Ligji i ri për universitetet, Bujqësori: Arsim më cilësor

Apr 14, 2015 | 16:45
SHPËRNDAJE

Bizena Bijo

Ligji i ri për arsimin e lartë gëzon mbështetjen e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në një prononcim për gazetën “Panorama”, zëvendësrektorja e Universitetit Bujqësor, Bizena Bijo, tha se ky projektligj është pozitiv dhe në dobi të së mirës publike. “Projektligji sapo është miratuar nga qeveria dhe ne e kemi mbështetur atë.

Sigurisht, zbatimi i tij do të ndiqet nga akte nënligjore, me udhë- zime apo urdhra nga qeveria që do të rregullojnë marrëdhëniet midis institucioneve duke bërë që arsimi i lartë të jetë më kompetitiv”. Projektligji i arsimit të lartë u miratua dy javë më parë në Parlament, ndërsa këtë javë pritet të diskutohet në Komisionin e Medias dhe Arsimit, ku do të shqyrtohet nen për nen.

NGËRÇI

Ndryshe nga Universiteti i Tiranës që kundërshton krijimin e universitetit publik të pavarur, ai Bujqësor nuk mendon kështu. Për zv.rektoren Bijo, kjo është një risi që do të rrisë cilësinë e universiteteve.

“Në ligjin e ri futet një kapitull që është disi i veçantë që parashtron krijimin e një institucioni publik të pavarur dhe që do të jetë tërësisht një logjikë e të funksionarit ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani. Për ne, ligji nuk është shprehur shumë qartë në lidhje me këtë, por aktet nënligjore janë ato të cilat do ta shprehin plotësisht mënyrën e funksionimit, pasi këto universitete që krijohen nuk mund të lihen të bëjnë ç’të duan”.

Përpos të tjerash, Bijo thekson se futja në lojë e një institucioni të tillë rrit konkurrencën mes universiteteve duke bërë që këta të fundit të hartojnë programet më të mira të studimit. Kjo, sipas saj, sjell rritje të cilësisë së arsimit të lartë. “Duke u futur në lojë IALPP do të rritet mundësia për të pasur një shumëllojshmëri institucionesh dhe rritje konkurrence midis institucionit publik dhe atij publik të pavarur”. Sipas zv.rektores, kjo kategori institucionesh janë një sukses në vendet më të zhvilluara si Amerika dhe Anglia. Ndonëse Shqipëria është një vend i vogël dhe me shumë probleme në arsim, ajo mendon se vendi ynë nuk ka përse të mos implementojë këta shembuj pozitivë. Në emër të universitetit, zv.rektorja kërkon që Ministria e Arsimit t’i qëndrojë besnike deri në fund reformës së ndërmarrë për t’i dhënë një tjetër frymë arsimit të lartë.

“Ne duam që në të ardhmen, nëse ky ligj do të aprovohet në këtë formë, bashkë me kreun XII, të kemi edhe këtë kategori institucionesh që përdorin asete private për të mirën publike. Kjo mendoj do të ndiqet nga udhëzime që duhet të hartohen dhe zbatohen me korrektësi, në mënyrë që qëllimi pozitiv i këtij ligji të mos devijojë”.

Projektligji i arsimit të lartë, më saktë kreu XII i këtij ligji, ka hasur në një sërë kundërshtimesh nga profesorë e studentë. Sipas tyre, krijimi i institucionit publik të pavarur që financohet edhe nga privati dhe nga shteti shkatërron tërësisht universitetin publik.

NGA BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura