Luanët e kinemasë botërore nisin garën në Venecia

Aug 31, 2011 | 11:27
SHPËRNDAJE
Posteri i filmit “The ides of march” me regji të George Clooney

Me të vërtetë një fillim luanësh… Sot do ta hapë George Clooney me filmin politik që mban regjinë e tij “The ides of march”, nesër do të jetë Madonna me një film të sajin e Kate Winslet, protagoniste në filmin me regji të Roman Polanskit…Për të 68-in vit me radhë, zhvillohet në Venecia Festivali Ndërkombëtar i Filmit. Një nga ngjarjet më të mëdha kinematografike të vitit, një festival luanësh, që hapet sot e do të vijojë deri më datë 10 shtator. Sipas mediave italiane, ky edicion do të mbahet mend në histori si viti i kthimit të yjeve të mëdhenj. Kjo e ka rritur tensionin dhe padurimin në qytetin “mbi ujë”, i cili gjatë ditëve të festivalit do të gëlojë nga të ftuarit, nga aktivitetet e bamirësisë, mbrëmjet homazh, nga gazetarët dhe pa harruar thashethemet. Kanë filluar tashmë aktivitetet promocionale, ndërsa janë bërë të njohura hotelet ku do të qëndrojnë miqtë gjatë këtyre ditëve. Sigurisht, fasada dhe shkëlqimi i këtij festivali është i jashtëzakonshëm, po çka e mban këtë ngjarje të madhe kinematografike është gara. Gara për “Luanin e Artë” e çmimet e tjera në të gjitha kategoritë e festivalit. Kështu do të konkurrojnë plot 22 filma në garën kryesore të Festivalit, në atë ndërkombëtare “Venecia 68”. Janë filma nga SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Kina, Japonia, Rusia, Greqia, Italia etj. Pikërisht në këtë seksion garojnë Clooney dhe Polansky, filmat e të cilëve trajtojnë tema tërësisht të ndryshme. Polansky, i cili në kastin e vet ka aktorë si Kate Winslet, Christoph Waltz, Jodie Foster dhe John C Reilly fokusohet në një temë familjare, ndërsa Clooney, i cili luan rolin e një kandidati për president, në krah të aktorëve Marisa Tomei e Ryan

Regjisori Roman Polansky dhe kasti i filmit “Carnage”

Gosling, futet në labirintet e errëta të politikës (Nuk është hera e parë për Clooney-n që tenton në të tilla terrene. Kujtojmë “Good night and good luck”, “Syriana” etj.) Në krye të jurisë që do të ndajë “luanët” është regjisori Darren Aronofsky, që mori më shumë famë me filmin “Mjellma e zezë”, me protagoniste aktoren Natalie Portman, e cila i mori të gjitha çmimet për rolin e saj, përfshirë këtu “Oscar” e “Golden Globe”. Një tjetër seksion i rëndësishëm, që paraqet të gjitha rrymat e reja në kinematografinë botërore është “Horizonte”, ku do të shfaqen 60 filma nga vende të ndryshme të globit. Filmi italian meriton një seksion më vete, “Controcampo italiano”, ku gjithashtu do të paraqiten linjat dhe tendencat e reja në kinemanë e fqinjëve. Nuk do të mungojë shfaqja e filmave të mëdhenj, jashtë konkurrimit, që mbajnë firmën e emrave të njohur të kinemasë, si dhe një retrospektivë për kinemanë italiane të viteve ’60-’78.
Si do të ishte Italia pa emigrantët?
Regjisorët italianë kanë filluar t’i hedhin sytë gjithnjë e më shumë nga temat që lidhen me emigracionin. Pyetja që ata i drejtojnë publikut, por edhe vetes është: Si do të ishte Italia pa ekstrakomunitarët? Nuk do të mungojnë këta filma edhe

Diego Abatantuono, aktori italian në filmin antiracist “Cose dell’altro mondo”

në edicionin e 68-të të Venecias. Madje-madje nuk do të mungojë edhe një publik i përzgjedhur emigrantësh. Më 5 shtator, një varkë do të sjellë emigrantë nga Senegali, Bregu i Fildishtë dhe Benini. Një gjetje e regjisorit Guido Lombardi për të prezantuar filmin e tij “Là-bas-Educazione kriminale”. Filmi italian, i vetmi në garë në seksionin “Settimana della Critica”, rrëfen ditët dramatike të dhunës ndaj imigrantëve zezakë në Castel Volturno. Në qendër të filmit është historia e një të riu ekstrakomunitar, që vjen në Itali plot shpresa, por që i duhet të përballet me një realitet të egër, ashtu si nuk e kishte ëndërruar. Në seksionin “Controcampo italiano” konkurron filmi i Francesco Piaternos, “Cose dell’altro mondo”, që ka për protagonist Diego Abatantuono në rolin e një sipërmarrësi ksenofob. Në film, Abatantuono predikon urrejtjen raciale dhe dëbimin e të huajve, deri kur ëndrra e tij realizohet si një mrekulli dhe një ditë qyteti i tij gdhihet pa të huaj. Sistemi ekonomik paralizohet, duke nxjerrë në pah rëndësinë e të huajve në shoqërinë italiane. Kjo temë e kapur nga Piaterno nuk ka kaluar pa reagime nga italianët e veri-lindjes, të cilëve u adresohet më shumë filmi. Ata e kanë konsideruar “fyes” dhe kanë bërë thirrje për bojkot të tij. Jashtë konkurrimit është filmi i Ermanno Olmit “Il villaggio di cartone”, ku denoncohet humbja e solidaritetit dhe ku “të braktisurit e vërtetë të Ungjillit janë tashmë imigrantët”. Ndërkohë që në garë për “Luanin e Artë” është “Terraferma”, i Emanuele Crialeses. Një film mbi përballjen dhe bashkëjetesën e kulturave të ndryshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura