Liljana Kondakçi i kthehet muzikës, këndon mbrëmjeve në lokal luksi

Jul 16, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Kur dy vite me pare u deportua në Shqipëri, pas një historie të gjatë narkotrafiku, Liljana Kondakçi zgjodhi që të rrinte larg mediave, por edhe publikut. Një vendim i përkohshëm gjithsesi, pasi kush është mësuar me skenën, nuk rri dot larg saj. Tashmë 61-vjeçarja ka gjetur mënyrën për t’u kthyer te publiku dhe paralelisht edhe të fitojë para, sepse, siç ka deklaruar ajo vetë, nuk është e pasur.

Liljana Kondakçi duke kënduar në lokal

Mësohet se Liljana këndon mbrëmjeve në një restorant luksoz në Durrës. Dhe aq shumë i pëlqen puna e re, saqë ka përshtatur ekstra disa këngë të huaja për zërin e saj, të cilat i shfaq “premierë” para klientëve të restorantit. Siç janë “Je ne sais quoi” (Hera Bjork, këngë e Eurovizion), “Lontano dagli occhi”, e të tjera këngë të famshme, të cilat, nëse i dëgjon nga Liljana, duket sikur janë krijuar për atë. 


Miq pranë saj flasin edhe për një rikthim të Liljanës në Festivalin e RTSH-së, por deri atëherë mbetet për t’u parë. Kujtojmë këtu se ajo ka marrë pjesë nga Festivali i 6-të e deri në të 28-n, pa ndërprerje, duke shënuar kështu një rekord. Liljana Kondakçi është motra e vetme e dy vëllezërve, e martuar që 18 vjeçe me artistin e Operës, Bari Fuga. Vetëm 19 vjeçe u bë nënë për herë të parë me vajzën Joana dhe më pas, me djalë. Dy fëmijët e këngëtares gjithashtu kanë ndjekur gjurmët e artit të prindërve: vajza është violiniste në Selanik prej 22 vitesh, ndërsa djali është piktor në Tiranë.

Liljana është edhe gjyshe prej dy dekadash, pasi ka nipin e madh 21 vjeç. Në vitin 2006, ajo pati probleme me Drejtësinë dhe pas shumë peripecish, përfshirë 2 vite e 8 muaj pas hekurave në Itali, u rikthye në Tiranë në vitin 2013. Gjatë kësaj periudhe ajo ka ndenjur disi e mënjanuar, por muajt e fundit po bëhet gjithnjë e më aktive. Siç duket, ajo e ka lënë të shkuarën pas krahëve dhe duke u marrë me muzikë, ndihet fort mirë, siç edhe e shpreh shpesh në Facebook.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura