Ligji, zbardhen ndryshimet në arsimin parauniversitar, mësuesit do emërohen nga drejtori i shkollës

Mar 6, 2015 | 12:31
SHPËRNDAJE

Zbardhen ndryshimet që do të pësojë arsimi parauniversitar në vend duke nisur që nga viti i ardhshëm shkollor, 2015-2016.

Universiteti i Filologjisë

Projektligji i dorëzuar një ditë më parë në Kuvend, pritet të sjellë ndryshime thelbësore jo vetëm në kurrikulat arsimore, por edhe në sistemin e shkollimit dhe përzgjedhjen e mësuesve. 

Ndryshim do të pësojë pika 2 e nenit 22, ku sistemi bazë arsimor ishte parashikuar 6+3+3, por që me projektligjin e ri do të ruhet ai aktual, 5+4+3. “Përvoja tregon se kompetencat profesionale të më- suesve të shkollave tona fillore nuk janë në nivelin e duhur. Kjo ka vështirësuar zhvillimin e mësimit në disa lëndë. Dhe propozimi ynë është ruajtja e strukturës 5+4+3, e cila reflektohet në ndryshimin që i bëhet nenit 22, pika 2 e ligjit aktual”, thuhet në relacionin që MAS i ka paraqitur Kuvendit.

Kështu, arsimi fillor do të përbëhet nga 5 klasa, nga klasa e parë deri në të pestën, ndërsa arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga 4 klasa, nga klasa e gjashtë në të nëntën. Po ashtu, një ndryshim tjetër me shumë rëndësi flet për tekstet shkollore. Duke nisur nga viti që vjen, nuk do të ketë më altertekst.

Në të gjitha institucionet shkollore të sistemit parauniversitar, tekstet e nxënësve sipas klasave do të jenë të njëjta, ndryshe nga larmia e teksteve që gjenden aktualisht brenda së njëjtës klasë e për të njëjtën lëndë. Në nenin 47, pikat 2 dhe 3 do të përmblidhen në një të vetme, duke cituar: “Tekstet për nxënësit janë unike për çdo lëndë ose fushë të të nxënit, sipas klasave në të gjitha shkollat. Ato sigurohen nga botuesit vendës dhe të huaj. Tekstet certifikohen nga ministria”.

Teksti shkollor do të përzgjidhet nëpërmjet konkurrimit të barabartë, transparent dhe në standardet e procedurat e përcaktuara me udhëzim të Ministrisë. Një tjetër nen i ndryshuar dhe që do të sjellë ndryshim në arsim do të jetë përzgjedhja e më- suesve, që sipas projektligjit duhet të emërohet nga drejtori i institucionit arsimor, me konkurrim të hapur.

Ndryshe nga i mëparshmi, i cili ua jepte këtë kompetencë drejtorive arsimore rajonale. “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit arsimor, me konkurrim të hapur. Procedurat e konkurrimit dhe vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”, thuhet në projektligj.

NDRYSHIMET NË PROJEKTLIGJ

ISHTE: Neni 22, pika 2 Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga gjashtë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e gjashtë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga tri klasa, nga klasa e shtatë deri në klasën e nëntë.

BËHET: Neni 4 “Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë”.

ISHTE: Neni 47 “Tekstet për nxënësit janë alternative. Ato përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, në prani të prindërve, pas certifikimit nga ministria. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 2. Numri i alternativave të teksteve shkollore për lëndë dhe klasë nuk kufizohet.

BËHET: Neni 6 “1. Tekstet shkollore përzgjidhen mbi bazën e standardeve të teksteve nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent. Procedurat e zhvillimit të konkursit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Tekstet për nxënësit janë unike për çdo lëndë ose fushë të të nxënit, sipas klasave dhe për të gjitha shkollat. Ato sigurohen nga botuesit vendës ose të huaj. Tekstet certifikohen nga ministria”.

ISHTE: Neni 60 “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit për vlerësimin. Komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, kryetarin e bordit të institucionit, kryetarin e këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues që zgjidhen nga këshilli i mësuesve në atë institucion.

BËHET: Neni 8 “Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune, mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit arsimor, me konkurrim të hapur. Procedurat e konkurrimit dhe vlerësimit përcaktohen me udhëzim të ministrit”.

Besarta Basha 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura