“Luarasi” partner për zhvillimin e luginës së Vjosës

Oct 14, 2017 | 8:23
SHPËRNDAJE

Ndërtimi i HEC-eve në rrjedhën e lumit Vjosa ka qenë kryefjala e Forumit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Rajonit të Luginës së Vjosës organizuar dje nga Konfindustria në qytetin e Përmetit.

malaj

Njëzëri, përfaqësues të njësive vendore, rrjeteve mjedisore të shoqërisë civile ngritën si një shqetësim të përbashkët politikat koncesionare të ndjekura në vite në ndërtimin e HEC-eve në rrjedhat anësore të lumit, përpjekjet për ndryshimin e rrjedhjes së Vjosës në Konicë për ta drejtuar drejt liqenit të Janinës, ndërhyrjet në Grykën e Këlcyrës, kanionet e Nivicës etj.

Mbi të gjitha, shqetësimi u shpreh për ndërhyrjet për ndërtimin e hidrocentraleve në trupin kryesor të lumit si në Kalivac dhe Poçem. Përgjegjëse për këto problematika të krijuara është bërë Ministria e Mjedisit. Ky institucion nuk ka vepruar konform standardeve ndërkombëtare të kostove mjedisore, që janë kusht kryesor për të gjitha lejet koncesionare.

Në forum u kërkua vënia dorë dhe përmirësimi sa më i shpejtë i legjislacionit mjedisor sipas standardeve të Bashkimit Europian. Forumi është i pari në llojin e tij, që vlerëson se mundësia më e madhe e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik është konsiderimi i rajonit të lumit Vjosa si një të tërë, duke tejkaluar kufijtë shtetërorë Shqipëri-Greqi. Aty u diskutuan potencialet, problematikat dhe zgjidhjet e mundshme që paraqet rajoni i përshkuar nga lumi Vjosa.

Në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të luginës së Vjosës dhe vlerësimit të plotë financiar sipas modeleve më të mira ndërkombëtare u shpreh edhe Arben Malaj, rektor i Universitetit “Luarasi”.

Në forum u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Lumit Vjosa nga kryetarët e 9 bashkive të Greqisë dhe Shqipërisë. Pjesëmarrës në panelet e forumit ishin edhe përfaqësues nga institucionet qendrore dhe vendore, agjenci kulturore dhe rrjete mjedisore të vendit e ndërkombëtare, institucione financiare, bota akademike etj.

Lumi Vjosa, i njohur në të gjitha guidat e industrisë turistike botërore, si lumi i vetëm i egër në Europë shoqëruar edhe me vlerat e larta mjedisore dhe natyrore të rajonit që ai përshkon, përbën një pasuri të jashtëzakonshme mirëqenieje për qytetarët dhe ekonominë kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura