Masakra e Selitës, flasin 11 dëshmitarë: S’dëgjuam krisma arme kur u vranë dy të rinjtë

Jul 6, 2015 | 21:04
SHPËRNDAJE

Dëshmitarët e pyetur nga Policia dhe Prokuroria pas vrasjes së dy personave në vilën e biznesmenit Flamur Ymeri në Selitë të Tiranës, nuk kanë dëgjuar asnjë krismë arme.

FLAMUR YMERI NE GJYKATE (MAJTAS) VIKTIMAT ADNAND LULI DHE ERVIN SHABA

Ky fakt bëhet me dije në dosjen e dorëzuar në Gjykatë pak ditë më parë nga Prokuroria. Organi i hetimit, pas përfundimit të veprimeve paraprake, dërgoi në gjyq Flamur Ymerin me akuzën e “pengimit të zbardhjes të së vërtetës” në lidhje me ngjarjen ku mbetën të vrarë me armë Ervin Shaba dhe Adnan Luli.

Këta të fundit hynë në banesën e Flamur Ymerit mëngjesin e datës 17 janar 2015 me armë dhe me maska duke iu drejtuar gruas së biznesmenit me fjalët “ku është Muli, kemi ardhur për Mulin” dhe “ku janë paratë”. Teksa hipnin në katin e dytë të banesës, dy viktimat u përballen me pronarin e banesës që ua rrëmbeu armët dy të rinjve dhe më pas i vrau.

DËSHMITARËT PËR KRISMAT
Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë nga Prokuroria thuhet se nga ana e Policisë Gjyqësore janë pyetur me deklarim edhe 11 persona te tjerë, të cilët shpjeguan si dëshmitarë afër vendit të ngjarjes. Këta shtetas sipas Prokurorisë deklarojnë se nuk kanë dëgjuar asnjë të shtënë dhe nuk kanë parë asgjë.

Në dosje thuhet më tej se nga këqyrja e telefonit rezulton se shtetasi Flamur Ymeri në orën 08:26 ka dërguar një SMS te numri i telefonit të regjistruar me emrin Bicaku me tekst “Jam Flamur Ymeri po më vrasin në shtëpi te centrali”, dhe në orën 08:28 i ka dërguar përsëri SMS këtij numri me tekst “lajmëro shpejt Bicako”. Në kërkesën për gjykimin e çështjes thuhet më tej se nga ana e Policisë Gjyqësore u thirr shtetasi M.S., i cili ishte personi që mbante numrin e telefonit me shkrimin Bicaku.

Ky shtetas, sipas Prokurorisë, është pyetur me deklarim dhe ka sqaruar se rreth orës 09:00 e ka marrë në telefon shtetasi Flamur Ymeri dhe i ka thënë se “kam vrarë dy shtetas dhe të kam dërguar mesazh”, ai nuk e kishte besuar dhe e kishte marrë përsëri, dhe e kishte pyetur dhe Flamuri përsëri ia kishte konfirmuar. Ky shtetas ka thënë se më pas kishte lexuar SMS-të që i kishin ardhur nga numri i Flamurit.

KUR VDIQËN VIKTIMAT
Prokuroria thekson në dosje se ka verifikuar me anë të ekspertëve mjekoligjorë edhe kohën kur kanë vdekur Ervin Shaba dhe Adnan Luli. Nga ana e organit të Prokurorisë janë administruar aktet e ekspertimit mjekoligjorë për viktimat Adnan Luli dhe Ervin Shaba, aktet e ekspertimit kimik të faktorëve plotësues, aktet e ekspertimit teknik të veshjeve te cilat mbaheshin veshur nga viktimat, si dhe akti i ekspertimit të fishekëve të gjetura në trupin e viktimave.

Rezulton se dy nga predhat e nxjerra nga viktima Ervin Shaba janë predha të kalibrit 7,65 mm dhe janë qitur nga pistoleta automatike nr. B xxxx, ndërsa një nga predhat është e kalibrit 9 mm dhe është qitur nga një armë tip revolver që nuk është gjetur në vendngjarje, ndërsa dy predhat e nxjerra nga viktima Adnan Luli, janë predha të kalibrit 7,65 mm e janë qitur nga pistoleta automatike nr. B xxxx.

Sa i përket orës së vdekjes së viktimave, nga ana e mjekësisë ligjore, është përcaktuar se shtetasi Ervin Shaba duhet të ketë gjetur vdekjen rreth 3 orë përpara këqyrjes së kufomës në morg, këqyrje që është realizuar në orën 11:00, ndërsa viktima Adnan Luli duhet të ketë vdekur rreth 5 orë përpara këqyrjes së kufomës në morg, këqyrje që është kryer në orën 13:00. Prokuroria bën me dije se gjatë hetimit është administruar akti i ekspertimit teknik të veshjeve të mbajtura në trup nga ana e viktimave, ku janë përcaktuar dëmtime të ardhura nga goditjet me armë zjarri.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura