Ligji për investimet, ja si do shpronësohen privatët

May 19, 2015 | 22:56
SHPËRNDAJE

Problemet e pronësisë renditen të parat në raportet e BE, FMN e Bankës Botërore, si pengesë kryesore për rritjen e investimeve. Në ligjin e ri “Për investimet strategjike”, duket se qeveria e ka gjetur ilaçin”.

 Por zgjidhja e qeverisë edhe pse mund të favorizojë investitorët e mëdhenj, do të jetë shumë e hidhur për pronarët e tokave. Si ata të vjetër, që u është kthyer toka e marrë nga regjimi komunist, edhe ata të rinj, që mund të kenë blerë tokë gjatë këtyre viteve. Dhe zgjidhja është shumë e thjeshtë dhe unike. Qeveria do e shpronësojë tokën e privatit me çmimin sikur aty të kalonte një rrugë, dhe do ia shesë me po atë çmim një investitori, i cili ka në plan të hedhë për fitimet e veta, së paku 50 milionë euro. Pra në rast se keni një pronë në bregdet, apo në ndonjë zonë tjetër të vendit, mos u gëzoni shumë kur të informoheni se për të ka interes një investitor i madh. Në fund do të shpronësoheni me çmime shtetërore.

NDARJA E INVESTIMEVE

Në ligjin e ri për investimet, qeveria i ka ndarë në gjashtë kategori sektorët strategjikë. Energjetikë, infrastrukturë, turizëm, bujqësi, zona ekonomike dhe zona me përparësi zhvillimi. Projektligji parashikon që për të gjashta zonat, investitorët strategjikë të ndahen në dy kategori: “Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar” dhe “Investim/ investitor strategjik, procedurë e veçantë”. Ndryshimi mes dy kategorive është masa e investimit. Për të marrë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, duhet që investimi të jetë më i madh se 50 milionë euro. Kjo për të pestë kategoritë. Ndërsa për kategorinë e gjashtë “Zona me përparësi zhvillimi”, investimi duhet të jetë mbi 10 milionë euro. Në ligj përcaktohen hapa se si investitorët e huaj apo vendës do të ndihmohen nga Agjencia e Investimeve për dokumentacionin, licencat dhe lejet që jepen nga autoritetet shtetërore. Parashikohet që për investitorët strategjikë të hapet një “one stop shop” ose “dritare unike”, në mënyrë që të lehtësohen procedurat dhe investimi i parashikuar të fillojë në një kohë rekord. Por duket se etja për të thithur sa më shumë investimeve ka kaluar limitet e burokracive shtetërore. Ajo është shtrirë edhe në anën tjetër, atë të privatit. Ja si e parashikon trajtimin e tokës private ligji i ri.

TOKË PËR PRIVATIN

Në nenin 29 parashikohet që “në funksion të mbështetjes shtetërore për realizimin e investimit, krijohet Fondi i Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike.” Ky fond do të hartohet nga Këshilli i Ministrave dhe toka do t’i vihet në dispozicion investitorit privat. Në nenin 25 parashikohet që “Në dispozicion të zhvillimit dhe realizimit të projekteve investuese strategjike sipas këtij ligji mund të vihen trojet, pyjet, tokat bujqësore, si dhe pasuritë e tjera të paluajtshme, në pronësi të shtetit shqiptar”. Deri këtu duket diçka normale. Pra qeveria ka të drejtë të japë tokën shtetërore për investime të mëdha, të cilat marrin statusin strategjik. Toka është e shtetit dhe investimet janë në të mirë të të gjithë komunitetit. Por qeveria e kalon pak cakun në nenin 20 të ligjit “Shërbimet ndaj investitorit në rastin e procedurës së veçantë”.

SHPRONËSIMI I PRIVATËVE

Sipas këtij neni, pas marrjes së vendimit për dhënien e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, investitori mund të përfitojë në përputhje me parashikimet e këtij ligji, shërbime dhe garanci që kanë të bëjnë me: “shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike”. Më tej akoma, ideja e qeverisë për të shpronësuar tokat e privatëve në interes të një privati tjetër, qartësohen në nenin 26 “Shpronësimet për interes publik”.

Ja çfarë thuhet në këtë pikë të ligjit: “Për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, të cilat kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, si dhe të punëve dhe shërbimeve mbështetëse infrastrukturore, lejohet shpronësimi, për interes publik, i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private sipas rregullimeve në legjislacionin e aplikueshëm për shpronësimin për interes publik, nëse investitori nuk ka mundur ta zgjidhë pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me marrëveshje me pronarin e pasurisë së paluajtshme, mbasi janë kryer më parë përpjekjet përmes instrumenteve të lehtësimit të aksesit në tokë nga investitori dhe, ose ristrehimit nga shteti.” Qeveria me pak fjalë thotë se në rast se një investitor i huaj apo vendës shikon në pronën e një qytetari mundësinë e një investimi, ai duhet të negociojë me të për ta blerë tokën. Në rast se nga negociata, palët nuk bien dakord, pra pronari i tokës nuk është dakord me çmimin, apo nuk do ta shesë fare tokën, atëherë qeveria e shpronëson pronarin dhe ia shet tokën me të njëjtin çmim investitorit strategjik.

Dhe si e shpronëson tokën? “Shpronësimi, për interes publik, i pasurive të paluajtshme, pronë private, realizohet në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për shpronësimet për interes publik”. Pra e shpronëson sikur aty të kalonte një rrugë apo të kalonte një linjë elektrike. Çmimet e shpronësimeve në Shqipëri duket botërisht që janë qesharake dhe larg atyre të tregut. Mjafton të shikoni çmimet reale të shitjes së tokave në bregdet, me çmimet e shpronësimeve, që në rastin më të mirë nuk i kalojnë 5-6 mijë lekë/m2. Mjafton të shikoni çmimet e shpronësimeve në fshatrat periferikë të Tiranës, ku kaloi së fundmi autostrada Tiranë-Elbasan.

Atje toka u kompensua nga qeveria me 300 lekë/m2, ndërkohë që realisht kushton të paktën 20 herë më shumë. Dhe ky do të jetë çmimi i shpronësimit që do marrë çdo pronar për tokën e tij, në rast se do ketë “fatin e madh”, që ajo tokë të jetë në planin e një investitori strategjik të huaj apo vendës. Qeveria thotë në nenin 26 që investitori duhet të negociojë për çmimin me pronarin e tokës. Por kuptohet që kur ligji të jep mundësinë e blerjes me çmim shpronësimi, atëherë asnjë investitor nuk do të japë ndonjë çmim më të lartë se ai.

NGA NERTILA MAHO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura