Luan Rama kujton takimin në Paris me Ibrahim Kodrën, Kadarenë e Bulkun

May 3, 2018 | 10:20
SHPËRNDAJE

Kodra ka vite që ka vdekur. Emri dhe arti i tij bënë histori: nga kodra e Ishmit ku u rrit jetim, pastaj përmes detit dhe bohemia e tij si artist në Itali. Shqipëri-ItaliEuropë… Përveç disa studimeve të pakta mbi veprën e tij, pa dyshim një njohës i mirë i artit piktural, do të na sillte refleksione të tjera dhe më të thella për veprën e tij, pasi piktura, siç dihet ka gjuhën e vet, ashtu siç e kanë të gjitha artet e tjera, apo siç ka gjuhën e vet dhe lëvizja e trupit, “fjalori” i një koreografi të vërtetë.

Nganjëherë, vizionet e reja i kanë sjellë dhe shkrimtarët që e kanë dashur shumë pikturën, siç ishte André Malraux me “Le Musée imaginnaire” apo “Ecrits sur l’Art”; Louis Aragon me “Henri Matisse roman” apo “Ecrits sur l’art modern”, apo Paul Eluard me “Anthologie sur les écrits sue l’art”, pa përmendur këtu një nga kritikët e hershëm francez, poetin e shquar Charles Baudelaire, i cili e shikonte pikturën ndryshe nga bashkëkohësit e vet.

Një kujtim në Paris me Ibrahim Kodrën, në ekspozitën e tij në vitin 1992. I rrethuar me dashuri dhe nga Kadare, Bulku dhe unë Formatet e pikturës së Kodrës janë të zakonshme, në përgjithësi as shumë të mëdha dhe as shumë të vogla, e megjithatë, disa peizazhe me elemente të formave gjeometrike të frymëzojnë për t’i parë ato në dimensione të mëdha apo shumë të mëdha, duke marrë trajtën e pikturës monumentale.

Kjo, sigurisht, është një pyetje që i adresohet më shumë kuratorëve të artit. Mbase Kodra nuk e ka pas menduar këtë, ose ndoshta e ka menduar gjatë realizimit të saj për vetë forcën figurative të kompozimit, por sidoqoftë, kjo do t’i kërkonte një atelier të madh dhe pikësë- pari një sipërmarrës të fuqishëm, që do t’i komandonte një vepër të tillë dhe këtë ai nuk mund ta siguronte dot.

Diego Rivera e kishte këtë mundësi. Sipërmarrësit e tij vendas dhe të huaj, amerikanë, i dhanë mundësi të bënte piktura monumentale, afreske e mozaikë gjigantë, çka hynë në fondin e artë të artit meksikan. Kështu ai realizoi “Dreamstime”, “Nën një qiell të mjegullt” apo “Revolucioni si ritual”, etj.

Por a e ka Kodra një mundësi të tillë për t’u përdorur në një pikturë monumentale? Mbase gabohem, por personalisht them se po. Po t’i shohësh me vëmendje tablotë e tij për një kohë të gjatë, tablo të llojit të “Oltremare”, ku harmonia e ngjyrave dhe kompozicioni krijojnë një sublimitet më vete dhe diçka ngazëlluese, njeriu krijon një tjetër perceptim të veprës. Dhe të ndodh që duke hyrë në atë lojë ngjyrash e figurash gjeometrike, ta imagjinosh veten përballë një imazhi monumental.

Është një lloj tërheqjeje që arti i bën njeriut, një lloj “thithjeje”? Këndej, edhe mundësi për ta nxjerrë Kodrën nga korniza e një tabloje, e një ekspozite dhe për ta ekspozuar atë në rrugë, për ta nxjerrë jashtë, në jetën e përditshme qytetare, mes njerëzve, në fasadat e mëdha apo holle institucionesh, qendrash kulture, holle hotelesh moderne, që po i shtohen Shqipërisë.

Sigurisht, jo pak do mendonin se kjo mund të ishte një lloj aventure dhe se nuk kemi pse ta nxjerrim Kodrën nga kuadri ku e ka vendosur ai. Por nga ana tjetër, asnjë kurator modern dhe i njohur europian, apo i përtej Atlantikut, nuk e ka pyetur as Leonardo Da Vinçin, as Raffaello-n, as Botiçelin dhe radhën e gjatë të gjenive të “Rinachimento”-s për t’i ekspozuar veprat e tyre në hapësira gjigante siç i shohim nëpër botë, ku hiret e tyre veç janë ekspozuar më me dritë, duke i bërë nder vetë pikturës dhe krijuesit të saj.

Kjo i jep artit një mision akoma më qytetar, e afron artin te publiku, e bën të prekshëm nga të gjitha shtresat e popullsisë, nga të gjitha kategoritë e niveleve kulturore, moshave, etj. Në fund të fundit, njeriu i rrugës dhe kalimtari më i thjeshtë ka nevojë për bukurinë e artit të të gjitha epokave njerëzore!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura