Lind nga perëndon

Oct 31, 2012 | 12:21
SHPËRNDAJE

LEONARD DEMI

Me shpalljen e pavarësisë,  pothuajse për njëqind vjet me radhë, Amerika ka mbrojtur me këmbëngulje Shqipërinë, pavarësinë dhe mëvetësinë e saj, që nga Presidenti Uillson (Woodroë Wilson) e deri sot te Presidenti Obama, që nga sekretari i Shtetit, Çarls Evans Hjuz (Charles Evans Hughes), deri te sekretarja Hilari Rodam Klinton (Hillary Rodham Clinton), e cila nesër mbërrin në Tiranë.
“Në Konferencën e Paqes unë kam një zë, – i tha Presidenti Uillson Delegacionit shqiptar që mori pjesë në Kongresin e Kombeve të Shtypura, – dhe do ta përdor atë në favor të Shqipërisë”. Dhe me memorandumin e 9 dhjetorit 1919, Presidenti iu tha fund pretendimeve për copëtimin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, Presidenti Uillson denoncoi dhe pengoi copëtimin e Shqipërisë të parashikuar në Marrëveshjen e Fshehtë të Londrës të vitit 1915 dhe deklaroi se qeveria amerikane as ishte pjesëtare e kësaj marrëveshjeje, dhe as do ta njihte kurrë atë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e njohën kurrë aneksimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, Amerika refuzoi të njihte qeverinë kukull shqiptare dhe inkurajoi luftën tonë antifashiste dhe unitetin e vendit. Nëpërmjet sekretarit të Departamentit të Shtetit, Kordel Hall (Cordell Hull), bënte thirrje për vetëqeverisje në kontekstin e restaurimit të një Shqipërie të lirë sipas “Kartës së Atlantikut”.
Ndihma e pakursyer dhe e pakrahasueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për forcimin e sistemit demokratik në Shqipëri shënuan fillimin e një epoke të re, atë të ndryshimeve rrënjësore demokratike të pashmangshme, transformimin e vendit në një shoqëri demokratike të drejtuar nga ligji dhe ekonomia e tregut të lire, që respekton të drejtat e njeriut, fqinjësinë e mirë dhe të integruar në institucionet euroatlantike.
Kjo ndihmë përfshin:
– Nxitjen dhe forcimin e institucioneve demokratike (Kuvendi, krijimin e shtetit ligjor, pluralizmin demokratik, trajnime për median, rrjetin demokratik të organizatave joqeveritare shqiptare (OJQ) në të gjithë vendin etj.);
– Fushën e arsimit (reforma arsimore dhe trajnime të ekspertëve të arsimit, shkencës dhe kulturës në Shtetet e Bashkuara);
– Zhvillimin e ekonomisë tregut (privatizimi i  ndërmarrjeve, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së biznesit, reforma në sektorin e financave, krijimi i Fondit Amerikano-Shqiptar për ndërmarrjet private, zhvillimi i të drejtës tregtare, zhvillimi i burimeve njerëzore për një ekonomi tregu, trajnime për fitimin e aftësive për punë, aftësim për ekonomi tregu, trajnime në Shtetet e Bashkuara të specialistëve të fushave të ndryshme, specializime për administrimin e biznesit etj.);
– Fushën e financës (marrëveshje tregtare, marrëveshje ekonomike, marrëveshje për mbrojtjen dhe nxitjen e investimeve me OPIC, traktati për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve etj.);
– Zhvillimin e bujqësisë (politikat bujqësore dhe kërkimi, statistikat bujqësore dhe informacioni mbi tregun, zhvillimi i biznesit bujqësor dhe fuqizimi i Universitetit Bujqësor të Kamzës, programin e zhvillimit të bujqësisë, programin e zhvillimit të pylltarisë private të Shqipërisë, vullnetarët për ndihmë (VOCA), fushatën për të ndihmuar në permiresimin e gjendjes së blegtorisë etj.);
– Fushën e industrisë (në industrinë minerare dhe burimeve energjetike, nxjerrjen e naftës, ndërtim dhe turizëm etj.);
– Fushën transportit dhe tregtisë;  
– Rendin (programi OPDAT dhe ICITAP, të cilët ndihmojnë në forcimin e strukturave të zbatimit të ligjit, luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve, trajnime të gjyqtarëve, policëve, prokurorëve, menaxhim të burimeve njerëzore, arsim, pajisje etj.);
– Mbrojtjen dhe sigurimin (reformimi, arsimimi dhe modernizimi i Forcave të Armatosura dhe të sigurisë sipas standardeve të NATO-s, mbështetje të pakufishme për integrimin atlantik dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut pa të cilën ky sukses historik që pas pesë shekujsh na ktheu në familjen tonë, do të ishte i pamundur);
– Përmirësimin e cilësisë së jetës (zhvillimin e urbanistikës dhe të strehimit në të gjithë vendin, binjakëzime në shëndetësi, përmirësimin e administrimit në shëndetësi, tregun e punës dhe punësimin, qendrën për fëmijët e pastrehë etj.).
Në këtë fund shekulli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihmuan Ballkanin Perëndimor të dalë nga lufta në paqe, nga dizintegrimi në zhvillim të qëndrueshëm dhe u ofruan të gjitha shteteve të tij një të ardhme euroatlantike.
Zonja Sekretare, për të gjitha këto, ne do t’ju jemi për jetë mirënjohës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura