Malaj: Ka ende hapësirë për politikën monetare

Jul 20, 2016 | 9:36
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë miratoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për zgjedhjen e Arben Malaj si anëtar Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Deputeti i opozitës, Ridvan Bode, kërkoi nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të shikohen me prioritet politikat monetare për kreditimin e ekonomisë.

Arben-Malaj

“Shqetësim inflacioni poshtë objektivave, duhet çuar në parametrat e kërkuara. Instrumentet e politikave monetare të Bankës së Shqipërisë nuk po reflektohen në ekonominë reale. Nuk kanë mundur t’i japin impulse as konsumit e as kreditimit, për të tretin vit radhazi. Politika të tilla monetare, kur efektet vijnë në të kundërt, do të thotë që kanë probleme, ndaj ju kërkoj që këto shqetësime të shikohen me më prioritet në bordin e bankës, për t’i dhënë realisht eficiencë politikave që ndërmerr ai institucion”, tha Bode.

Malaj u shpreh se rritja e konsumit mund të vijë nga rritja e të ardhurave dhe kreditimi. “Ne kemi një politikë monetare që ka ende dhe pak hapësirë për t’u përdorur për lehtësimin e konsumit e investimeve. Jam dakord që nuk ka mbërritur ende tek ekonomia reale plotësisht. Sipas BSH shenjat kanë filluar. Edhe unë do të dëshiroja që të kishim një konsum më të madh, por ai të vinte kryesisht nga rritja e të ardhurave dhe rritja e kredisë. Kontaktet me Këshillin Mbikëqyrës dhe administratorët e BSH-së të mos jenë vetëm për raportet e detyrueshme vjetore por edhe për çështje specifike, për të gjetur opsionet më të mira për kontributin në ekonomi.”, pohoi Malaj.

Ish deputeti foli edhe për reformën në drejtësi. “Reforma në drejtësi ka një impakt të madh jo vetëm për aspektin politik dhe atë integrues të vendit, por sidomos edhe për impaktin ekonomik. Dy nga problemet që ka ekonomia jonë dhe që janë në nivele kritike gjatë gjithë tranzicioni, janë liria e pronës dhe liria nga korrupsioni”, tha Malaj.

Ish-deputeti socialist, njëkohësisht edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj është propozuar për anëtar të Këshillit mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë nga disa deputetët të PS-së. Ai pritet të zëvendësojë në këtë post Ermelinda Meksin, e cila ka dhënë dorëheqjen në muajin shkurt të këtij viti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura