Lionel Mesi: Do t’ia dalim të kualifikohemi

Apr 30, 2013 | 12:31
SHPËRNDAJE

Mesazhi është i qartë dhe i shkurtër: “Jemi gati për përmbysjen”. Leo Mesi, përmes një mesazhi të shkurtër në rrjetin e tij social, beson se Barcelona do të arrijë të gjejë forcat për të përmbysur 4 golat e Bajernit në “Alianc-Arena” nesër në “Kamp Nou”. “Topi i Artë”, krejtësisht jashtë forme në ndeshjen e parë, shënoi një gol të mrekullueshëm në “San Mames” ndaj Atletik Bilbaos këtë fundjavë, dhe shprehet se i vjen keq që nuk mundi dot të ndihmonte blaugranat të triumfonin. “Atë gol që pësuam në fund, mund ta evitonim dhe më vjen keq që nuk fituam dot. Por tashmë gjithçka është harruar. Kemi një ndeshje me Bajernin dhe jemi gati”, – shkruante argjentinasi një ditë më parë. Dje skuadra ka pushuar, por jo ylli i saj dhe trajneri Tito Vilanova, të cilët kanë qenë në qendrën stërvitore për të përgatitur detajet e fundit të “remuntadas”. Për Leon vijoi stërvitja në palestër edhe ditën e hënë, ashtu si 48 orë më parë. Numri “10” shpreson që të frymëzojë katalanasit për të shënuar 5 golat, që u duhet për të eliminuar Bajernin dhe prerë biletën në finalen e “Uembli”-t më 25 maj. Sakaq, bastet as që e mendojnë një përmbysje të avantazhit 4-0 të Barcelonës në “Kamp Nou”, ndërsa sipas tyre shanset që ata të eliminojnë Bajernin e Mynihut janë thuajse zero. Ata që do të vendosin bast se kualifikohet Bajerni, do të përfitojnë vetëm 1.030 të shumës së vendosur. Ndërsa ata që do të guxojnë të parashikojnë “remuntadën” e Barcelonës, do të shpërblehen me një koeficient 19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura