Flet Presidenti/ Nishani: Rama, fyerje dhe ulërima në telefon

Feb 20, 2015 | 16:56
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, denoncoi telefonatën me tone të ashpra dhe fyese të Kryeministrit Rama me të, që i kërkonte dekretimin e Visar Zhitit ambasador në Vatikan. I ftuar në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Presidenti Nishani këmbënguli se konsultimi i Kryeministrit me Presidentin për ambasadorët kërkohet në mbrojtje të Kushtetutës, por dhe të interesave të vendit.

Fotomontazh, Rama dhe Nishani bashkangjitur pjese nga faksimilja e gazetes

Deklaratat tuaja publike kanë krijuar shqetësim në politikë, përse janë bërë?
Qëndrimet e deputetëve të maxhorancës në Parlament ndaj Presidentit të Republikës kanë qenë të papranueshme. E kam fjalën për artikulime politike në aulën e Parlamentit, në mënyrë të pandërprerë dhe të përsëritur. Po bëj gati gjysmën e mandatit tim dhe po të shikosh arkivat, i bie që çdo dy muaj deputetët e qeverisë në Parlament janë marrë me Presidentin. Nuk ka ndodhur me asnjë President. Parlamenti ka gjithë të drejtën që i ka dhënë ligji që të mos pranojë argumentet që sjell Presidenti i Republikës për një ligj të caktuar. Por nuk mund të merresh me fyerje, me intimidime me Presidentin dhe jo vetëm me Presidentin, por me familjen e tij, me fëmijët e tij. Këto janë të papranueshme, prandaj ai reagim ka qenë në vijim të atyre fyerjeve dhe denigrimeve që iu bënë krejt papritur dhe iu bënë rreth 40 minuta pas një telefonate të papranueshme të Kryeministrit ndaj presidentit të republikës.

Ç’doni të thoni me këtë?
Atë ditë kam qenë në zyrë, si çdo ditë në axhendën time. Jam njoftuar nga sekretaria që të lidhem në telefon nga Kryeministri. E kam pritur me kënaqësi, natyrisht, sepse ka pasur dhe biseda të mëparshme jo të shpeshta për çështje pune. Unë kisha dëgjuar që Kryeministri telefonon gjyqtarë, prokurorë dhe flet me tone të ndryshme. T’u them të vërtetën nuk i kisha besuar dhe i kisha quajtur të ekzagjeruara. Por, unë jam befasuar dhe shokuar nga tonet dhe fjalori i përdorur atë natë ndaj Presidentit të Republikës.

Fjalor i tipit…
Të papranueshme! Sado mosmarrëveshje dhe mospëlqime mund të kesh me një President, presidenti i Republikës është kryetari i shtetit. Nuk mundesh as t’i ulërasësh, as t’i bërtasësh dhe as ta fyesh në telefon Presidentin e Republikës.

Ju ofendoi personalisht?
Për arsye pse unë nuk dekretokam zotin Visar Zhiti ambasador në Vatikan. Kjo është e papranueshme dhe menjëherë, rreth 40 minuta pas kësaj bisede në telefon, ndoqa spektaklin tjetër në Parlament, ku deputeti i qeverisë doli dhe adresoi akuza, mund ta kishte bërë këtë gjatë gjithë ditës, por e bëri pas telefonatës në mënyrë të papranueshme. Unë kam pasur në vijimësi akuza që vinin me terminologji nga rruga. Unë nuk mund të merrem me dhunën që vjen nga rruga. Sepse unë jam Presidenti i Republikës, por ju garantoj juve dhe të gjithë qytetarëve që unë do të përballem me të gjithë dhunën institucionale kur ajo drejtohet ndaj Presidentit të Republikës dhe ndaj çdo qytetari të thjeshtë të këtij vendi. Për këtë natyrisht mund të kem kosto, por Presidenti i Republikës natyrisht është aty që të mos ketë frikë se do ta heqin nga puna, për të mos pasur frikë se do ta gjobisin, të mos ketë frikë se mund ta fusin në burg, Presidenti është aty për të mbrojtur dinjitetin e institucionit dhe të vendit të vet që përfaqëson.

Në atë telefonatë ju perceptuat kërcënimin se mund të shkarkoheni nga kjo maxhorancë?
Jo, jo, nuk ka lidhje as me shkarkimin dhe as me futjen në burg, sepse këto nuk pranohen. Ka qenë një telefonatë e papranueshme, e paimagjinueshme, e adresuar me tone dhe terma të papranueshme dhe e pabesueshme për mua ndaj Presidentit të Republikës. Besoj që kjo është e qartë dhe e mjaftueshme. Kjo ka qenë biseda me Kryeministrin që ka dalë dhe në media dhe nuk e di kush e ka nxjerrë në media për fat të keq

Sa zgjati biseda?
Nuk ka rëndësi se sa ka zgjatur. Por po ju them se këto praktika dhe metoda janë të papranueshme për një shoqëri të lirë dhe demokratike dhe duhet të marrin fund një herë e mirë. Po nuk u përballëm me këtë kulturë, nuk do të mund ta ndryshojmë, qoftë dhe me kosto.

Cili është synimi i këtij sulmi?
Ka synim që ta bëjë institucionin e Presidentit një kukull, një noter, pa ngjyrë, pa identitet në varësinë e Kryeministrit.

Në fakt ju keni imazhin e kundërt, që ktheni dhe refuzoni pothuajse çfarëdolloj vendimi që sjell maxhoranca, që nga reformat e deri tek emërimi i ambasadorëve…
Kjo nuk është e saktë dhe për këtë ka statistika. Ka një numër shumë të pakët ligjesh të kthyera në Parlament. Të gjitha ato ligje që janë kthyer kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Një pjesë e tyre janë vërtetuar si të tilla dhe nga Gjykata Kushtetuese. Por, çdo gjë është bërë brenda të drejtës institucionale që i jepet Presidentit. Prandaj është Presidenti, që të bëjë një punë dhe të kryejë një detyrë. Nëse nuk është i nevojshëm Presidenti i Republikës, ta heqim Presidentin. Nëse nuk ka nevojë për kompetenca për të balancuar pushtetet dhe fuqinë e pushtetit, ta heqim Presidentin e Republikës, por kjo kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Jo duke e pasur Kushtetutën dhe duke e injoruar atë.

Është e papranueshme që ju të dilni në publik dhe të thoni që për Visar Zhitin Kryeministri nuk është konsultuar me ju…
Presidenti ka bashkëpunuar në mënyrë shumë luajale me qeverinë, që ditën e parë, do të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë të tillë, sepse pozicionet nuk janë personale. Jemi Republikë Parlamentare, por pozicionet janë të ndara dhe i jepen Presidentit disa kompetenca. Kushtetuta ka paraparë disa të drejta Presidentit për emërtesa, emëron gjyqtarët e lartë dhe ata kushtetues, emëron prokurorin e Përgjithshëm, guvernatorin e bankës etj. Këto kompetenca i janë parashikuar Presidentit të Republikës për t’i mbrojtur këto institucione nga ndërhyrja e politikës, nga intimidimet që mund t’i vijnë nga politika.

Mua më duket i papranueshëm refuzimi i Visar Zhitit, zoti President…
Çështjet kanë një dinamikë. Nuk ka qenë aspak çështje Zhiti, por ka qenë çështje institucionale, jam aty si President për të mbrojtur interesin e shtetit. Çështja është se prej gati dy vjetësh është kthyer në shqetësim të marrëdhënieve ndërinstitucionale. Ambasadori i Republikës së Shqipërisë nuk përfaqëson vetëm qeverinë, ai është ambasador i plotfuqishëm dhe përfaqëson shtetin shqiptar.

Visar Zhiti nuk ishte i denjë?!
Nuk kam thënë që Visar Zhiti nuk ishte i denjë. I kam kërkuar Kryeministrit, në mënyrë të përsëritur, që duhet të bashkëpunoni, të diskutoni paraprakisht për kandidaturat që do të shkonin ambasadorë, dhe jo për arsye pazaresh. Qeveria duhet të punojë me njerëz dhe instrumentet. Konsultat i kam kërkuar për të shmangur problematikën që mund të lindnin me kandidatura të veçanta. Unë nuk e konceptoj propozimin e Kryeministrit një copë letre që shkon me postë. Propozimi është që Kryeministri i thotë Presidentit që kemi këto kandidatura për këto vende, a mendoni që ky person me këto karakteristika do të rrisë përfaqësimin? Kjo diskutohet paraprakisht dhe nuk ka asgjë të keqe.

Rasti Zhiti nuk besoj se ka nevojë për konsultë…
Tani, megjithëse Presidenti e ka kërkuar 5 herë të konsultohet, vazhdon të injorohet. Ndodhi një incident shumë i rëndë, një vend mik i ynë nuk na i pranoi letrat kredenciale të Presidentit.

Për cilin rast bëhet fjalë, për cilin vend?
Nuk ka rëndësi t’ju them emrin. Por po ju them që janë Emiratet e Bashkuara Arabe. Pas këtij incidenti i kam kërkuar në mënyrë të prerë dhe publike që duke vënë shtetin në situata të tilla, Presidentin në një pozicion të tillë, nuk do miratoj asnjë kandidaturë pa konsulta paraprake. Kërkesa u injorua dhe erdhën propozimet për katër ambasadorë të tjerë, mes së cilës edhe zoti Zhiti. Erdhi ambasadori në BE, në Maqedoni, Izrael dhe Vatikan. Unë nuk mund të mbaj standarde të dyfishta. Natyrisht e gjithë ajo që pasoi qëndrimin e Presidentit dëshmoi për fat të keq që ishte një kurth politik, një skenar i stisur politik për të vendosur Presidentin në një raport me opinionin që gjykonte përmbajtjen e refleksionit tjetër, pa ditur dinamikën e ecurisë, komunikimit, bashkëpunimit. Ndaj edhe një herë, aty Presidenti i Republikës është që mbi interesin e çdo individi, ndjenjat e çdo individi, të mbrojë interesin dhe dinjitetin e shtetit.

I keni refuzuar të katër këta emra?
Kushtetuta ka paraparë të drejtën e Presidentit për të dekretuar dhe të drejtën për të mos dhënë shpjegime, sepse interesat shtetërore nuk janë për në pazarin publik dhe Presidenti shikon, baraspeshon e vlerëson interesin e shtetit dhe kjo është arsyeja që i është dhënë e drejta Presidentit që të mos e dekretojë dhe të mos japë shpjegime.

Ju thoni që nuk e keni të detyruar shpjegimin, po zotin Zhiti pse e thërritët dhe ia dhatë?
Zoti Zhiti kërkoi të takohej me mua, po ta dija që do të shfrytëzonte këtë për shou mediatik, nuk do ta kisha pritur. Ky është rasti i dytë që po refuzoni ambasadorin në Vatikan dhe mediatikisht akuzoheni se këtë po e bëni në mbrojtje të të ngarkuarës me punë atje, e vetmja meritë e së cilës është që është motra e Aleksandër Frangajt? Mua më vjen shumë keq që artikulohet gjithashtu një e pavërtetë e tillë. Është e vërtetë që në Vatikan ka një të ngarkuar me punë, që është zoti Ndreca dhe zoti Ndreca nuk është motra e zotit Frangaj. Zoti Ndreca ka që nga shtatori i kaluar që ushtron detyrën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën tonë në Vatikan.

“Panorama” publikoi lajmin e telefonatës së Ramës

Gazeta “Panorama” publikoi më 15 shkurt lajmin se mes Presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama ka pasur të enjten e shkuar një telefonatë me tone të ashpra. Sipas burimeve të gazetës, Kryeministri i ka kërkuar edhe në telefon Presidentit që të firmosë dekretin e Visar Zhitit për ambasador, por përgjigjja e Nishanit ka qenë e prerë, pasi ajo nuk është konsultuar më parë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura