Lénie Tinkën n’shejtninë e vet

Apr 3, 2021 | 8:43
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli

FRANO KULLI

Unë nuk e kam pá atë rek lamën zgjedhore që Tinka Kurti paska bërë këto ditë; një reklamë për zotin Edi Rama, aktualisht kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit prej gati tetë vjetësh e deri sot.

Por rastësisht kam pá e lexue një mori shkrimesh, prej nji urdie njerëzish, punëtorë të zellshëm të rrjeteve sociale, më e pakta, qortuese për Tinkën.

Kurse disa më të ashprit prej tyre në gjykim shkojnë deri në cakun e akuzës se Tinka paska bâ blasfemí. Pra, qenka ngritë kundër Zotit, në çastin që i është dhënë me mish e me shpirt “djallit, pra Edi Ramës.

-Po s’ka faj ajo…, thonë disa prej tyre. As ai…(këtu shtojnë Bert Ndrenikën), as të tjerët, që bëjnë reklama për Edin, -ka shtuar dikush duke u zhytë edhe më shumë në thellësinë e arsyetimit të vet, – ata të gjithë, artistët, besnikë të partisë kanë qenë.

Ata propagandë kanë bërë gjithmonë… dhe fshijnë kështu me lapsin e tyre egërsisht të mprehtë jo vetëm titujt e nderimet e mëdha që ata mbajnë dhe që për këta janë të gjithëpranuar, por gjithë karrierën e tyre artistike dhe yllësinë që ata kanë krijuar përgjatë jetës së tyre, së paku gjysmëshekullore në këtë zeje të shpirtit, siç është arti..

Dhe kështu, lëndimi për ta nuk njeh kufi. Por, përtej kësaj ka edhe një raport të publikut të tyre me ta, atyre ndjekësve të artit të tyre, që shtrihet së paku në tri gjenerata e mijëra e mijëra qytetarë anë e kand, kudo në shqiptarí e më përtej.

Edhe ata lëndohen, jo pak, me këtë rast. E në këto mijëra e mijëra, me siguri janë edhe ca syresh, janë edhe do vetë prej atyre që hidhen e bërtasin kështu… të thirrur në absurdin e “kauzës”, duke menduar se kështu e shërbejnë më mirë atë.

Apo edhe duke bërë sikur. E prekja a lëndimi i këtyre është jo vetëm i pallogaritshëm, por i përjashtuar, bile as i shkuar nëpër mend prej “qortuesve akuzatorë”.

Sigurisht, secili është në të drejtën e tij, të mendojë e të shprehet si do e si t’i vijë, përderisa jetojmë në kohën e fjalës së papenguar, përderisa kufijtë e lirisë, sidomos ndër ne, në këtë biçim demokracinë tonë janë fshirë me kohë.

E nuk ka një masë sado të hollë, as sa lëmaza (ajo fleta e hollë) e qepës, që ta ndalë uraganin e egërsuar të njerëzisë që gjykon e akuzon. Pa din e pa iman.(t.q. Pa besim në fe).

Deshta me thanë, pa besim në kurrfarë feje, në kurrfarë parimi a kodi, sidomos moral. E t’ua bëjë me dije atyre se liria e ka një kufi, një kufi të rreptë fort, bile.

Dhe ky kufi nuk mund e nuk duhet të kalohet, mbasi po e kalove ke shkelë randë lirinë e tjetrit. Por jo. Përderisa skrupujt e njerëzisë kanë rënë e gjithsekush mundet me thanë gjithçka për secilin e për këdo, përderisa virtyti e vesi janë njësuar, bile herë-herë vesi prin i pari, do të ngjasë kështu.

Turmat janë gjithherë “në të drejtën” e tyre jo fort të përgjegjshme. Po ata, ata, përreth të cilëve rrokollohen këto turma, joo. Jooo, ata nuk kanë të drejtë të heshtin. Ata nuk duhet të heshtin.

Edi Rama, i pari si kryeprijësi, duhet që shumë përfillje e urti e jo me shpërfillje a shpoti, t’i sqarojë i pari se ata janë artistë-interpretë, që në rastin në fjalë, po bëjnë një punë, po bëjnë mjeshtërinë e tyre. Përderisa, edhe pse në atë moshë, Zoti ua ka dhanë mundësinë ta bajnë. Atë mjeshtri, në të cilën kanë shkëlqyer në jetë. Dhe kjo punë është vlerësuar e paguhet kaq a aq prej tij e prej të tijve.

E ka për detyrë ta bëjë këtë. Sikurse, Lulzim Basha nënkryeprijësi që pret në radhë për t’u bërë kryeprijës, duhet ta thotë për të vetët e për të gjithë se simpatitë a antipatitë janë të respektueshme për cilindo njeri. E jo më për yjet.

Yjet që janë të pranuar si të tillë se janë lart, shumë më lart, vite drite larg të rëndomtës. Ndaj… LÉNIE TINKEN NË SHEJTNINË E VET! O Njerëz!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura