Largimi i bizneseve private, vijon aksioni në QSUT e QS

Sep 30, 2013 | 13:14
SHPËRNDAJE

Ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme mbyllja e bizneseve private   të cilat kishin “lulëzuar” brenda qendrës spitalore “Nënë Tereza”. Ky spital numëron brenda ambienteve të tij rreth 12 lokale, 6 biznese fast-food dhe 8 farmaci. Këto të fundit, të paktën referuar deklaratave të ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, nuk rrezikojnë të mbyllen. Gjatë ditëve të fundit janë hequr 4 biznese, ndërkohë që u është lënë afat të tjerëve për të zhvendosur pajisjet e tyre. “Bizneset e shumta janë bezdi për njerëzit, kështu që heqja e tyre është një veprim i mirë. Ne, këtë rrugë e bëjmë gjithë kohën, është mirë në rast se hiqen dhe nuk do të ketë njerëz të tepërt, sepse disa janë të sëmurë, ca të tjerë sëmuren nga ndotjet e këtyre ambienteve, kështu që këto biznese nuk janë në interesin dhe në të mirën tone”,u shpreh për gazetën një pensionist. Duket se nga nisma e Ministrisë së Shëndetësisë, e pasuar edhe nga një tjetër urdhër i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, më të pakënaqurit kanë mbetur pronarët e bizneseve private. Sipas tyre, ky vendim nuk është i drejtë, pasi ata kanë nënshkruar kontratat dhe janë në përputhje me ligjin. “Ky urdhër nuk është i drejtë, sepse lokali ku unë punoj ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare. Në qoftë se do të na i prishin, duhen të na dëmshpërblejnë”, shprehet për gazetën një i punësuar në një bar-kafe. E njëjta panoramë shfaqet edhe në mjediset e Qytetit Studenti. Në fillimet e tij, ai kishte vetëm katër godina, ndërsa sot në rrugët e ngushta të tij numërohen plot 24 lokale, 6 fast-food-e, 5 pika bastesh sportive dhe 7 biznese parukerish. Studentët shprehen për gazetën pro këtij vendimi, pasi sipas tyre bizneset janë të tepërta në numër dhe të panevojshme. “Lokalet dhe bizneset janë shumë pranë njëri-tjetrit, duket sikur je në një qendër tregtare”, -tregon një studente. Ndërkohë, pronarët e bizneseve në Qytet Studenti shprehen se ky urdhër u erdhi papritur, pasi ata kanë një kontratë të vlefshme për vitin 2013-2014. Aksioni për lirimin e hapësirave në QSUT mësohet se do të vijojë edhe në ditët e ardhshme. Dy ditë më parë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, urdhëroi anulimin e të gjitha kontratave të qirasë të lidhura me të tretë gjatë vitit 2013 në QSUT dhe Qytetin Studenti. Ky urdhër, sipas tij, erdhi në mënyrë që t’u rikthehen hapësirat këtyre ambienteve dhe në funksion të cilësisë së shërbimit në spitale dhe mjediset shkollore.  
Kujtim Xhaja

Bizneset
QSUT
Gjithsej      26 biznese
Farmaci       8
Lokale        12
Fast-food     6

Të mbyllura
3 biznese

QS
Gjithsej 42 bisnese
24 lokale
6 fast-foode
5 pika bastesh sportive
7 parukeri

Shkollat
Ministria e Arsimit Lindita Nikolla, pak ditë më parë u ka dërguar një letër të hapur të gjithë drejtuesve të shkollave.  Sipas saj, u kërkohet të ndërpresin kontratat me ccdo biznes brenda mjediseve shkollore deri në datën 25 tetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura