Lufta kundër korrupsionit, TIA vlerëson KLSH-në

Sep 8, 2016 | 11:50
SHPËRNDAJE

Transparency International në një raport ku analizon gjendjen e demokracisë në Shqipëri, funksionimi e institucioneve kryesore të saj dhe roli i tyre për të luftuar kundër korrupsionit, nxjerr në pah të meta serioze në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.Parlamenti

Në raport thuhet se, Shqipëria është i vetmi vend që ka mbetur pas në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Në dokument thuhet se, Shqipëria ka nivel zero sa i takon ndëshkimit të zyrtarëve të nivelit të lartë.

“Shqipëria ka pothuajse zero historik hetimesh, ndjekjesh penale dhe dënimesh për korrupsionin politik të nivelit të lartë. Një raport konfidencial i OSBE-së i zbuluar dhe i nxjerrë në media kohët e fundit bënte një përmbledhje të një numri të madh aludimesh të ngritura kryesisht nga media duke lidhur figura të ndryshme politike me korrupsionin ose krimin. Edhe pse nuk është opinioni zyrtar i kësaj organizate, OSBE u shpreh se dokumenti ishte i vërtetë dhe në përmbajtje ka informacion për shkelje ligji nga 36 deputetë shqiptarë, përfshirë kryeministra të mëparshëm e të tanishëm, si edhe Kryetarin e Kuvendit”, thuhet në raporton e TIA-s.

Kuadri ligjor i Shqipërisë nuk garanton pavarësinë e këtyre institucioneve të rëndësishme nga pushteti politik, pavarësisht se reformat e fundit janë hartuar në përputhje me kërkesat e BE-së për hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Reforma e fundit për drejtësinë në Shqipëri ishte një fillim i mirë, por mbetet e paplotë,” tha Abel nga Transparency International.

“Disa prej ligjeve në paketën e reformës në drejtësi pritet të miratohen nga Parlamenti, ndërsa sytë janë të drejtuar nga qeveria për t’u siguruar që reforma do të zbatohet në të vërtetë. Shumë më tepër nevojitet për t’u bërë, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat me BE-në,” shtoi ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përgjegjës për mbikëqyrjen e partive politike dhe financimin e fushatave elektorale është gjithashtu i penguar nga ndërhyrjet politike, sa kohë që partitë emërojnë anëtarët e tij. Pavarësisht një betimi paanësie, ndikimet politike kanë qenë të dukshme në vitet e fundit. Mbrojtja e anëtarëve të KQZ-së është e dobët dhe partitë kanë në dorë ndryshimin e përbërjes së komisioneve të niveleve më të ulëta – madje edhe ditën e zgjedhjeve.

KQZ mbetet me burime të kufizuara- me vetëm dy punonjës përgjegjës për mbikëqyrjen e financimeve elektorale të të gjitha partive politike dhe pjesa më e madhe e punës u mbetet auditorëve të jashtëm.

Auditorët e jashtëm nuk kanë shtysat e mjaftueshme për ta kryer këtë detyrë, duke i lënë partitë politike dhe vendimarrësit e vendit jashtë mbikëqyrjes së përshtatshme.

Partitë politike rezultojnë të kenë nivelin më të ulët të integritetit, krahasuar me të gjithë aktorët dhe institucionet e vlerësuara-ato nuk janë të detyruara të raportojnë fondet dhe shpenzimet gjatë fushatave elektorale, ç’ka nënkupton se votuesit nuk e dinë se kush po mbështet secilin prej kandidatëve, përpara se të bëjnë zgjedhjen e tyre.

“Ky raport tregon qartazi se ku nevojiten ndryshimet për të luftuar korrupsionin. Shqipëria ka një ndër nivelet më të larta të korrupsionit të perceptuar në të gjithë rajonin. Shqiptarët janë të zhgënjyer nga sistemi politik dhe janë të lodhur teksa shohin të korruptuarit që përdorin paratë dhe influencën  për t’i shpëtuar ndëshkimit,” tha Abel.

“Zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar duhet të kuptojnë se ata janë në ato poste për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë. Çdo abuzim me postin duhet ekspozuar, denoncuar dhe ndëshkuar”.

Përveç plotësimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi, Transparency International jep rekomandimet kryesore të mëposhtme për çrrënjosjen e korrupsionit në Shqipëri dhe për të garantuar funksionimin pa ndërhyrje politike të institucioneve mbikëqyrëse.

  1. Komisioni Parlamentar ad-hoc për reformën elektorale duhet të marrë funksion të plotë. Pavarësia e administratës zgjedhore duhet të jetë fokusi kryesor i tij.
  2. Parlamenti duhet urgjentisht të ngrejë një komision ad-hoc të asistuar nga një sekretariat teknik për të kryer reformën e konfliktit të interesit dhe rregulloret mbi lobimin. Ky komision duhet të ketë mandat për të propozuar ndryshime që lehtësojnë kuadrin ligjor, forcojnë pavarësinë e institucioneve kyçe dhe e bëjnë të mundshëm zbatimin në praktikë.
  3. Partitë politike duhet të zbatojnë standarde më të larta kur zgjedhin kandidatët elektoralë dhe funksionarët publikë, në mënyrë që të garantojnë profesionalizmin dhe nivele më të larta të integritetit në sektorët publikë.

Sipas raportit “të 15 institucionet dhe sektorët e shqyrtuar janë larg të qenit shtylla të forta për luftën kundër korrupsionit. Në terma relativë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Avokati i Popullit janë më të mirët në këtë sistem, ndërsa Shoqëria Civile, Prokuroria dhe Gjyqësori janë ndër më të dobëtit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura