Masakra në Elbasan/ Dyshime se autorët janë larguar jashtë vendit

Feb 7, 2016 | 8:39
SHPËRNDAJE

Hetimi për vrasjen e trefishtë dhe plagosjen e tetë të tjerëve vijon intensivisht, por ende nuk ka të ndaluar për krimin.

Eno Bedalli, Ardit Sinakolli dhe Agron Çapja, tre viktimat e Elbasanit
Eno Bedalli, Ardit Sinakolli dhe Agron Çapja, tre viktimat e Elbasanit

Burime të policisë bënë të ditur se tashmë hetimet janë zgjeruar deri jashtë kufijve. Ka dyshime se autorët të jenë larguar nga Shqipëria natën e krimit, ose ditë më pas.

Për këtë shkak janë duke u hetuar daljet në sistemin TIMS, duke nënvizuar kështu emra të mundshëm të cilët mund të jenë me precedentë, problematikë, apo që mund të kenë dijeni për krimin e ndodhur.

Sipas të dhënave, po hetohen daljen në pikat kufitare të Rinasit, Greqisë, Maqedonisë, por edhe me Kosovën. Zyrtarisht nuk bëhet e ditur nëse kanë vënë në rreth ndonjë emër. Nuk përjashtohet dyshimi e as dalja nëpërmjet kufirit të gjelbër, ndaj do t’u kërkohet bashkëpunim edhe policive të shteteve fqinje.

Mësohet se policia ka në dosjen e saj disa emra të dyshuar, por ende nuk është bërë i mundur ndalimi i tyre. Nga të dhënat e deritanishme, hetimorët janë përqendruar në pistën e larjeve të hesapeve për trafiqe.

Që nga dita që ndodhi ngjarja në lokalin ku ndodheshin familjarë dhe miq të familjes Çapja, forcat RENEA në bashkëpunim edhe me FNSH kanë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa, në Elbasan, Peqin, Cërrik, Librazhd e Gramsh.

Gjithashtu janë kontrolluar në akset rrugore e në qytete automjete të dyshuara që mund të lëviznin autorët. Janë krehur me këmbë zona kodrinore e fushore, ku dyshohej se mund të gjendet ndonjë provë që lidhet me autorët.

Por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre dhe as të mjetit, që dyshohej se mund të gjendej në ndonjë zonë të afërt e djegur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura