Marrëveshje apo zmbrapsje e Ramës

Mar 25, 2024 | 8:55
SHPËRNDAJE

besnik-mustafajBESNIK MUSTAFAJ

Më në fund, pas më shumë se gjashtë muajsh, Kuvendi i Republikës normalitetit. Kjo u arrit pas tërheqjes së Ramës kundrejt kërkesës së opozitës për të ngritur dy komisione parlamentare hetimore: njëri lidhur me trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS dhe tjetri për problematikat e mprehta, me dyshime për korrupsion, që paraqesin koncesionet me PPP në fushën e shëndetësisë. TIMS është sistemi digjital i integruar, me ndihmën e të cilit ruhen të gjitha të dhënat civile dhe më gjerë të atyre që hyjnë në Shqipëri apo dalin prej saj në mbarë pikat kufitare të shtetit tonë. Si i tillë, sistemi TIMS është sekret shtetëror dhe presupozohet me kode të pathyeshme sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare. Rrjedhimisht, cenimi i tij cenon sigurinë kombëtare. Në kushtet kur Shqipëria është anëtare e NATO-s, cenimi i këtij sistemi ka pasoja edhe në sigurinë e përbashkët të Aleancës.

Shkak për ta shtyrë opozitën në atë fillim vjeshte të kërkonte në Parlament një komision hetimor ishte bërë pikërisht depërtimi kriminal në këtë sistem dhe vjedhja e të gjitha të dhënave nga një dorë ende e pazbuluar, pra edhe ende e pandëshkuar, e cila mund të ketë pasur si qëllim të dobësonte sigurinë kombëtare, por mund të ketë qenë e zgjatur edhe nga krimi i organizuar, i cili do të mësonte me këtë rast çfarë dinte Policia e Shtetit për anëtarët e tij dhe të merrte masat për t’iu shmangur ndjekjes. Denoncimeve të forta të opozitës, kryeministri Rama iu përgjigj asokohe në stilin e tij nënvleftësues, madje edhe duke u tallur me denoncuesit. Ishte në detyrën politike dhe kushtetuese të opozitës të kërkonte përgjegjshmëri nga kryeministri, nga qeveria dhe nga agjencitë e tjera shtetërore, të cilat, në rastin më të mirë ishin treguar të paafta, në rastin më të keq, segmente të tyre kishin bashkëpunuar me krimin. Ngritja e komisionit hetimor parlamentar për të shqyrtuar pasojat e këtij krimi ishte hapi më i madh e më i guximshëm, që opozita kishte mundësi ligjore të bënte për t’i shërbyer interesit shtetëror dhe interesit publik. Por kryeministri Rama e rrëzoi këtë kërkesë, ashtu si edhe kërkesën tjetër për ngritjen e një komisioni të tillë, i cili do të hetonte kontratat e dyshuara gjerësisht për korrupsion të PPP–ve në fushën e shëndetësisë.

Për rrëzimin e këtyre dy kërkesave, kryeministri Rama tregoi një arrogancë, e cila nuk ishte thjesht “çështje stili”. Ai dukshëm po trembej nga hulumtimet e këtyre komisioneve, jo pse raporti do të shkonte në SPAK, siç ligji e lejon, sepse dihet tashmë nga të gjithë shqiptarët se ai ka ndikimin e vet të fortë në këtë prokurori, por sepse faktet që do të zbuloheshin, do të binin në duart e aleatëve, të cilët nuk e kanë në kulturën e tyre politike të mbyllin sytë përpara dokumenteve të tilla. Ai bëri, pra, çfarë kishte në dorë. Por edhe opozita nuk u dorëzua. Ajo de facto bllokoi punimet e Parlamentit, në mbrojtje të të drejtave të veta kushtetuese, si dhe të integritetit të vet si opozitë parlamentare. Ajo çka Rama nuk e kishte parashikuar, ishte qëndrueshmëria e paepur e kësaj opozite, edhe pse ai përdori kundër saj armatën e madhe të mediave me gazetarët dhe opinionistët, që ka në shërbim për t’i diabolizuar deputetët rebelë në sytë e opinionit publik. Përdori gjithashtu përsëri shumicën e vet parlamentare për të ndryshuar rregulloren e Parlamentit, duke ashpërsuar në mënyrë të pashembullt masat ndëshkuese kundër deputetëve qëndrestarë. Ndryshoi po ashtu edhe kushtet kur mund të ngrihej një komision parlamentar hetimor, duke i rënë haptas ndesh Kushtetutës pa iu dridhur syri.

Në fund, siç e pamë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike triumfoi. Pyetja shtrohet çfarë e detyroi kryeministrin Rama të tërhiqej. Zëdhënësja e tij besnike, Elisa Spiropali, u shpreh me një fytyrë të ëmbëlsuar mbi dobinë që ka shumica qeverisëse nga kontrolli prej opozitës. Kjo është krejt e vërtetë në parim. Por është një aksiomë aq e njohur, aq bazike në demokraci, sa vështirë të besohet se Edi Rama e kuptoi tani. Pra, Edi Rama u zmbraps. Asgjë më pak. Dhe nuk u zmbraps si burrë, të cilit i vijnë mendt.

Po bëhen përpjekje të mëdha nga mbështetësit e tij pa tesër socialiste për ta paraqitur në media si një marrëveshje Berisha– Rama. Me sa duket, kjo është dëshira e fshehtë e Ramës: të arrijë marrëveshje me Berishën, për të pasur prova publike se Berisha e sheh si të barabartë. Kam një përvojë të mjaftueshme në hartime dhe negocime marrëveshjesh për t’u shprehur me bindje se ajo që ndodhi, nuk plotëson asnjë kusht për të qenë marrëveshje. Është mirëfilli një lëvizje politike, në të cilën janë përfshirë grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe ai i Partisë Demokratike, e që përmban thjesht një zmbrapsje taktike të Ramës, të cilën ai e ka bërë i detyruar. Dhe jo për interesin e vendit, por për interesin e pushtetit dhe ambicieve të tij personale. Vini re: ajo që Rama do shumë më tepër se duartrokitjet e deputetëve të tij, është imazhi i zbukuruar në skenën ndërkombëtare. Pikërisht ky imazh po i zbehej me shpejtësi.

Rama ka pritur shumë që miqtë e tij ndërkombëtarë të bënin presion mbi opozitën. Kjo nuk ndodhi asnjëherë. Përkundrazi. Presioni po ushtrohej herë në rrugë diplomatike e herë haptas vetëm mbi të. Qysh dhjetorin e kaluar, në Samitin e Bashkimit Europian, me një fjalë, më pak se dy muaj pas fillimit të rezistencës së opozitës në Parlament, Shqipërisë jo vetëm nuk iu dha drita jeshile për çeljen më në fund të negociatave, por iu vunë kushte të reja për të plotësuar, çka tregonte se, në vlerësimin e udhëheqësve të Bashkimit, gjendja e demokracisë në vendin tonë vetëm ishte përkeqësuar gjatë vitit të fundit. Dhe kushti i parë ishte vendosja sa më shpejt e dialogut me opozitën. Pra, nuk ishte çështja |Beleri” dhe veto Greqisë, siç u përpoq Rama dhe makineria e tij propagandistike ta paraqiste, domethënë ta justifikonte dështimin, duke e bërë Ramën viktimë. Në vazhdim, ky presion ndërkombëtar mbi të vetëm është shtuar. Fakt është se të gjitha arritjet e Shqipërisë në proceset e integrimit euroatlantik, e ku më kryesoret janë anëtarësimi në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, janë arritur gjatë qeverisjeve të Partisë Demokratike. Rama me qeveritë e tij nuk ka as edhe një arritje, sado të vogël për të mbetur në historinë e Shqipërisë. Ky realitet i shkakton atij vuajtje të mëdha shpirtërore dhe i ushqen pareshtur kompleksin e inferioritetit ndaj Berishës.

Këto ditë, makineria propagandistike e Ramës ka hedhur në publik pyetjen se kush fitoi nga kjo “marrëveshje”, duke nxjerrë një fakt, i cili nuk është fakt. Përmendet se, nga 8 apo 9 komisione hetimore të kërkuara nga opozita deri më 12 tetor 2023, kur shpërtheu mosbindja e deputetëve demokratë brenda Parlamentit, mori vetëm dy. Ja pse nuk është fakt i lidhur me zhvillimet e fundit: Ato gjashtë apo shtatë komisionet hetimore të mohuara vërtet nga Edi Rama, ishin të akumuluara gjatë afro dy viteve pas zgjedhjeve të vitit 2021. Ato sigurisht kanë grumbulluar pakënaqësi dhe frustrim te deputetët e opozitës, por nuk janë më në rendin e ditës më 12 tetor. Madje, edhe afatet ligjore për aktualizimin e tyre janë djegur.

Pse sillen atëherë si argumente në debatin publik?

Përgjigja është e thjeshtë: për të thënë se nga ky zhvillim i fundit, i fituar doli Rama. Në të vërtetë, është një spekulim i pastër, i cili nuk synon t’i ngrejë moralin Ramës, por të mbjellë te demokratët konfuzion dhe pakënaqësi ndaj lidershipit të tyre, duke i paraqitur si sërish humbës. Ndërsa Partia Demokratike me grupin e saj parlamentar fituan një të drejtë të mohuar. Në përcaktimin e betejave politike, edhe rimarrja e një të drejte të mohuar quhet fitore. Por, bilanci i kësaj beteje nuk është vetëm kaq. Ka afro tri vjet që Rama thotë e përsërit se nuk e njeh si kundërshtar politik “non grata”-n, rrjedhimisht as përkrahësit e tij dhe nuk do të ketë kurrë asnjë lloj komunikimi institucional me ta. Kësaj here ai u detyrua haptas të njohë si legjitim pikërisht grupin parlamentar të drejtuar nga Gazmend Bardhi e ku bën pjesë Berisha, duke pranuar kështu de facto dështimin e vet për t’i caktuar vendit opozitën parlamentare. Në vlerësimin tim, kjo është fitorja më e thellë politike, që opozita dhe, posaçërisht Partia Demokratike, arritën nëpërmjet kësaj rezistence të pashembullt në historinë e parlamentarizmit shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura