“La Boheme”, dashuria tragjike rikthehet në TOB

Dec 16, 2015 | 13:50
SHPËRNDAJE

Nëntorin e vitit të shkuar u rikthye në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, pas njëmbëdhjetë vitesh mungesë, opera e Giacomo Puccini- t, “La Boheme”.

Këtë vit, sigurisht me ndryshime, Parisi i shek. XIX rikthehet në vigjilje të Krishtlindjeve. Opera me katër akte, është bazuar në novelën “Skena të jetës bohemiane” nga Henri Murger.

boheme1Historia tragjike e dy të rinjve dhe dashuria e tyre e mundur nga varfëria dhe turbekulozi do të vijnë bashkë me luftën e vazhdueshme për mbijetesë, të artistëve bohemianë. Në datat 22 dhe 24 dhjetor, salla e TKOB do të mbushet me tingujt e Orkestrës Simfonike, Korit të TKOB dhe Korit të nxënësve të Liceut, me regjinë e Andrea de Manincor.

Këtë herë, në rolin e Mimisë do të jetë sopranoja Eva Golemi, ndërsa në rolin e Rudolfos, tenori Jenish Ysmanov. Baritoni Armando Likaj do të jetë në rolin e Marcellos, ndërsa sopranot Dorina Selimaj dhe Ramona Tullimani do të interpretojnë Musettën.

Edhe këtë herë, bashkëpunimi me Italinë do të vijë përmes basbaritonit Enrico Marchesini, në rolin e Colline, ndërsa Sidrit Bejleri dhe Ogert Islami do të luajnë përkatësisht Benoit dhe Schaunard. “Dora” e vendit fqinj, Italisë, do të duket edhe prej dirigjentit të orkestrës, Francesco Cilluffo.

Meqenëse salla e TOB-it është tashmë e ngrohtë, mos u mendoni dy herë për t’i kaluar pikërisht atje orët e pragut të festave. “Vigjilja e Vitit të Ri, viti 1830.

OPERA

Në apartamentin që ndajnë së bashku me dy artistë të tjerë, Marcello (piktor) dhe Rodolfo (shkrimtar) bëjnë shaka për të ftohtin që i pengon të punojnë.

Një nga vëniet e mëparshme të operës “La Boheme”
Një nga vëniet e mëparshme të operës “La Boheme”

Marcello tenton të thyejë një karrige për të marrë ca dru për zjarrin, ndërsa Rodolfo propozon të djegin dorëshkrimin e tij. Në dhomë hyjnë Collin (filozof) dhe Schaunard (muzikant), të cilët sjellin dru e ushqime.

Pikërisht në momentin kur katër shokët vendosin të dalin, shfaqet pronari i shtëpisë, i cili i kërkon qiranë e papaguar”. Kështu do të nisë akti i parë i operës “La Boheme”, për ta bërë ca më të ngrohtë, përmes dashurisë, atmosferën në aktin e dytë.

“E vendosur për ta bërë për vete Marcellon, Musetta kërcen një vals dhe mburret me faktin se asnjë burrë nuk mund t’i rezistojë. Ai bie në kurthin e saj, Musetta përpiqet të largojë Alcidoron me justifikimin se e kanë vrarë këpucët dhe e dërgon atë t’i blejë një palë të reja.

Sapo ai largohet, Musetta hidhet në krahët e Marcellos. Kur vjen llogaria, Schaunard vë re që nuk i ka paratë dhe kupton se e kanë vjedhur, kështu që Musetta i thotë kamerierit të vërë gjithçka në llogarinë e Alcidoros. Të gjithë dalin duke kënduar”.

Do të mbahet gjithaq prej dashurisë, edhe akti i tretë operës, sado që me ca zhurma më shumë. Jeta bohemiane do të “jetojë” pak me ju këto minuta të këtij akti, përmes Marcellos dhe Musettës.

“Në periferinë e Parisit. Marcello dhe Musetta banojnë në një tavernë dhe e fitojnë jetesën duke pikturuar e duke dhënë mësime kantoje. Shfaqet Mimi, e cila i rrëfen Marcellos se si xhelozia e Rodolfos po shkatërron marrëdhënien e tyre. Me keqardhje ai e këshillon të ndahet prej tij. Disa minuta më vonë vjen Rodolfo, i cili i tregon Marcellos vendimin e tij për t’u ndarë nga e dashura e tij. Bisedën mes dy shokëve e dëgjon edhe Mimi, e fshehur aty pranë. Rodolfo i tregon mikut të tij se Mimi flirton me të tjerë, por më pas pohon arsyen e vërtetë të ndarjes, që është sëmundja e saj dhe pamundësia e tij për t’u kujdesur për të”.

Dhe si në të gjitha veprat e mëdha, as në këtë, nuk do të buzëqeshni në fund, por do të kaloni orë me muzikë të mirë. Pamja e Rodolfos dhe Mimisë, të vetëm në dhomë, duke kujtuar mbrëmjen në të cilën u njohën, do të sjellë shpejt një ajër të dëshpëruar.

“Mimi e siguron Rodolfon se ai është dashuria e saj e vetme. Marcello kthehet, mjeku është duke ardhur, ndërsa Musseta lutet për Miminë. I pari që kupton se Mimi nuk është dukë fjetur, por ka vdekur, është Schaunard. I dëshpëruar Rodolfo derdh lot mbi trupin e saj”- dhe kështu do të mbyllet akti i katërt i operës “La Boheme”, që do të jetë gjithashtu e hapur për pulbikun edhe gjatë provave gjenerale, në datën 19 dhjetor.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura