Librat “e zinj” në shtëpinë e dy viktimave, sekti që ndiqnin nëna e dy vajzat në “kishën” që hapën nordikët

Jul 6, 2020 | 21:17
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës prej ditës së enjte, kur nënë e bijë u zbuluan të vdekura në apartamentin e tyre në Kombinat, po analizon provat e sekuestruara aty dhe po heton për zbulimin e sektit fetar që mund të ketë nxitur vetëflijimin.

Burime nga Policia thanë se në apartamentin ku jetonin Zhaneta Josifi me dy vajzat e saj, Anisën dhe Blertën, janë sekuestruar disa materiale në cilësinë e provës materiale, mes të cilave edhe disa libra të zinj, me mbishkrimin “Kisha Ungjillore”.

Nëse këta libra i përkasin vërtetë kësaj kishe, apo janë përdorur nga ndonjë sekt i panjohur, kjo ende nuk është saktësuar. Megjithatë, shumë dëshmi flasin për një lidhje të fortë dhe të hershme mes nënës e të bijave me Kishën Ungjillore në Përmet.

Madje disa kanë dëshmuar edhe për një lidhje financiare mes tyre. Banorët e Përmetit, që e njohin mjaft mirë familjen Josifi, tregojnë se ata që prej shumë vitesh shkonin tek “Aleluja”.

Kështu e quajnë kishën, një godinë që ndodhet në qendër të qytetit, e drejtuar nga predikues norvegjezë që prej 20 vitesh. Megjithatë, prej dy vitesh ajo është e mbyllur.

“Anisa dhe Blerta, të dy vajzat e familjes Josifi që shkuan drejt vetëflijimit, ishin praktikante të këtij sekti që prej fëmijërisë së tyre, megjithatë banorët e Përmetit nuk e lidhin aktin e vetëflijimit me predikimin pranë këtij institucioni. Shumë fëmijë në atë kohë, sipas banorëve, ishin anëtarë të kishës, por kjo vetëm i ka sjellë paqe qytetit. Familja, sipas qytetarëve të Përmetit, sipas miqve të Zhanetës dhe mësueseve të vajzave, ka qenë një familje normale, e dedikuar te puna”, kështu kanë deklaruar banorët e Përmetit për “Top Channel”.

NGJARJA

Shkaku i ngjarjes horror që u zbulua pasditen e së enjtes në Tiranë, ku nënë e bijë u gjetën të vdekura, ndërsa vajza tjetër në gjendje të rëndë, dyshohet të ketë qenë mosushqyerja.

Blerta Josifi, vajza që i mbijetoi tragjedisë, dyshohet se ka qëndruar të paktën 40 ditë pa ngrënë. Anisa Josifi, 31 vjeç, që u gjet gjysmë e dekompozuar në një prej dhomave të shtëpisë, e mbështjellë me çarçaf, batanije e jorgan në një krevat, mund të ketë vdekur prej një harku kohor që, sipas mjekëve ligjorë, është nga 6 deri në 12 muaj.

Ndërsa nëna e saj, Zhaneta Josifi, 54 vjeçe, sipas ekspertëve, kishte 2-3 ditë e vdekur. Vajza tjetër, Blerta, që ende nuk ka mbushur 33 vjeçe, duket se e kishte nisur më vonë “agjërimin”, ose i ka mbijetuar më gjatë mosushqyerjes, pasi u gjet nga Policia në gjendje të rëndë.

Ajo tashmë po mbahet në terapi intensive dhe gjendja e saj duket e stabilizuar. Në shënimet e gjetura në shtëpi, të sekuestruara tashmë nga grupi hetimor, duket se “agjërimi” i tejzgjatur ka qenë i qëllimshëm, në mënyrë që ato të vdisnin dhe më pas të ringjalleshin.

Sigurisht që kjo nuk mund të ndodhte, ashtu siç rezultoi me Anisën, që mbahej e vdekur prej muajsh në shtëpi, duke u lyer me vajra e uthull nga nëna e motra, por tashmë është në morg.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura