Le ta paguajë Lulzim Basha koston e lidershipit

Sep 11, 2021 | 9:00
SHPËRNDAJE

VEHAP KOLA

VEHAP KOLA

T’i kërkosh Lulzim Bashës të largojë Sali Berishën si kusht i vetëm i pranimit të PD-së, si partnere nga SHBA-ja, ngjan si një kurth i përsosur. Refuzimi apo pranimi do të kishin pothuajse të njëjtin efekt rrënues mbi opozitën. Për çdo demokrat, refuzimi i kërkesës së Departamentit të Shtetit do ta shndërronte PD-në një parti të pashpresë, kurse pranimi, në një parti të pajetë. Kishte vetëm një rrugë që PD-ja të dilte nga ky kurth pa u dëmtuar: tërheqja vullnetare e Berishës. Ai do të ruante influencën e tij shpirtërore mbi PD-në dhe Bashën dhe do të shmangte inkriminimin dhe përplasjen ndërmjet partisë më të madhe të opozitës dhe SHBA-së.

Sot, militantët demokratë të shtrojnë vetëm një pyetje: me kë je? Sepse në këtë klimë ndjeshmërish të larta, duket sikur çdo gjë është e qartë dhe vendimi i Bashës për të përjashtuar Berishën nga Grupi Parlamentar e ka ndarë si me thikë të drejtën nga e padrejta, të vërtetën nga e rremja, të mirën nga e keqja. Ka, sigurisht, shumë mënyra se si kjo klimë aspak racionale mund të analizohet, por një ndër këto mënyra është t’i qasemi nga një etikë pasojash.

Për fatin e keq të Partisë Demokratike, vendimi, ashtu siç edhe do t’u interesonte më shumë kundërshtarëve të majtë, i mbeti Lulzim Bashës. Pasojat e pritura ndodhën. Ndërmjet tij dhe Berishës nisi skizma më e madhe që i ka ndodhur së djathtës deri sot. I dëmtuari më i madh i vendimit të Lulzim Bashës është vetë ai. Ai ka marrë mbi vete riskun e përballjes me Berishën, që askush nuk e ka marrë deri sot në Partinë Demokratike. Rrjedha e zhvillimeve tregoi se pasojat më të mëdha të një vendimi sipas kërkesës së SHBA-së do t’i merrte kryetari i PD-së.

Por ndryshe nga ç’besonim, le ta themi se e fituara e madhe e këtij vendimi duket se do të jetë Partia Demokratike. Të mos keqkuptohemi: përfitimi më i madh i PD-së në këtë rast nuk është se ajo shpëtoi nga listimi nga Departamenti i Shtetit në një listë të zezë. Ky është përfitimi i dytë më i madh që vjen nga ky vendim. Përfitimi më i madh për partinë më të madhe të opozitës është çlirimi nga një klimë mosbesimi të brendshëm të gjithanshëm që ka karakterizuar atë në këto 8 vite.

Përpara zgjedhjeve, një pjesë e politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kishin përqafuar idenë se ishte më mirë që ajo të humbte zgjedhjet. Humbja do të inicionte procesin e largimit të Lulzim Bashës dhe pasi këta ta merrnin PD-në në dorë, për 6 muaj rrëzonin Ramën dhe sillnin, pra, të djathtën në pushtet. Po nga vinte ky dyzim? Nga fakti që PD-ja kishte kryetar Lulzim Bashën, por në sfond ata shihnin Berishën që merrte vendimet përfundimtare.

Kjo natyrë dykrerëshe e opozitës inkurajonte rivalët e Bashës brenda opozitës që të kishin plane të tjera nga ato që shpallte kryetari i tyre. “Ka duruar Shqipëria 8 vite, le të durojë edhe 6 muaj me Ramën se nuk u bë nami!”, dukej se nënkuptonin ata. Një opozitë më e qartë, me njerëz të përkushtuar plotësisht ndaj objektivit politik mund të dalë nga ky vlim i madh në opozitë. Për Lulzim Bashën, nuk do të ketë asnjë justifikim, as nën zë, për mosrrëzimin sa më të shpejtë të Ramës.

Vendimi për largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së dukej se ishte akti më i fortë që mund të bënte Basha në rrafshin simbolik, pa prekur statusin e vërtetë politik e organizativ të udhëheqësit historik të kësaj partie. Ligjërisht ky vendim s’ka asnjë efekt, siç po thonë juristët. Po amerikanët, a e dinë këtë? Sigurisht që e dinë. Amerikanët u mjaftuan me këtë vendim të Bashës. Ata nuk kërkuan nga Basha të bënte atë që nuk kishte në dorë. Basha kishte në dorë vetëm të distancohej nga Berisha dhe të tregonte se ishte i pavarur prej tij.

Mungesa e një ndarjeje të qartë mes tyre dhe të besueshme për opinionin publik dhe partnerët ndërkombëtar i ka dhuruar Edi Ramës këto 8 vite mesazhin qendror të fushatave politike: Lulzim Basha është një maskë për kastën e vjetër të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Nëse opinioni publik manipulohej nga propaganda zyrtare, partnerët ndërkombëtarë e kishin të qartë rolin real të Berishës në Partinë Demokratike, sa herë iu duhej të negocionin edhe me të për vendime të rëndësishme të opozitës, si Reforma në Drejtësi.

Paqartësia e raportit Basha-Berisha ishte kostoja më e madhe për lidershipin e të parit si kryetar i Partisë Demokratike. Prandaj, duket se garancia që amerikanët kërkonin për lidershipin e qartë të Bashës është dhënë. A ishte i duhur apo i gabuar ky akt i papritur kuraje nga Basha do ta tregojnë edhe pasojat e tij. Nëse opozita fuqizohet nga rikthimi i marrëdhënieve të mira me SHBA-në dhe bekimi amerikan garanton paprekshmërinë e zgjedhjeve, Lulzim Basha duhet të marrë meritat për lidershipin që tregoi, duke vendosur Partinë Demokratike dhe interesin kombëtar mbi politikën.

Ndërkohë, rruga e përplasjes me SHBA-në do të ishte fatale dhe pasojat e saj mund të imagjinoheshin, fundi i kësaj përplasjeje nuk mund të përfytyrohet. Jo gjithmonë ndryshimi i administratave amerikane ka sjellë ndryshim të politikës së tyre të jashtme. Për të mos thënë që rrallëherë politika e jashtme amerikane ndryshon shpejt me ndërrimin e presidentëve. Vijimi nga administrata Biden i një sërë politikash të nisura nga Trump është një provë për këtë.

Prandaj, sot është më e domosdoshme se kurrë udha e urtë e procesit politik në Partinë Demokratike. Lideri historik i saj, dr. Berisha, nuk ka ikur nga Partia Demokratike, as nuk është shkarkuar nga ndonjë prej institucioneve të saj. Lulzim Basha ishte përpara provës amerikane për të bërë një gjest lidershipi dhe pavarësie prej tij dhe ai nuk kishte rrugë tjetër.

Dorëheqja e tij do të ishte vulë për gjithë dyshimin dhe akuzat ndaj tij: mungesën e lidershipit. Ndoshta, ata që dyshuan se Basha e drejtonte PDnë dhe për vite me radhë e anatemuan këtë pjesë u bindën se kjo nuk ka qenë asnjë ditë e vërtetë. Tani që kjo ndodhi, të gjitha pasojat le t’i përballojë ai, edhe si dëshmi e lidershipit dhe të gjitha përfitimet le t’i mbledhë Partia Demokratike. Sigurisht, nëse demokratët e duan këtë gjë dhe nuk duan që t’ia lëshojnë në prehër Ramës frutat e kësaj vjeshte të stuhishme politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura