Lena Manda/ Shkrimtarja greke me një histori personale në Shqipër

Nov 19, 2017 | 15:25
SHPËRNDAJE

“Arsyeja për të cilën jemi mbledhur këtu sot është një grua, një grua e rrallë, e ashpër, së pari me veten e vet, dhe pastaj me gjithë të tjerët rrotull saj. Kërkuese me të gjithë ata që ajo i do, e drejtë në përzgjedhjet që bën, por edhe e padrejtë kur lëndohet, shpërthen si një bishë dhe copëton gjithçka, me të drejtë apo të padrejtë…. Kjo është Theanoja ime. Ujkonja e Stambollit, Ujkonja e Polit… Dhe me fjalën Poli, natyrisht që nënkuptoj Konstandinopojën. Një vend të magjishëm, në të cilin Lindja takohet me Perëndimin, përqafohen dhe udhëtojnë ndër shekuj me gjithçka të mirë apo të keqe rrjedh prej rrugëtimi”. Dhe pikërisht kjo grua, Theanoja, ka sjellë në Tiranë një tjetër grua.

Bëhet fjalë për shkrimtaren greke Lena Manda, autoren më të lexuar të 10-vjeçarit të fundit në Greqi, me 2 milion kopje libra të shitur. Manda ishte e pranishme në Panairin e Librit, për të promovuar pranë stendës së shtëpisë botuese “Toena”, romanin e saj “Theanoja, ujkonja e Stambollit”. Një vepër e përkthyesr në shqip nga Kristo Pulla. Shkrimtarja greke ndau me të pranishmit diç- ka nga romani i saj, historinë e Theanosë, heroinës së romanit, jeta e së cilës do të shenjohej përfundimisht nga trazirat e viteve ’50 në Stamboll.

Ngjarje që do të përjetoheshin rëndë për të gjithë popullsinë greke të Stambollit. Por po aq interesante sa historia e Theanosë, duket edhe tharmi që e mbrujti këtë roman e që zë fill tek vetë autorja, e cila ka jetuar vitet e para të jetës në Stamboll, ku nuhati për herë të parë aromën e jetës dhe mori zakonet e mira të mësuara nga gjyshja. Romani mbështetet në një histori të jetuar, jo nga ajo vetë, por gjyshja e njerëzit e afërt të saj. “U linda në Stamboll në vitin 1964, ashtu sikundër lindën aty nëna ime, babai im dhe prindërit e tij. Nga ana e nënës, kam gjak prej Thrake nga gjyshja dhe gjak nga Epiri prej gjyshit. Vitet e para të jetës sime i kalova në Stamboll.

Në Greqi u vendosëm familjarisht në vitin 1969. Por ishte sikur nuk kishim ikur kurrë prej andej. Stambollinjtë, disa prej të cilëve braktisën me detyrim atë vend që e donin kaq shumë, teksa largoheshin, e kyçën Stambollin brenda zemrës së tyre.

E sollën atë në Greqi dhe e ngritën përsëri plot gjallëri aty. U rrita duke dëgjuar të folurën greke të Stambollit, u rrita me aromat dhe shijet e tij, ai qytet ishte pjesë e jetës sime të përditshme. Historia me Theanonë, ishte sikur jetonte përgjithnjë brenda meje dhe shumë prej atyre që do të lexoni në faqet e këtij libri, dolën në pah prej kujtimeve të mia ose prej historive që dëgjoja qëkur isha fëmijë. Natën e 6 shtatorit, që ndryshoi jetën e heroinës sime, e përjetuan gjyshërit e mi, xhaxhallarët e mi, e dëgjoja përherë, deri sa ajo lëshoi rrënjë brenda meje.

Dhe natyrisht, jo vetëm atë histori. Ishin vite të vështira për popullsinë greke të Stambollit”, rrëfen Manda, e cila ka përjetuar gjatë krijimit të këtij libri çdo detaj, çdo presje… “Heroina ime ka marrë shumë gjëra prej nënës sime. Këmbënguljen e saj, karakterin e saj të pavarur, bile edhe çapkënllëqet e saj. Shumë prej ngjarjeve që do të lexoni nga fëmijëria e Theanosë, janë bëma të nënës sime. Për fat të mirë në ngjarjet e Shtatorit, familja ime nuk pati viktima, vetëm dëme materiale”, shton ajo. Dhe ky libër, bashkë me historinë e jashtëzakonshme të një gruaje, është edhe një homazh për nënën, gjyshen, të gjitha ato gra që mbijetuan në kohëra të vështira, që mbijetuan, dhe na mësuan shijen e jetës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura