Maqedoni e Veriut/ Reagime pas bllokimit nga Bullgaria ndaj hapjes së bisedimeve me BE

Nov 18, 2020 | 19:23
SHPËRNDAJE

Zhgënjimit të autoriteteve qeveritare dhe opinionit publik pas bllokadës së djeshme bullgare ndaj hapjes së bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, po i shtohen edhe trysnitë e opozitës maqedonase, e cila i quan drejtuesit qeveritarë si tradhtarë të çështjes kombëtare maqedonase për shkak të lëshimeve, sipas saj të deritashme që i janë bërë Bullgarisë fqinje.

94A28C0D-07A1-42D1-A24A-ACF5F9167AE3_w1023_r1_s

Bullgaria ngul këmbë që fqinji më i vogël të heqë dorë nga përvetësimi i historisë bullgare, që Shkupi të pranojë origjinën bullgare të gjuhës maqedonase dhe të heqë dorë nga pretendimet për një pakicë maqedonase në Bullgari.

Por vetoja bullgare shikohet në mënyra të ndryshme në Shkup. Analisti Albert Musliu thotë se kjo nuk është një veto përfundimtare ndaj aspiratave të Shkupit. Por ai vlerëson se raportet maqedono-bullgare mund të ftohen edhe më tej:

Rasti me Bullgarinë është pak më specifik. Hyjnë në atë personale, dhe është një tendencë absurde; të rregullohen do çështje të cilat janë zvarritur me dekada, po bile edhe njëqind vjet, dhe ato të rregullohen për 2-3 ditë për hirë të negociatave! Mendoj se është qasje e gabuar nga pala bullgare. Uroj që kjo të jetë vetëm si një refleksion i momentit politik në Bullgari, e cila përgaditet për të hyrë në proces zgjedhor, por gjithsesi do të ketë si pasojë një ndjenjë të hidhur tek të gjithë qytetarëve e Maqedonisë “, thotë z Musliu.

Zoti Musliu megjithatë nuk mendon se veprimi bullgar do të nxisë shtimin e skepticizmit të opinionit publik në Maqedoninë e Veriut ndaj Bashkimit Evropian:

“Mund të shtohet rezistenca për gatishmëri mbarëpopullore për kompromise; Mendoj se veçanërisht veprimi i Kancelares Merkel dhe minisitrit të jashtëm gjerman i inkurajon qytetarët që të ndjehemi se ia vlen procesi i eurointegrimit të vazhdojë. Mendoj se përmbajtja e shumicës së shteteve evropiane më bën të besoj se nuk do të ketë rritje të euro-skepticizmit. Kjo më shumë do të jetë rritje e tensionit të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë, a gjithsesi një ndjenjë shumë më e hidhur e bashkëqytetarëve tanë maqedonas ndaj fqinjëve tanë Bullgar.

“Tensonimi ndërmjet këtyre dy komuniteteve i kryen punë një narrativi serb; i kryen punë mbase edhe një narrativi rus në Ballkan. Kështu që, mendoj se edhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të jenë pak më aktiv në periudhën që vijon, nëse kjo përfundon defenitivisht deri në dhjetor pa konferencën e parë të përbashkët të Maqedonisë së Veriut me Komisionin Evropian”, thotë analisti.

Republika e Bullgarisë në këtë fazë nuk mund ta mbështesë kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut dhe rrjedhimisht as konferencën ndërqeveritare. Teksti i propozuar nuk i reflekton kërkesat bullgare dhe nuk mund të mbështetet në formën aktuale”, tha në Sofje ministrja e jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, duke theksuar kushtin tashmë të njohur mbi gjuhën, historinë dhe pretendimet për pakicën maqedonase në Bullgari.

Qeveria në Shkup, ndërkohë, thotë se Bullgaria është e vetëdijshme për realitetin “sepse Maqedonia e Veriut, populli maqedonas dhe gjuha maqedonase janë fakt i pamohueshëm dhe se kjo paraqet vlerë evropiane për Bashkimin Evropian”.

Maqedonasit nuk duket se janë të gatshëm të lëshojnë pé për identitetin dhe gjuhën e tyre, ndërsa presin ndërhyrjen, sidomos të Gjermanisë për të ndërmjetësuar dhe kapërcyer mosmarrëveshjet. /VOA/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura