Lamtumirë uniformë!

Oct 8, 2019 | 10:20
SHPËRNDAJE

*GJENERAL PIRO AHMETAJ
pirro-ahmetaj

Prej 20 ditësh po përballem me interesin e dhjetëra njerëzve, miq, kolegë, gazetarë, çka më prek dhe më shtyn t’u jap një përgjigje. Gjithçka filloi kur  “në datën 16 shtator 2019, Presidenti Meta, ka nënshkruar dekretin e daljes në rezervë si dhe bashkë me të edhe përfundimin e karrierës ushtarake, 36 vjet nën uniformë të Gjeneral Brigade Piro Tasim Ahmetajt”.

Nostalgjia brenda një mase të caktuar është tërësisht njerëzore. Sigurisht, edhe për shkak të edukimit dhe eksperiencës perëndimore, refuzoj me përbuzje përjetimin “si dramë”, si dhe mëshiroj paranojën e “përjetësisë, qoftë në gradë ushtarake, karriget zyrtare ose në funksionet shtetërore”!

Përkundrazi, këtë ngjarje e gjej shumë të mirëpritur, madje pak të vonuar në të gjitha aspektet. Si e tillë, shpresoj shumë të shërbejë për “të shëruar dhe çliruar” nga përcaktimet e nenit 14 (absurd) të Ligjit të karrierës, mbi kohën maksimale të qëndrimit në gradën aktive, i cili bie ndesh me parimin e vitalitetit të FA (sa më lartë ngjitesh, aq më shpejt del nga sistemi/in or out). Uroj gjithashtu që ky rast të kontribuojë për t’u hapur rrugë gjeneratës së re, për të tejkaluar frymën e konfliktualitetit ndëristitucional, në rikthimin e besimit te pesha dhe vlerat e meritokracisë, solidaritetit dhe kohezionit në trupën e ushtarakëve si dhe zinxhirin e drejtimit të FA.

Janë 36 vjet karrierë ushtarake, 15 përgjegjësi të ndryshme (nga komandant toge, deri Përfaqësues Ushtarak Kombëtar në NATO; Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, Këshilltar i Presidentit të Republikës), 13 mijë ditë/net angazhime, sakrifica, privime, arritje, dështime, zhgënjime, keqkuptime etj., është mision i pamundur t’i përshkruash të gjitha, apo jo? Gjithsesi, në vijim do të veçoj 3 periudhat, disa nga përgjegjësitë dhe ngjarjet madhore që kanë lënë gjurmë të spikatur në “udhëtimin tim si ushtarak”, si dhe në arritjet familjare:

Së pari, për të përmbledhur pjesën e parë, 8 vjet (1983- 1991) po tregoj një histori personale, që e kam ndarë me kolegët e huaj: kur ndiqnim shkollën ushtarake (që siç e dini mbante emrin e diktatorit), mësimi i gjuhëve të huaja nuk ishte “me ligj” i ndaluar (ose privilegj besimi), por ata që mësonin gjuhë të huaja (përfshi së bashku mikun tim të shtrenjtë në 36 vjet, Halil Hyseni), shiheshin si subjekt dyshimi, në mos objekt për të dënuarit potencialë të radhës. Besoj ta kujtojmë të gjithë, që mallrat kineze kishin vërshuar në treg “Made in China” ose e shqipëruar “prodhim kinez”. Mesazhi i kësaj historie: Sinqerisht e konsideroj veten “Made in NATO”, për shkak të fatit nga përmbysja e regjimit, si dhe privilegjit që kam pasur për t’u investuar dhe kontribuar për 28 vjet në procesin e transformimit të sistemit të sigurisë kombëtare dhe atë të integrimit në NATO.

Së dyti, thellësisht i privilegjuar dhe maksimalisht i motivuar, që për 10 vjet (nga marrja e statusit aspirant në Washington DC, (MAP/1999), deri në marrjen e ftesës në Bukuresht (2008), kam qenë pjesë e një skuadre teknicienësh elitarë që u zhvilluam, u shkolluam, u rritëm profesionalisht, që kontribuuam me gjithçka sa mundem, dhe ia dolëm për të transformuar sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare: “mentalitetin, konceptin/qasjen, strukturat, infrastrukturat, rregullat e angazhimit, modelin dhe kulturën e planifikimit, bashkëpunimit me partnerët etj.”, në udhëtimin drejt përmbushjes së aspiratës së anëtarësimit në aleancën më të fuqishme të historisë së njerëzimit, por edhe familjes së vlerave demokratike të globit (NATO).

Përpos të tjerave, kjo periudhë ishte një shkollë e madhe për të transformuar vetveten, përgjatë së cilës kam pasur përgjegjësinë për të ndjekur, përfaqësuar dhe prezantuar në më shumë se 100 kurse e trajnime afatshkurtra në institucione dhe institute të sigurisë, si: Bruksel, Uashington, New York, Londër, Berlin, Romë, Paris, Otava, Varshavë, Oslo, Bukuresht, Gjenevë, Kolegji i NATO-s, Qendra Marshall, Kopenahgen, Beograd, Moskë etj., dhe në të gjitha 29 kryeqytetet e vendeve të NATO-s. Sot i kaloj me mirënjohje të thellë në retrospektivë, nuk më besohet dhe mendoj se kam të drejtë: “as në ëndrrat më të bukura, nuk e kam imagjinuar se do kisha vizituar kaq shumë vende”.

Së treti, pa asnjë mëdyshje, graviteti i suksesit në karrierën time, mbetet emërimi si Përfaqësues Ushtarak Kombëtar (NMR), në Komandën Supreme të Aleancës (SHAPE/NATO). Ndihem përjetë “borxhli”, shumë i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës, që në mars 2018, m’u ngarkua themelimi i Përfaqësisë, si dhe m’u besua drejtimi i një ekipi/bashkëpunëtorësh të përgjegjshëm që i dhamë frymën dhe shpirtin për të përmbushur detyrimet e anëtarësimin në NATO (prill 2009), si dhe më posaçërisht në negocimin, përmbushjen e standardeve dhe nënshkrimin e dhjetëra marrëveshjeve teknike të anëtarësimit të plotë (shtator 2013)

Nuk mund të lë pa përmendur disa nga arritjet madhore si në ketë periudhë, ku kemi pasur përgjegjësinë të japim kontribute më shumë se modeste: “rritja e kontributeve në operacione ndërkombëtare (në rreth 500 vetë njëherësh në vitin 2012); më shumë se 300 ushtarakë (nënoficerë, kapiten, major, nënkolonel, kolonel) në shtabet e operacioneve jashtë vendit (CE) dhe më shumë se 60 ushtarakë në strukturat e kohës së paqes (PE); u finalizua një “projekt shembullor” për demontimin e të gjithë trashëgimisë së municioneve të regjimit komunist. Buxheti i mbrojtjes arriti në 2% e GDP-së, rreth 30% e tij u alokua për projektet madhore të modernizimit, si: vëzhgimi i hapësirës detare; anijet e patrullimit; helikopterët e gjeneratës së fundit; Forcat Speciale; kursi i lartë për sigurinë; trajnimi; digjitalizimi i të dhënave të personelit; Muzeu i FA, një projekt dinjitoz për imazhin; u nënshkruan disa dhjetëra marrëveshje mirëkuptimi dhe teknike (MOU & TA) për: Forcat Speciale, Inteligjencën, Protokollin e Parisit/SOFA, shkëmbimi i informacionit të klasifikuar etj., për të cilat Shqipëria meritoi përcaktimi zyrtar: “një ndër 5 vendet model për reformat e mbrojtjes dhe përmbushjen e angazhimeve ushtarake”. Kjo arritje, për mua dhe të gjithë bashkëpunëtorët, do të mbeten arsye afatgjata për t’u ndierë krenarë para vetvetes, familjes, shoqërisë dhe të parën nga rëndësia, para Atdheut tonë të përbashkët.

Përtej modestisë së tepruar, nuk mund të lë pa përmendur sot, tri momentet më kulmore, përgjatë ushtrimit të funksionit të Përfaqësuesit Kombëtar në NATO. Jam ndier i përulur nga privilegji dhe përlotur nga emocionet, në ceremoninë kur i dorëzova flamurin kombëtar autoriteteve të NATO-s, për t’u ngritur dhe valëvitur krahas 28 vendeve të tjera. Po atë ditë, dt. 2 prill 2009, i shoqëruar nga Komandanti (SACEUR), jam ulur zyrtarisht (si i barabartë/me votë), në karrigen/tavolinën e 28 përfaqësuesve në Komandën Supreme të NATO-s.

Po ashtu, në pothuaj 6 vjet kam pasur privilegjin dhe sfidën të punoj për/me 3 Komandantë të NATO-s, me 3 gjeneralë amerikanë me 4 yje, 4 vjet nga të cilat me admiral Stavridis (dekoruar nga Presidenti Nishani, me “Medaljen e Mirënjohjes”), i cili në një letër-rekomandimi për dhënien e gradës gjeneral, më preku kur u shkruante autoriteteve: “Përfaqësuesi Juaj i parë Kombëtar, Kolonel Piro Ahmetaj, e ka ngritur shumë lartë stekën e Shqipërisë, në Komandën Supreme të NATO-s”.

Së katërti, për rreth 6 vjet në funksionin e Këshilltarit Ushtarak të Presidentit, nga “pesha e nderimit dhe barra e përgjegjësisë”, kam qenë edhe më i përulur edhe më i motivuar se në të gjitha funksionet që kam ushtruar brenda dhe jashtë vendit në këto 15 vitet e fundit, për të prodhuar produkte dhe këshilla strategjike sa më cilësore për Presidentin e Republikës, më posaçërisht për të mbështetur Kreun e Shtetit në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese të Komandantit të Përgjithshëm të FA dhe Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Megjithatë, më duhet ta theksoj se “lamtumirë uniformë”, ka lidhje me daljen në rezervë, me përmbylljen e karrierës ushtarake 36-vjeçare në FA dhe nuk ka asnjë lidhje me funksionin e Këshilltarit Ushtarak.

Po ashtu, më duhet ta them se, nga përgjegjësia zyrtare “kapërceva kufizimet e uniformës”, për të kontribuar në modernizimin e sistemit sigurisë dhe dekriminalizimin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare; përmirësuar kontrollin dhe harmonizuar balancat kushtetuese, për të mos lejuar politizimin; për të mbjellë frymën e konsultimeve dhe konsensusit sa më të gjerë; për të mos lejuar (sh)përdorimin propagandistik të kapaciteteve të FA; gradimet/zhgradimet politike; korrupsion me Planin e Përhapjes, objektet, infrastrukturat dhe burimet e mbrojtjes së FA; ulja, deformimi dhe shpërdorimin e buxhetit të Mbrojtjes etj.

Të dashur ushtarakë! Nuk po them se në 36 vjet kam qenë i pagabueshëm, por ju siguroj se si nxënësi i Colin Powell, kam mësuar shumë si nga arritjet ashtu dhe nga gabimet. Në këto 36 vjet kam qenë “normalisht” i shoqëruar edhe nga zhgënjimet, mosmirënjohjet, xhelozitë, cinikët, sekserët, thashethemet, me të cilat “kam bërë paqe me veten”, pasi jam udhëhequr nga parimi i përbotshëm: “nëse të kafshon një qen, dhe t’i kthehesh të ndukësh qenin, ke humbur destinacionin”!

E fundit, por jo nga rëndësia, me rastin e kësaj ngjarje dëshiroj t’i shpreh konsideratën dhe mirënjohjen me emër për emër, eprorëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, miqve të panumërt brenda dhe jashtë vendit, që më kanë shoqëruar në këtë udhëtim të suksesshëm 36-vjeçar.

E vetmja keqardhje që ndjej sot (s’bëj askënd fajtor), është që kemi “dështuar me sukses”, që të krijojmë një traditë-respekti, sjellje dhe kulturë perëndimore, për largimin e ushtarakëve, si dhe për çdo profesion tjetër, që kontribuon një jetë në shërbim të familjes, Atdheut dhe shoqërisë.

Pa mëdyshje, familja është gjithçka, Atdheu fillon te pragu i shtëpisë. E kam përmendur disa herë, që vetëm për shkak të karrierës time jashtë shtetit, është bërë e mundur edukimi 10- vjeçar i dy fëmijëve në shkollat perëndimore (Romë, Bruksel, Hagë, Londër, Harvard), arritja dhe përgjegjshmëria e të cilëve më bën shumë krenar. Nga ana tjetër, ky fakt do të vijojë të mbetet për mua dhe fëmijët “burim i pashtershëm i mirënjohjes dhe detyrimit ndaj vendit”. Ndihem përulësisht i detyruar, që në këtë udhëtimin 36-vjeçar (jo të lehtë), bashkëshortja, Lindita, më ka shoqëruar me urtësi, modesti, dinjitet si dhe përkujdesje shembullore.

Çfarë do bësh në të ardhmen, më pyesin këto ditë shumë miq jashtë dhe brenda vendit? Fillimisht do përmbyll disa angazhime, disa projekte vlerësimi me Kolegjin e NATO-s, Qendrën Marshall; NDU, Qendrën e Çikagos për Sigurinë Globale, USA etj. Për më tej, garantoj se i çliruar nga “prangat e uniformës” mbetem edhe më i motivuar të kontribuoj me eksperiencë, ekspertizë, përulësi dhe përgjegjshmëri shtesë, për modernizimin e sistemit të sigurisë kombëtare. Ajo që mundet të nënvizoj nga sot është se Shqipëria ka nevojë kritike të ndërmarrë një debat gjithëpërfshirës, për të konsideruar dhe udhëhequr një projekt mbarëkombëtar (dhe më gjerë) me strategji, marrëveshje, projekte dhe kapacitete të përbashkëta në dobi të sigurisë së qytetareve, stabilitetit të demokracisë funksionale dhe promovimit të interesave kombëtarë.

*Ish-Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës; Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të FA; Përfaqësues Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura