Laboratori i kokainës në Fier/ Gazetari: Për herë të parë kemi një porositës, SPAK po vepron me dy standarde! Grupet e strukturuara po sofistikohen

Nov 28, 2022 | 21:47
SHPËRNDAJE

Një sasi prej 430 kg kokainë u kap në Frakull të Fierit, si pasojë e një operacioni të bërë edhe me ndihmën e DEA, SPAK, autoriteteve shqiptare dhe atyre malazeze. Gazetari i kronikës, Julian Kasapi ka deklaruar se ky është një nga rastet e rralla që sasia e drogës është lejuar të shkojë deri tek porositësi dhe të zbardhet edhe dinamika e ngjarjes dhe personat e përfshirë.

jul kasapi

I ftuar në emisionin “Open” në News24, Kasapi ka ngritur dyshime edhe mbi punën e SPAK për të cilin tha se vepron me standard të dyfishtë.

“Operacioni është  për tu përshëndetur. Zakonisht kapet në Durrës dhe nuk lejohet që të çohet deri në fund. Droga është zbuluar që në Tivar dhe është lënë të shkojë tek porositësi. Për herë të parë kemi një porositës që është Zenel Cervanaku, që është vëllai i ish kryetarit të komunës Frakull. Mendoj se SPAK në të gjitha rastet e trafikimit të lëndëve narkotike, të cilat kanë si origjinë vendet e Amerikës Latine, po funksionon me standarde të dyfishta. Në këtë rast kemi një grup të strukturuar kriminal, por në rastet e tjera nuk kemi grup të strukturuara. Pse veprohet me të tilla standarde? Kemi edhe rastin e fshatit Rërëz ku u kapën mbi 800 kg hashash, 18 persona që ruanin laboratorin të armatosur dhe SPAK ia ka lënë prokurorisë së Beratit. Pikëpyetje e madhe mbi SPAK. Këtu ka një problem standardi.

Për herë të parë në Shqipëri droga ka ardhur në pleh kimik. Më parë ka ardhur me vajin e palmës. Grupet kriminale janë sofistikuar shumë, por edhe në rastet e futjes në kontejnerë me sasi të vogla që të mos kuptohen tregon po këtë.

Ky është rasti i 2 që na vijnë ekspertë nga Kolumbia siç ishte rasti i parë me Xibrakën. Eksperti kimist mendohet se nuk ka dalë nga territori shqiptar por nuk është bërë e mundur kapja e tij”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura