Lista/ Kompania farmaceutike e Doshit, më e favorizuara prej Beqajt

Dec 25, 2015 | 17:54
SHPËRNDAJE

Kompania farmaceutike “Profarma” ku deputeti Tom Doshi zotëron 49 për qind të aksioneve rezulton më e favorizuara në listën e ilaçeve të rimbursueshme nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Lista e siguruar ekskluzivisht nga HashtagAL, tregon se medikamentet kryesore të kësaj kompanie janë shpallur si “alternativë e parë” nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2015, çka do të thotë se kanë qenë më të favorizuarat për të përfituar nga skema e rimbursimit të ilaçeve.

Logo-Profarma-me-Faximile

Hartimi i kësaj liste të ilaçeve është bërë në fund të muajit Mars 2015, që koinçidon dhe me kulmin e konfliktit politik mes Doshit dhe Metës, ndërsa largimi i Doshit asokohe prej grupit parlamentar të PS­së është shoqëruar me rritjen e përfitimeve të kompanisë së tij nga skema e rimbursimit të ilaçeve.

Ministria e Shëndetësisë akordoi në mars 2015 një fond prej 8.9 miliardë lekësh, afro 85 milionë dollarë për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore, ndërsa bëhet e qartë se kompania “Profarma” është më e avantazhuara sa i takon rimbursimit të barnave. Është ende e panjohur dhe e pashpallur zyrtarisht vlera ekzakte e përfituar nga kjo kompani për vitin 2015. Për 30% të barnave të listës së rimbursimit të vitit 2015, çmimet janë rritur 50­150 % krahasuar me vitin 2014.

Procesi i hartimit të kësaj liste nuk ishte transparent, ndërsa çmimet e barnave nuk u vendosën mbi bazën e negociatave apo deklarimeve të kompanive farmaceutike. Disa kompani farmaceutike pretenduan se çmimet e këtyre barnave u vendosën në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Shëndetësisë dhe objeksionet e pjesës dërrmuese të këtyre kompanive u shpërfillën.

Në gusht të këtij viti, në një intervistë për gazetarin Denion Ndrenika, ministri i Shëndetësisë u pyet në lidhje me dyshimet për favorizimin e njëanshëm të kompanisë së Tom Doshit, ndërsa z.Beqaj, duke vënë buzën në gaz u përgjigj:

“Le të themi që, nëse sot Tom Doshi ka interesa te “ProFarma”, “ProFarma” është një fabrikë 60­vjeçare barnash në Shqipëri. Ka prodhuar barna gjithë jetën dhe bile kur kemi qenë fëmijë edhe unë edhe ti (qesh), me penicilinat e “ProFarmës” na kanë mjekuar prindërit.” /HashtagAlbania.com/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura