Logjikë politike kundër hipnozës publike

Oct 31, 2012 | 12:18
SHPËRNDAJE

ELMAZ SHERIFI

Politika dhe politikanët në Shqipëri nuk vlerësohen sipas standardeve të vendeve të qytetëruara. Politika nuk shihet si profesion dhe mision publik për të mira publike, por si shpërblim e mjet pasurimi.  Ndërsa politikan i zoti konsiderohet ai që e shfrytëzon funksionin në administratën shtetërore për t’u pasuruar vetë dhe grupi i interesave partiake. Kjo mendësi politike po shndërrohet në psikologji shoqërore, aq sa edhe të rinjtë joshen që në shkollën e mesme nga “organizatorët” partiakë për t’u strukturuar politikisht si vullnetarë apo anëtarë komisioni në zgjedhje, duke e konsideruar si investim i artë për karrierë të pamerituar e pasurim. “Organizatorët” partiakë, në fakt, u ofrojnë si model përvojën e tyre, kur si me magji hipnotizuese, brenda një dekade, nëpërmjet politikës, jo biznesit, nga të varfër janë bërë miliarderë. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe biznesmenë të mahnitur nga magjia hipnotizuese e politikës paguajnë për t’u bërë politikanë, pasi kuptuan se në Shqipëri, politika e shton kapitalin më shpejt dhe pa sakrifica. Hipnoza  politike e ndihmuar nga media po e zhvlerëson logjikën politike, politikën si profesion dhe moralin politik. Tashmë në Shqipëri hipnoza politike e pasurimit po shndërrohet në hipnozë publike dhe psikologji shoqërore. E pavetëdijshmja kolektive e mbështetjes së partive për traditë ideologjike po gërshetohet me pragmatizmin politik të interesaxhinjve, të cilët kanë aftësinë që mirëqenien e tyre e propagandojnë si mirëqenie të gjithë shoqërisë. Ky realitet politik ushqehet edhe nga shkalla e lartë e papunësisë dhe varfëria relative në rritje, sidomos tani që efektet e krizës po ndihen shumë fort edhe në Shqipëri.
Partitë politike po shndërrohen në Totem politik për tradicionalistët idealistë dhe në zyra punësimi për pragmatistët, të cilët i ndryshojnë bindjet politike për vendin e punës. Kriter i vetëm i rekrutimit për partinë dhe ustallarët e “xhepave” me funksione shtetërore është vota për partinë që përfaqësojnë dhe fondet okulte që akumulojnë. Kjo bëhet me synimin që me lekët e mbledhura të blejnë votën e të varfërve dhe të pashpresëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe për pagimin e  komisionerëve që trafikojnë votat nga “partia kundërshtare” te “partia aleate”.
Ese filozofike & situata humoristike
Profesori i shkencave sociale e politike, i mirënjohuri Artan Fuga, në rrjetin social “Facebook”, shpesh me ese filozofike, “teston” reagimin e njerëzve të thjeshtë për shqetësimet e mëdha.
Kjo metodë i shërben të bëjë formulime filozofike, për t’i ofruar politikës zgjidhje sociale.
Më 27 tetor, pas verës së tejzgjatur, kur shiu i rrëmbyeshëm mbulonte rrugët e Tiranës, për ironi të “virtual realiteteve politike”, profesori, i fokusuar te shqetësimet e përditshme, krijonte ese me këpucarë e taksistë, si kategori sociale me tipare psikologjike interesante, për të “zbuluar” me stil nolist anarkitë e realitetit shqiptar. Një komunikim virtual interesant për taksistët që ankohen për çmimin e karburantit, kur ata  gjithçka ia faturojnë klientit,… që ditët me diell thonë “na myti vapa”, kurse në ditë me shi “na myti shiu”.
Por çdo herë thonë: “Ka ra puna fare”! Profesori sajon pakënaqësi me taksistë që e bezdisin me fjalorin dhe “gjobën” e hidhur, për të portretizuar psikologjinë shoqërore, me synim që të “fluturojë” te një realitet tjetër shqetësues, te pushteti i katërt. Me formulimin filozofik se “të folmen e taksistëve e ka prish e folmja e opinionistëve nëpër televizione”. Ose e kundërta, “sepse ka shumë opinionistë që flasin si taksistë”, si duket stigmatizon situatat dëshpëruese të opinionbërësve mediatikë, të cilët me kompetencën e inkompetentit mendojnë se mund të përcaktojnë të ardhmen e partive politike ose të politikanëve të veçantë. Ese me taksistë e këpucarë janë qasje filozofike dhe aspak pakënaqësi a përbuzje për këtë grupim social. Por ai është apel edhe për formuluesit e politikave financiare dhe administratën tatimore, të cilët si formulon Ai, në gjuhën e taksidarëve, “taksisti është biznesmen, taksia ndërmarrje, kurse njeriu klient. Bujku i gjorë quhet fermer, një truall i pisët quhet parking, kurse Tirana metropol”. Në një moment me humor u drejtohet “zgjidhësve” rastësorë të eseve: “Ore, keni punë tjetër ju sot, apo do ta kaloni me mua që nuk dal dot se më fusin këpucët ujë?”. Dhe vazhdon formulimi i eseve me këpucarë: “Pse te këpucari rrinë gjithmonë tre a katër fansa, ashtu për muhabet?”, e të tjera ese për këpucarë.
Për koincidencë a për ironi, në të njëjtën kohë që profesori Fuga po komunikonte në Facebook për esetë e tij filozofike, zhvillohej Konventa e LSI-së, të cilën disa televizione e jepnin “live”, dhe organizatorët për këtë eveniment politik shpallën një konkurs për “vjershën” më të mirë.
Fitues u shpall i riu i talentuar me krijimin “U rrita ashtu si ti, moj e bukura LRI. Unë pa ty nuk mund të rroj, LSI-në e dashuroj”. Krijuesi i vjershës për LSI-në, ditën me shi fitoi një iPhone, ndërsa zgjidhësit e eseve të profesorit fituan kulturën e dialogut filozofik, me nuancë të theksuar politike.
Logjika politike dhe shtatë anarkitë
Sipas politologëve të njohur botërorë, politika duhet të shndërrohet në mrekullinë e tetë të botës, për të parashikuar të ardhmen politike – ekonomike dhe parandaluar krizat që vështirësojnë jetën dhe  ulin cilësinë e saj. Politika modernizohet kur largohet hipnoza politike dhe veprohet me logjikë politike. Logjika politike mbështetet në ligjësitë e logjikës formale dhe ligjet e logjikës formale nuk mund të bashkëjetojnë me idetë anarkiste. Në qoftë se do të përdornim stilin nolist të politikëbërjes, do të thosha se edhe në njëqindvjetorin e themelimit të shtetit, politika shqiptare ka tipare të forta anarkiste.
Anarkia e parë: Me Kushtetutë, sistemi i qeverisjes në Shqipëri bazohet në ndarjen, balancimin dhe funksionimin e pushteteve në mënyrë të pavarur. Ndërsa partitë synojnë që institucionet politike të shtetit t’i zëvendësojnë me marrëveshjet e kryetarëve të partive, të cilët po e fuqizojnë pushtetin individual mbi strukturat partiake dhe mbi institucionet politike të shtetit.
Anarkia e dytë: Me Kushtetutë jeta politike duhet të zhvillohet në Parlament, sipas normave juridike kushtetuese dhe Rregullores së Parlamentit. Në realitet, grupe parlamentare praktikojnë politikën e bojkotit dhe aktivitetin e zhvillojnë në rrugë, duke e kushtëzuar rikthimin në Parlament me kërkesa partiake.
Anarkia e tretë: Me Kushtetutë, organ i vetëm i akuzës së shtetit është Prokuroria. Në Shqipëri, partitë politike janë shndërruar në akuzatore publike për shumë shkelje ligjore, sipas tyre. Ato  de facto kanë marrë rolin e Prokurorisë. Ndërkohë, Prokuroria hesht sikur të ishte parti politike, dhe jo organi zyrtar i akuzës.
Anarkia e katërt: Me Kushtetutë dhe me ligj, partitë politike organizohen dhe veprojnë mbi parime demokratike, dhe nuk duhet të bëjnë greva e demonstrata si mjete politike, por tubime e manifestime sensibilizuese. Në Shqipëri, kryetarët e partive dhe struktura partiake shpërndajnë ftesa për greva e demonstrata për rrëzimin e diktaturës si thonë ato. Bllokojnë rrugë e ura, sikur të ishin shoqata e grupe interesi dhe ushtrojnë presion me turma mbi institucionet politike të shtetit, duke dëmtuar regjimin juridik kushtetues.
Anarkia e pestë: Kudo në botën demokratike e të qytetëruar grevat nga subjektet e legjitimuara përdoren si mjet sensibilizues demokratik për të ndikuar te institucionet shtetërore vendimmarrëse, për interesa jo politike. Në Shqipëri, grevat i bëjnë edhe grupe parlamentare dhe grupe interesi si mjet për arritjen e qëllimeve dhe objektivave politike.
Anarkia e gjashtë: Në botën demokratike, koalicionet politike bëhen mbi platforma politike, për forcimin e institucioneve të shtetit dhe përmirësimin e mirëqenies së shtetasve, ndërsa karriera politike bëhet mbi kriterin e meritës, aftësisë profesionale dhe të moralit politik.
Në Shqipëri, kriteri i vetëm për koalicionet  politike është pushteti. Ndaj ndodh që  kundërshtarët akuzues të njëri-tjetrit, për interesa pushteti e tej çdo morali politik, bëhen aleatë brenda natës. Në Shqipëri, karrierë politike  bëjnë të akuzuarit për korrupsion dhe xhepaxhinjtë e administratës shtetërore, të cilët u japin leksione të aftëve e të ndershmëve për moralin politik.
Anarkia e shtatë: Në vendet e pasura të botës demokratike, fushatat zgjedhore janë shumë të thjeshta e pa shpenzime luksoze. Në këto vende janë qytetarët që financojnë me transparencë të plotë, partitë dhe kandidatët që ata dëshirojnë të fitojnë pushtetin.
Në Shqipërinë e varfër, me pushtetarë të pasur, fushata elektorale dhe aktivitete partiake bëhen me shpenzime marramendëse nga “ndërmarrjet parti” shumë të pasura, të cilat financojnë në fshehtësi e jashtë transparencës ligjore, individë e grupe individësh, në kompensim të blerjes së votës, për pushtetin që u sjell fitime marramendëse.
Kjo është situata social – politike, në vigjiljen e   festimit të njëqindvjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, të cilin do ta cilësoja si  shekulli i pushtetarëve.
Por ky anormalitet nuk do të vazhdojë më në shekullin e dytë të pavarësisë, të cilin do ta konsideroj si shekullin e qytetarëve me mendësi europiane.
Zgjimi nga mosbesimi do të vijë në zgjedhjet politike të vitit 2013!
*Kryetar i Partisë
“Lidhja për Drejtësi e Progres”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura