Lirimi nga burgu i Endrit Dokles, reagon prokuroria e Krujës: Kërkuam përjashtimin e gjyqtares. Do të ankimojmë vendimin

Jan 14, 2020 | 16:27
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krujës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë për lirimin nga burgu të ish-numrit dy të bandës së Durrësit, Endrit Dokle.

Prokuroria thekson në reagim se ka kërkuar rrëzimin e kërkesës së Dokles për lirimin me kusht, duke argumentuar se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore.

9c4544f2-f78c-4272-b1dc-fdccbe7b9cf8-666x365

Më tej, thuhet se prokuroria ka kërkuar edhe përjashtimin e gjyqtares së çështjes, pasi i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të Dokles, referuar ndryshimit të vendit të vuajtjes së dënimit, nga burgu i sigurisë së lartë në Fushë Krujë në një burg të sigurisë së zakonshme, por shton se kërkesa nuk u pranua nga gjykata

Mandej, Prokuroria e Krujës thekson se vendimin do ta ankimojë brenda afateve ligjore.

Reagimi i plotë:

Njoftim  në lidhje me procesin gjyqësor për kërkesën e të dënuarit Endrit Dokle

Gjykata e Shkallës së Parë Krujë me vendimin nr. 6/123 datë 14.01.2020  vendosi : “Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë  prej 5 (pesë)  vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”.

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesmarrëse në këtë proçes dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çëshjtes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime  në favor të kërkuesit,  kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet proçedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura