Kuvendimi i pushtetit qendror me mirditorët

Oct 16, 2019 | 10:16
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO pellumb nako

Mirdita është krahina më e shkëlqyer ku fjalët “kuvend” dhe “kuvendim” kanë marrë kuptimin e shkëmbimit të mendimeve në biseda të hapura, publike, lidhur me probleme që shqetësojnë komunitetin dhe që njëkohësisht, jo rrallë, kanë pasur për qëllim të rregullonin marrëdhëniet me pushtetin qendror. Ose më saktë, të mbroheshin nga pushteti qendror, i cili më së shumti në shekuj ka qenë armiqësor.

Kuvendimi ishte instrumenti social i përzgjedhur për të mundësuar zgjidhjet, kurse Kuvendi përbënte institucionin e vendimmarrjes. Drejtësi e dhënë publikisht, dinjitet i respektuar, komunitet solid, tri shtyllat këto, me anën e të cilave kuvendet e krahinave mirditore siguronin atë që sot quhet qeverisje vendore. Instrumente mjaft efikase të ndërtuara në shekuj dhe që kanë dëshmuar se banorët e kësaj zone kanë qenë tërësisht të familjarizuar me disa rregulla sociale, që koha e sotme moderne i kthehu në kolona mbi të cilat ndërtohet shteti modern. Sidomos raportet e këtij të fundit me interesat e komunitetit. Sigurisht, përgjegjshmëria civile mbi shpatullat e pjesëmarrësve në këto kuvende, e pjekur nga pesha e shekujve, nuk ka të krahasuar me kuvendin tonë të tanishëm. Po ashtu, edhe kuvendimi i dikurshëm me një tërësi të tërë rregullash formale, të rrepta, ku fyerja dhe gënjeshtra paguheshin shtrenjtë, nuk ka të bëjë në asnjë pikë me sharjet e tmerrshme që buçasin sot.

Shteti i sotëm e njeh këtë fakt. Për fat të keq, nuk e sheh si një instrument shumë të përshtatshëm për të ndërtuar të ardhmen e komuniteteve mirditore në përputhje me interesat e tyre, individuale, private dhe të përgjithshme, por shfaq rregullisht vesin e manipulimit sipas interesave të ngushta individuale të klientëve në lidhje të ngushta me pushtetin qendror. Me fjalë të tjera, e keqpërdor.

Në rastet kur për një arsye ose tjetër pushteti ka interes, organizon “dëgjesa publike”. Si kuvendimi me mirditorët. Kur për të njëjtat arsye ai nuk ka interes për mbështetjen e komunitetit, në vend të kuvendimit, në emër të shtetit dhe ligjit u dërgon furgona me policë specialë. Pra, nuk merr as mundimin më të vogël të organizojë paraprakisht dëgjesa publike me komunitetin, të cilit mund t’i preken interesa jetike nga ndonjë investim i mundshëm privat apo edhe shtetëror. Njëlloj si dje, kur në një rast pushteti paraqitej “gju më gju me popullin”, në rastin tjetër u niste hordhitë e sigurimit të njëjtave komunitete.

Gangrena e sëmundjes së tmerrshme e qeverisjes qendrore në raport me komunitetet lokale vazhdon edhe sot. Thuajse njëlloj si dikur, kur pushteti qendror ishte i huaj për tërësinë e shqiptarëve. Edhe i huaj, edhe shqiptar, përgjithësisht pushteti qendror në vendin tonë ka paraqitur rregullisht dyfytyrësi në raport me pritshmëritë e komuniteteve të vogla lokale. Thuajse kurrë nuk merren për bazë interesat e tyre. Edhe kur mbrojnë natyrën. Nuk janë të pakta vendimet e imponuara me dhunë policore nga pushteti qendror i sotëm. Eksperienca shekullore duket se ua ka mësuar qartë këtë gjë mirditorëve, ndaj dhe ata ndërtuan dhe vazhdojnë t’u besojnë kuvendeve të ngritura prej tyre. Dhe po ashtu si ata, edhe matjanët apo lezhjanët.

Më 30 mars të këtij viti, ministrja Balluku, së bashku me deputeten e zonës shkuan në Kurbnesh për të kuvenduar me banorët e zonës. Për t’u njoftuar atyre anulimin e lejeve të dhëna nga paraardhësi i saj për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin e Urakës. Të dërguarit e pushtetit qendror organizuan një dëgjesë publike me banorët e zonës, siç u shpreh ministrja. Në fakt, dëgjesa duhej organizuar para nënshkrimit të kontratave, por kjo pak rëndësi ka. Banorët u njoftuan për vendimin e pushtetit qendror lidhur me këtë fakt. Të pranishme shumë media. Sidomos ato më të fuqishmet dhe më të ndjekurat. Përse? Sepse ministrja kishte marrë në konsideratë ankesat e shumta të banorëve të pasqyruara në portalin qeveritar të bashkëqeverisjes. Ajo nuk harroi të vërë në dukje edhe faktin se sa shumë e ndjeshme është qeveria ndaj kërkesave të komunitetit, ndaj dhe personalisht kishte marrë vendimin e anulimit të kontratave të HEC-eve. Po ashtu, hierarkia e pushtetit qendror nuk do të lejonte edhe ndërtimin e HEC-eve të tjera mbi lumin Urakë. I pranishëm në këtë dëgjesë publike apo në këtë kuvendim me mirditorët e Kurbneshit ishte edhe kryetari i Bashkisë së Rrëshenit.

Disa muaj më vonë nga kjo ngjarje, në tetor para disa ditëve, kryetari i bashkisë do të ishte përsëri përballë komunitetit mirditor. Për të njëjtin problem. Por jo për të kuvenduar me ta. Edhe ministrja Balluku së bashku me deputeten e zonës nuk kishin ardhur për të kuvenduar këtë radhë në Selitë, për të bërë dëgjesë publike me banorët e komunitetit në komunat Zajs dhe Melth, ku po ndërtohen dy hidrocentrale të vogla mbi lumin Urakë. Natyrshëm, edhe media do të mungonte. Sidomos ajo e fuqishme dhe më e ndjekura.

Në vend të tyre, pushteti qendror kishte dërguar furgona me policë të forcave speciale jo për kuvendim, por për të përdorur forcën. Në emër të ministres dhe deputetes së zonës, po ashtu të kryetarit që kishin deklaruar vetëm disa muaj më parë se nuk do të kishte asnjë ndërtim HEC-esh mbi lumin Urakë.

Ndoshta banorët e zonës kanë bërë ndonjë gabim dhe nuk i janë adresuar platformës elektronike qeveritare “Të qeverisim së bashku” dhe për rrjedhim, në vend të ministres, në kuvendim me banorët, shkuan forca të shumta policore. Pak e mundshme duket.

Të paktën në parim, nuk është e thënë që komuniteti lokal të ketë patjetër të drejtë në pretendimet e tij, por instrumenti i pushtetit qendror për dëgjesë publike me komunitetin, para marrjes së vendimit për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Urakë, nuk u pa gjëkundi të bëhej publik. Për më tepër që, me plot gojën ministrja tha se nuk do të lejonte asnjë HEC mbi lumin në fjalë. Por as ajo dhe as deputetja e zonës nuk u panë të kuvendojnë me banorët e Selcës për të mirat apo të këqijat e projektit. Të dëgjonin pretendimet e tyre. Si në rastin shurdhues të Kurbneshit. Përse dy standarde?

Duket sheshit se kur vjen puna për favore ekonomike klientësh me lidhje dhe interesa të mëdha financiare e politike me pushtetin qendror, raporti i tij me mirditorët, kuvendin dhe kuvendimin e tyre historik hidhet në koshin e historisë. Shkelet tërësisht me pabesi, aspak tabu e kësaj qeverie. Ëmbëlsia femërore e pushtetit qendror në kuvendim me komunitetin, e ndjeshme ndaj problemeve të tij, zëvendësohet me brutalitetin e Policisë. Vendin e kuvendimit e zë forca.

Dyfytyrësia e pushtetit qendror shfaqet pastër. Kur nuk ka interesa të lidhura me kupolën politiko-financiare, nuk është problem anulimi i lejes së disa HEC-eve. Madje, hyn në punë si propagandë për vegjëlinë. Kur interesat janë të kupolës, maskat flaken. Zonjat e buta zhduken. Vendin e zë gjenerali i Policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura