili dëmtoi pasurinë private të hapur për publikun dhe përdorim dhune ndaj forcave të Rendit. (duke mbajtur me këtë rast anën e Policisë). Pra, jemi në kufijtë e kundërvajtjes ligjore. Përse heshti edhe Prokuroria, edhe Policia dhe nuk dolën në publik krah për krah, në solidaritet të plotë, për të njoftuar për përfundimin e operacionit të arrestimeve? Çfarë ishte ndryshe këtë radhë? Duket qartë se problemi nuk qëndron te kundërvajtja penale, shkelja e ligjit (me gjithë ekzagjerimin e tejskajshëm të vlerës së objektit të dëmtuar), por te fakti se këta njerëz patën kurajën dhe u ngritën kundër autoritetit të pushtetit. Dhe kjo i dhemb më shumë pushtetit.

I shton arrogancën, dhunën, paligjshmërinë. Nuk vonon dhe maskat hiqen. Ndaj dhe Policia hodhi poshtë çdo referencë ligjore, duke kryer shoqërimet në mesin e natës dhe duke përdorur reparte të specializuara kundër elementëve të rrezikshëm. Ndoshta ata ishin vërtet të rrezikshëm, por jo për kundërvajtjen penale të shkaktuar, por për guximin e treguar. Sfidën ndaj arrogancës së pushtetit. Ndaj dhe Prokuroria nuk i kushtoi rëndësi saktësisë së orareve të paraqitur nga Policia në procesverbalet e ekzekutimit të urdhrave të saj të ndalimit.

Të dy organet u rreshtuan me pushtetin, jo me ligjin. Dhe me zell. Ndaj ishte ministri i Brendshëm ai që doli në ekran, duke bërë të na mungonin krah për krah, si trup i vetëm, Policia me Prokurorinë. Ndaj, në daljen publike, ministri nuk u fiksua vetëm te kundërvajtja penale që shkaktuan manifestuesit, por foli “për prani segmentesh me të shkuar të rëndë kriminale dhe me rrezikshmëri kriminale”. (Ndërkohë, ndërmjet të arrestuarve kishte ndonjë ish-vjedhës dhe pjesa dërrmuese qytetarë me emër të mirë). Ndaj dhe më pas ai nuk harroi të citojë edhe “skenarë kriminalë dhe frymëzues të caktuar për veprime të tilla, për provokatorë”.

Përse thuhen gjëra që nuk kanë lidhje me faktin dhe veprën penale të ndodhur? Terminologjia e përdorur nuk thotë asnjë gjë konkrete, lidhur me atë që kishte ndodhur, por krijon një gjendje amullie. Duket se ministri nuk doli në ekran për të sqaruar çështjen. Ai doli për të krijuar ankth, pasiguri, frikë. Për t’i venë gishtin e përgjegjësisë opozitës. Në vazhdim të paraardhësit të tij që e rreshtonte opozitën në krahun e së keqes. Dhe Prokuroria heshti. Në Kukës, para disa ditëve, u arrestuan 23 shtetas. Pati edhe të plagosur e po ashtu dëmtim prone.

Policia e Shtetit bëri kallëzimin dhe Prokuroria lëshoi urdhra ndalimi. Disa të tjerë u shpallën në kërkim. Në media u raportua se personat janë të shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Shumë persona, të afërm u përqendruan në hyrje të Drejtorisë së Tiranës. Më pas, disa media të tjera njoftuan se të ndaluarit janë shpërndarë nëpër disa komisariate të Tiranës. Asnjë komunikim zyrtar. Vetëm njoftime të bazuara në burime. Shumë paqartësi, askush për t’i shpjeguar. Strategji terrori. Ndaj dhe Prokuroria së bashku me Policinë heshtën.

Ndaj dhe pati shtetrrethim gjatë gjykimit. Ata kishin guxuar. Mësimi duhet dhënë ekzemplar. Shembull, frikë, edhe për të tjerët. Nuk është ndonjë gjë e re të pranohet se të gjitha rastet e përplasjes së dhunshme midis Policisë dhe shtresave apo grupimeve të ndryshme të shoqërisë, përplasje të cilat ngjallin diskutime dhe debate të shumta publike, rreshtime personash publikë apo të forcave politike në njërin apo tjetrin krah, nuk mund të zgjidhen vetëm me gjuhë policore. Në të tilla raste, i sigurt është vetëm shkatërrimi i Policisë.

Ky është një fakt universal dhe e bën tërësisht antiligjore, të papërgjegjshme deklaratën e fundit të Policisë kur, sipas medias, bën diversionin më banal kundër manifestimeve dhe shërbimin më servil ndaj pushtetit, duke folur për “elementë me precedentë penalë të nxitur dhe të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore” apo për “një politikë të angazhuar për të goditur ligjshmërinë…” Këndvështrim klasik klasor. Humnerë për Policinë. Qëndrime të tilla publike tregojnë çoroditjen totale të Policisë. Humbjen e busullës ligjore prej drejtuesve të saj. Supozimet e bëra publike, jashtë konstatimeve të faktit të lidhur me ligjin, e majisin gjendjen. E godasin rëndë paanshmërinë e Policisë. I hedhin benzinës zjarr. Përgjegjësia do të bjerë mbi gjithë drejtuesit e saj.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura