Legalizimet, rriten tarifat, shkurtohet afati i pagesave

May 31, 2012 | 12:56
SHPËRNDAJE

Qeveria ndryshon vendimin për legalizimet e ndërtesave pa leje.

Shtohet pagesë e re 6 mijë lekë, 10 ditë kohë për ta paguar.

Qeveria, për të gjithë ata që do të duan të legalizojnë një objekt informal apo shtesë pa leje në ndërtesë me leje, ka shtuar një detyrim të ri që është klasifikuar te tarifa e shërbimit të specifikuar për dokumentacion. Qytetarët do të duhet që për të marrë këtë shërbim të hartimit dhe përgatitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor të dosjeve të tyre, të paguajnë edhe 6 mijë lekë të tjera. Më herët, ligji sanksiononte pagesën e vetëm një tarife, që ishte ajo e shërbimit të përditësimit në terren që ka vlerën 4 mijë lekë për çdo kat të objektit informal të ndërtuar apo shtesës pa leje. Ndryshimet e bëra në vendimin për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimeve përcaktojnë edhe kriteret e reja. “Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje, shtesave informale në ndërtime me leje përbëhet nga: tarifa e shërbimit për përditësim, e cila është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo kat të objektit pa leje/shtesës informale në ndërtime me leje dhe tarifa e shërbimit për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, me vlerë 6 000 (gjashtë mijë) lekë për çdo objekt pa leje/shtesë informale në ndërtim me leje”, thuhet në ndryshimet që qeveria i ka bërë vendimit të 2008-s. Të gjitha të ardhurat që do të shkojnë tek Agjencia e Legalizimit si efekt i tarifës së shërbimit, do të përdoren sipas vendimit për shpenzimet që kjo agjenci ka për dokumentacionin që harton, por edhe punën për përditësimin në terren.
AFATET
Një tjetër ndryshim që vjen në vendimin e qeverisë, është edhe afati për shlyerjen e faturës që pritet nga Agjencia e Legalizimeve si efekt i shërbimeve të marra pranë saj, siç është përditësimi dhe dokumentacioni. Më herët, sipas vendimit të vitit 2008, qytetarët që kanë vetëdeklaruar pranë ALUIZNI-t dhe që presin legalizimin e objekteve informate, duhet që pagesën e tarifave të shërbimit ta bënin brenda një afati njëmujor. Me ndryshimet e miratuara dje në mbledhjen e qeverisë, afati i pagesës është vetëm 10 ditë. “Subjektet, që përfitojnë legalizimin e objekteve informale, do të shlyejnë brenda 10 (dhjetë) ditësh nga data e njoftimit me shkrim mbi pagesat”, thuhet në vendimin e qeverisë, duke shtuar se vlerat janë sanksionuar në pikat e ligjit dhe janë saktësisht 4 mijë dhe 6 mijë lekë për secilin shërbim. Pak kohë më parë, procesi i legalizimeve u cilësua nga Banka Botërore se ka ecur me ritme të   ngadalta dhe të njëjtin gjykim dha edhe KLSH-ja në një raport të disa muajve më parë. Pas kësaj situate, qeveria është impenjuar që të bëjë ndryshime të rëndësishme në rangun drejtues të Agjencisë së Legalizimeve, duke sjellë në krye të ALUIZNI-t Ardian Kollozin, duke kaluar Shaban Meminë si koordinator për legalizimet pranë Ministrisë së Transportit dhe, së fundmi duke bërë edhe ndryshime ligjore.

Ndryshimet
Vendimi ishte

1. Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo kat të objektit pa leje/shtesës informale në ndërtime me leje.
1.2 Të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për legalizim do të përdoren nga ALUIZNI për përditësimin në terren dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik të objekteve pa leje apo shtesave informale në ndërtime me leje, si dhe për ngritjen e funksionimin e zyrave të përkohshme, që do të kryejnë këtë shërbim, sipas përcaktimeve të bëra në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
1.3 Për objektet informale, të kualifikuara për legalizim, ALUIZNI afishon listën e subjekteve poseduese dhe i pajis ato me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit.
1.4 Brenda një muaji nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, modeli i të cilit i bashkëlidhet këtij vendimi, subjektet që do të vazhdojnë procedurat e legalizimit të objekteve pa leje apo shtesave informale, në ndërtime me leje, do ta derdhin këtë pagesë në numrin e llogarisë bankare, të hapur për këtë qëllim nga ALUIZNI.

Vendimi bëhet
“1. Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje, shtesave informale në ndërtime me leje përbëhet nga:
1.1. Tarifa e shërbimit për përditësim, e cila është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo kat të objektit pa leje/shtesës informale në ndërtime me leje.
1.2. Tarifa e shërbimit për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, me vlerë 6 000 (gjashtë mijë) lekë për çdo objekt pa leje/shtesë informale në ndërtim me leje.
1.3. Të ardhurat e mbledhura nga tarifa e shërbimit për përditësimin dhe për hartimin e dokumentacionit tekniko-ligjor do të përdoren nga ALUIZNI dhe do të destinohen respektivisht për përditësimin në terren të gjendjes ndërtimore dhe mbulimin e shpenzimeve për hartimin e dokumentacionit administrativ për legalizimin e objekteve pa leje/shtesave informale në ndërtime me leje.
1.4. Subjektet, që përfitojnë legalizimin e objekteve informale, do të shlyejnë brenda 10 (dhjetë) ditësh nga data e njoftimit me shkrim mbi pagesat, vlerat e përcaktuara në pikat 1.1 dhe 1.2 të këtij vendimi, në llogarinë e hapur për këtë qëllim”.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura