Makina “fluturon” në korsinë e kundërt, dy të vdekur në Tiranë

Dec 29, 2011 | 11:56
SHPËRNDAJE

TIRANE – Dy persona vdiqën dje në Tiranë, në një aksident të rëndë pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në Laprakë. Aksidenti me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri ndodhi mesditën e djeshme. Shkak për ngjarjen dyshohet të ketë qenë humbja e kontrollit të makinës nga njëri drejtues, që dyshohet të ketë pësuar infarkt dhe, për këtë arsye, ka dalë në korsinë tjetër të rrugës, duke u përplasur me një makinë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Rrugën e Durrësit në Tiranë, përballë pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se makinat e përfshira në aksident janë “Opel” me targë AA 237 BI, që drejtohej nga Ergys Shaqa, 21 vjeç, i cili lëvizte nga Lapraka drejt Zogut të Zogut të Zi dhe “Benz” me targë Tr 6434 I, që drejtohej nga Arben Hoxha, 48 vjeç, që lëvizte nga Zogu i Zi drejt Laprakës. Makinat kanë qenë në drejtime të kundërta, në rrugë me trafikndarëse, por sipas Policisë, makina “Opel” ka kapërcyer traversën e mesit, për shkak se drejtuesi Ergys Shaqa ka humbur drejtimin. Sipas mjekëve, manovra e gabuar e shoferit 21-vjeçar mund të jetë kryer nga ndonjë infarkt i mundshëm që ai mund të ketë pësuar gjatë drejtimit të mjetit. Makina e tij ka kaluar trafikndarësen me shumë shpejtësi dhe, për pasojë, është përplasur me mjetin e Hoxhës, që lëvizte gjithashtu me shpejtësi, pasi ishte në korsinë e parakalimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura