Lulishtet do t’i jepen privatit për parkingje, ja lista me 11 zonat

Jan 27, 2016 | 8:59
SHPËRNDAJE

Të vetmet hapësira të gjelbra që i kanë mbetur kryeqytetit do të prishen për t’u kthyer në parkingje nëntokësore.

veliaj keshilliPuna ka nisur për dy prej tyre, atë te Parku Rinia dhe tek ish-Stacioni i Trenit, ndërsa të tjera janë në listë për t’u kthyer jo në pallate, por parkingje të betonizuara nën tokë. Njësoj si të parat, edhe ato do të jepen me koncesion, pasi pak ditë më parë iu paraqitën donatorëve të huaj.

Por, duket se ky nuk është shqetësimi më i madh. Zonat ku do të ndërhyhet, përkojnë me hartën e vogël të gjelbër të kryeqytetit.

PARKINGJET E REJA

“Panorama” disponon njëmbëdhjetë zonat ku do të ndërhyhet e që në të ardhmen do t’u shërbejnë për të parkuar atyre që ndotin më shumë kryeqytetin. Dy prej tyre, ai te Parku Rinia, që shumë shpejt pritet të nisë nga punimet, si dhe një tjetër te sheshi “Italia” janë miratuar që në vitin 2004 nga Këshilli për Rregullimin e Territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe ishin pjesë e planit të përgjithshëm të 2013-ës, që e rrëzoi vetë kryebashkiaku Erion Veliaj.

Veç tyre, në vendimin e mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak për 2015-n përmenden edhe 9 parkingje të tjera nëntokësore. Një vështrim vertikal i listës së paraqitur në tabelën përbri, pjesë e vendimit të Këshillit Bashkiak, konkretizon këtë bindje. Bëhet fjalë për ato pak zona jeshile që të kap syri në kryeqytet si: lulishtja pas Pallatit të Kulturës, që aktualisht shërben si vend pushim e kënd lojërash për fëmijë.

Pak më tutje është parashikuar një tjetër parking te sheshi “Avni Rustemi”, i cili po i nënshtrohet një ndryshimi tërësor, i cili, me sa duket, prek dhe nëntokën. Në ‘tamahun’ e Bashkisë për të ndërtuar sa më shumë parkingje ka rënë dhe një copë toke mes Bankës dhe Muzeut Kombëtar, madje dhe lulishtja pas Kryeministrisë.

Sikur të mos mjaftonin këto, edhe vendqëndrimi i busteve së tre “Vëllezërve Frashëri” do të kthehet në parking nëntokësor. Lulishtja te monumenti i diktaturës ku ndodhet busti i “Ismail Qemalit”, zonë në të cilën u investua pak kohë më parë, do të prishet për të ndërtuar nën të një tjetër parkim nëntokësor.

Tabloja me 11 parkingje të tilla plotësohet me dy zona të tjera, sheshi “Italia” dhe stadiumi “Qemal Stafa”. Aktualisht, ato janë parkingje mbitokësore nga të cilat Bashkia ka deklaruar se nxjerr fitime të mëdha.

PARKU RINIA

Ndërtimi i parkimit nëntokësor te Parku Rinia ka sjellë reagimin e shoqërisë civile e ambientalistëve. Pak ditë më parë, ata dolën në protestë kundër tjetërsimit të hapësirës së gjelbër.

tabVeç kësaj, ata pretendojnë se ka pasur mungesë totale transparence nga Bashkia e Tiranës, e cila nuk ka bërë të ditur sa do të jetë sipërfaqja e gërmimit, ndikimi që do të ketë në mjedis apo pemët që do të priten.

Madje, ata kërkuan një takim me kryebashkiakun Veliaj për të dëgjuar shqetësimet e tyre, ndërsa thonë se nuk do të ndalen deri sa Bashkia të dalë garant se parku nuk do të preket.

Ndërtimi i parkingut nëntokësor te Parku Rinia është miratuar në mbledhjen e kaluar të Këshillit Bashkiak, duke ia dhënë me koncesion firmës “Taiwan” për 30 vjet. Ai do të ketë një kapacitet prej 1342 vendesh, ndërsa tarifat për orë variojnë nga 40-120 lekë për orë.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura