VIDEO/ Kapet grupi i hajdutëve në Tiranë, vidhnin banesa dhe kasaforta. Ja sa euro iu sekuestruan (Detajet e operacionit)

Sep 9, 2020 | 10:29
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës ka goditur një grup të vjedhjeve të banesave. Në kuadër të operacionit të koduar “Sezoni” u arrestuan 3 prej tyre, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim.

Blutë e kryeqytetit zbardhen dhe dokumentuan 7 raste të vjedhjeve në banesa, 3 prej tyre vjedhje kasafortash, të cilat dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete, shuma prej 10.000 euro dhe një pajisje për bllokimin e valëve.

Personat e arrestuar janë: E. M., 35 vjeç, S. Sh., 28 vjeç dhe D. B., 32 vjeç, të tre banues në Durrës. Ndërsa në kërkim u shpallën në kërkim shtetasit: A. R., 45 vjeç dhe V. O., 33 vjeçe.

Vjedhjet e dokumentuara

-Më datë 06.09.2020, në rrugën “Nikolla Tupe”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente personale dhe një shumë rreth 10000 euro, në banesën e shtetasit E. A., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

– Më datë 12.08.2019, në rrugën “Skënder Luarasi”, kanë vjedhur një kasafortë brenda së cilës ka pasur një sasi lekësh te konsiderueshme parash, në banesën e shtetasit S. P., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

– Më datë 20.07.2020, në rrugën “Ramiz Kovaçi”, kanë vjedhur shumën 7000 euro, në banesën e shtetasit F. Ç.

– Më datë 30.08.2020, në rrugën “Pjeter Bogdani”, kanë vjedhur disa bizhuteri dhe një kasafortë brenda së cilës ka pasur disa dokumente pronësie, sende me vlerë dhe shumën e parave rreth 1160 dollarë dhe 270.000 lekë, në banesën e shtetasit E. S., i cili në momentin e vjedhjes ka qenë me pushime sezonale.

– Më datë 24.08.2020, në rrugën “Marko Boçari”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. K. Ky shtetas ishte larguar për dy muaj me pushime sezonale dhe kur është kthyer ka konstatuar vjedhjen.

– Më datë 29.08.2020, në rrugën “Zef Jubani”, kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetasit A. Sh. Ky shtetas ishte larguar bashkë me familjen për pushime sezonale dhe kur është kthyer, ka konstatuar vjedhjen.

– Më datë 06.02.2020, në rrugën “Njazi Demi” ” kanë vjedhur disa bizhuteri në banesën e shtetases E. D.

Vijon puna kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura në qarkun e Tiranës, në të cilat mund të jenë të implikuar këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura