Lufta në Siri, në Tiranë u rekrutuan 769 shqiptarë

Aug 15, 2013 | 8:20
SHPËRNDAJE

Gjate luftimeve ne Siri
Mediat e huaja njoftuan dje se një organizatë në dukje me qëllime humanitare ka rekrutuar një numër shqiptarësh, të cilët janë dërguar për të marrë pjesë në luftimet që zhvillohen prej muajsh në Siri.

Agjencia “AINA”, në një shkrim nga Teherani, pohonte dje se organizata turke “IHH” dyshohet se nën petkun e veprimtarisë humanitare, ka mbledhur një numër shqiptarësh në Tiranë, Kosovë dhe Maqedoni. Mediat bëjnë të ditur se në total numri i shqiptarëve të rekrutuar arrin në 769. Të gjithë ata thuhet se janë dërguar në një fazë përgatitore në Turqi, ku janë trajnuar dhe më pas janë dërguar në Siri për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Lirë siriane.

“Njerëzit e mbledhur në Tiranë janë dërguar në Turqi dhe janë trajnuar në përgatitje ushtarake nga oficerë amerikanë në pension. Trajnimet janë bërë në bazën ushtarake “Reyhanli” në provincën jugore të Turqisë, Hatay, shkruante dje AINA. Sipas saj, baza ushtarake ku vendosen personat e rekrutuar ndodhet pranë kufirit me Sirinë dhe kalimi i ushtarëve të rinj drejt terrenit të luftimeve nuk është i vështirë gjeografikisht. “Grupi i fundit i shqiptarëve të rekrutuar përfshinte 90 shqiptarë që kanë fluturuar nga Tirana për në Stamboll me fluturimin numër 1078 të Turkish Air më 30 qershor 2013”, ka thënë burimi i cituar në artikullin e mediave të huaja.

Ato tregojnë rastin e një 30- vjeçari shqiptar, i cili u kthye në Tiranë pasi mori pjesë në luftimet disamujore në Siri dhe pa masakrat ndaj civilëve. Sipas të dhënave, ky shqiptar nuk e takoi familjen e tij për disa muaj me radhë nga frika e atyre që e kishin rekrutuar për ta nisur drejt Sirisë. “Ai u bashkua me familjen e tij vetëm pasi u largua nga Shqipëria. Gjithnjë ekzistonte frika nga ata që e kishin rekrutuar ose mercenarët e tyre në Shqipëri”, shkruajnë mediat e huaja, kryesisht turke dhe iraniane.

Pak ditë para mbërritjes së grupit të fundit të shqiptarëve në Turqi, njoftohet se një aeroplan C-130 amerikan që transportonte pajisje teknologjike të komunikacionit dhe 57 oficerë në pension, zbarkoi në provincën Hatay të Turqisë më 23 qershor. Sipas burimit, qëllimi i oficerëve amerikanë ishte që të marrin përgjegjësinë e komandës qendrore të të gjitha aktiviteteve të rebelëve të armatosur. Halil Maliqaj, nga fshati Prush i Tiranës, thuhet se është vrarë muaj më parë gjatë luftimeve në Siri. Javën e fundit atje gjeti vdekjen një shqiptar nga Maqedonia, ndërsa shqiptarët, Ermal Xhelo dhe Denbis Jangulli, thuhet se janë vrarë në Siri vitin e fundit. PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura