Ndeshja, Tahiri: 2300 forca të angazhuara, Renea ruan ekipin serb

Oct 7, 2015 | 14:16
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke bërë thirrje për qetësi ka njoftuar gjithë masat e marra për mbarëvajtjen e ndeshjes së nesërme me Serbinë. 

Sipas tij, 24 orët e ardhshme, janë një sprovë e rëndësishme, jo vetëm për Kombëtaren tonë, por për çdo qytetar, sado, pak apo shumë, të interesuar për futbollin dhe jo vetëm.

tahiri (1)

“Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese, janë totalisht të angazhuara për të garantuar që ndeshja e nesërme të jetë një festë qytetarie, e denjë për Shqipërinë, për çdo qytetar në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, dhe sigurisht për Kombëtaren tonë. Policia Kufitare ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit të të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që kanë për qëllim udhëtimi ndjekjen e ndeshjes nesër”- tha Tahiri.

Sipas tij, është shkëmbyer informacion intensiv me partnerët në rajon dhe BE, si dhe me FSHF, UEFA dhe FIFA, për hartimin dhe monitorimin e listës së personave të cilët kanë precedentë të mëparshëm për akte të dhunshme ose akte huliganizmi gjatë aktiviteteve sportive. 

“Kjo listë është në dispozicion të Policisë Kufitare dhe të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit në terren, për moslejimin e hyrjes në Republikën e Shqipërisë, e në rast se kanë hyrë më parë apo jetojnë këtu, për monitorimin konstant, e në të gjitha rastet, për ndalimin e hyrjes në mjediset e stadiumit “Elbasan Arena” dhe mjediset në afërsi”-tha ministri.

Ai theksoi se strukturat e luftës kundër krimit në të gjithë vendin do të jenë të angazhuara për monitorimin dhe ndjekjen e çdo informacioni që mund të cënojë mbarëvajtjen e ndeshjes, nderkohe qe agjent civilë do të jenë në të gjitha ambjentet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit. 

“Janë marrë masat maksimale për garantimin e sigurisë për ekipin mik. E në këtë kuadër, një pjesë e Repartit RENEA, bashkë me një pjesë të Policisë së Shtetit është e angazhuar eksluzivisht për këtë qëllim. Në total, për garantimin e ndeshjes nesër, do jenë të angazhuara mbi 2.300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që do të jenë të gjitha mjetet dhe infrastruktura në dispozicion”- tha Tahiri.

Krahas masave, Tahiri theksoi se neser ndeshja më e rëndësishme është sfida jashtë fushës. 

“Në qoftë se në fushë do të luajnë 11 lojtarët e Kombëtares sonë dhe 11-ja e skuadrës mike, jashtë fushës së blertë kemi të gjithë një rol e detyrë për të luajtur: çdo qytetar, i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe detyrën që kemi për të dhënë një shembyll qytetarie, ka një rol në përpjekjen tonë të përbashkët, për të garantuar që kjo ndeshje futbolli të jetë realisht vetëm kaq.Një ndeshje futbolli, e kësisoj, një festë sportive e denjë për Shqipërinë dhe skuadrën tonë”- tha ai.

Sipas ministrit, fitorja më e madhe, është jashtë fushës. Për vlerat tona si shoqëri e denjë për t’iu bashkuar vlerave të familjes së madhe të BE. Dhe çdonjëri prej nesh ka një rol kyç për të luajtur.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura