Lulzim Vulashi, bukëpjekësi bujar

Sep 15, 2014 | 14:00
SHPËRNDAJE

Panine dhe ëmbëlsira falas për fëmijët që nisin shkollën

Njësoj si këtu te ne, nesër fillon shkolla edhe në vendin fqinj, Itali. Por, ndryshe nga këtu, atje, të paktën në Firence ku jeton furrtari Lulzim Vulashi, do jetë një qoshkë që e ka quajtur “Pane, Amore e Fantasia”, që do t’ua bëjë më të lehtë fëmijëve ditën e parë të shkollës. Jo se dikush prej tyre mund të jetë “i uritur” për aq, por meqenëse Lulzimi këtë gjë e bën vazhdimisht, ka menduar që për këtë sezon të ri akademik t’i kënaqë fëmijët me një panine, një ëmbëlsirë, picë a ç’të duan… Zgjedhja është e tyre, mjafton të kthehen nga dyqani i tij për t’i shijuar. Kjo do të nisë nesër e do të zgjasë deri më datë 15 të muajit tjetër. Pra, për plot një muaj, fëmijët mund të shijojnë falas ç’të duan prej duarve të tij. “Do të organizojmë një lloj ‘Happy Hour’ falas për më të vegjlit, duke vënë në dispozicion të tyre ushqime të ëmbla e të kripura, që ata hanë zakonisht pasdite. Natyrisht 100% të gatuara e të përgatitura nga ne, të freskëta e pa konservantë”, tregon Vulashi.
Me Lulzimin , shkodranin zemërbardhë, jemi njohur edhe më parë. Thuajse të njëjtën gjë, gati një vit më parë, ai e bëri për gratë shtatzëna apo nënat e reja. Kishte nisur si një lojë mes dy palëve. Sa herë ato vinin për të marrë bukën e përditshme në dyqanin e tij, ai ua kthente me të qeshur “Hë, jeni martuar, kur do ta bëni një fëmijë”. Gratë ia kthenin gjithnjë se ishte bërë e vështirë të mbaje dhe veten, jo më… Kështu batuta kishte ardhur natyrshëm: “Ju vetëm bëjini, se bukën ua heq unë”… Dhe ashtu u bë! Për 6 muaj me radhë, nënat me fëmijë të porsalindur, pas shëtitjeve të përditshme, nuk harronin të ktheheshin nga Lulzimi për të marrë bukën.
Të gjithë këtë e bën vetëm për të parë fytyrat e gëzuara të njerëzve, kjo nuk vihet më në dyshim. Ndryshe nuk ka si shpjegohet përkushtimi i tij i vazhdueshëm, që prej vitit 2007 për të pastrehët. Çdo të premte, Lulzimi shtron në kishën e rrugës “Boçherini” drekë për njerëzit në nevojë. Të shohim kush do të jetë ideja e tij e radhës. E sigurt është që çfarëdo të zgjedhë, dikush do të gëzohet… përveç atij vetë!

Festivali internacional i brodos e supës së peshkut
Bledar Kola zë vendin e dytë

Pjesëmarrësit në Festivalin Internacional të Supës, për të cilët shkruan edhe “Corriere Adriatico”
Prej dymbëdhjetë vitesh, zhvillohet në Itali festivali internacional i brodos dhe supës së peshkut. Këtë vit, në Fano të Italisë (provincë e Pesaros), aty ku u zhvillua gjithçka, i pranishëm ishte edhe shefi i kuzhinës Bledar Kola. Edhe pse në moshë fare të re krahasuar me konkurrentët nga vendet e tjera pjesëmarrëse, Bledi ka arritur të jetë i dyti në këtë garë. Vendin e parë e ka marrë shefi i vendit ku zhvillohej festivali, Italia, ndërsa në vend të tretë është renditur Kroacia. Pjatën me të cilën ka vendosur të prezantohet e ka quajtur “Ilirika”, në bazë të së cilës ishte një peshk koran i Pogradecit. Festivali nuk ka qenë vetëm për të zgjedhur fituesin mes garuesve. Festa që po vijon ende
Bledar Kola, gjatë përgatitjes së pjatës “Ilirika”
edhe sot, ka përfshirë spektakle e mësime kuzhine, muzikë të mirë që është dëgjuar gjithandej dhe sidomos shijime që u bënë të mundura nga të gjithë.

Recetë
Muffin nga Dhurata Thanasi
(lugaeargjendtë)
Kjo recetë është shumë e mirë të përgatitet për fëmijët që shkojnë në shkollë në mëngjes, si dhe për këdo që do të mbajë trupin në formë, por që, nga ana tjetër, nuk do të rrijë me stomak bosh. Ëmbëlsirat janë burim energjie falë farave të thata që kanë në përbërje si dhe rrushit të thatë apo lëkurës së limonit të thatë. Nuse nuk keni lëkura limoni, mund t’i hidhni hurma arabe të prera në copa të vogla. E mira është t’i përgatisni me miell integral, pasi i shton shumë kërcitjen tipike të farave dhe nuk i zbut.

Përbërësit:
500 gr miell integral
200 gr sheqer kaf
2 lugë çaji kanellë pluhur
1 filxhan kafeje me kos të thartuar
Gjysmë lugë kafeje me kripë të trashë
1 filxhan çaji rrush të thatë dhe lëkura limoni (rrushin e zbusni së pari në ujë të ngrohtë)
3 karota të mëdha të grira
1 mollë të madhe të grirë
200 gr fara kungulli
200 gr fara luledielli
2 lugë gjelle fara chia
3 vezë
300 ml vaj ulliri ose vaj misri

Përgatitja :
Në një tas hidhni gjithë përbërësit e thatë: miellin, kripën, sheqerin, kanellën dhe më pas shtoni farat dhe në vazhdim mollën, karotën dhe frutat e thata. Nga ana tjetër bashkoni vezët, kosin dhe vajin. Pasi i keni trazuar, bashkoni përbërësit e thatë dhe siguroni që përbërja është njëtrajtësuar. Hidheni në forma ose në një tavë të lyer me pak vaj dhe piqini për 20-25 minuta në furrë të ngrohur paraprakisht në temperaturën 180-200 gradë.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura